Janari nisi qetë, por mund të sjellë lëvizje të bujshme

Janari ka nisur me lëvizje jo shumë të mëdha të futbollistëve shqiptarë që bëjnë karrierë në Evropë, por afati kalimtar i këtij muaji pritet të sjellë edhe transferime të bujshme, shkruan sot Koha Ditore.
Bajram Nebihi të dielën nga Union Berlini i Bundesliga 2 ka kaluar te Stuttgarter Kickers i Bundesliga 3 të Gjermanisë, ndërsa te kjo skuadër ka kaluar edhe Klaus Gjasula, vëllai i Jurgen Gjasulës. Klaus Gjasula deri më tani ka luajtur në kategorinë e katërt gjermane.
Ndërkohë nga Italia është bërë e ditur se portieri i Kosovës, Samir Ujkani, në vazhdim të kampionatit do të luajë për skuadrën Latina në Serie B. Ujkani është në pronë të Genoas, ku nuk po luan fare dhe tashmë është arritur marrëveshja për huazimin e tij te Latina, skuadër kjo që ishte në kërkim të një portieri. Negociatat mes palëve janë mbyllur me sukses dhe marrëveshja pritet të zyrtarizohet gjatë javës. Për mesfushorin e krahut, Rijat Shala, që ishte pa skuadër për gjysmë viti, është raportuar se ka arritur marrëveshje me Riminin e kategorisë së tretë italiane.
Në Turqi disa mediume kanë raportuar se reprezentuesi i Kosovës, Loret Sadiku, ka kaluar nga Mersini te skuadra tjetër e Superligës turke, Kasimpasha. Mersini po lufton për mbijetesë dhe është në krizë financiare, ndërsa Kasimpasha i takon pjesës së epërme. Por vetë Sadiku ka mohuar të ketë realizuar ndonjë transferim.
“Nuk kam bërë ndonjë lëvizje, por nuk dihet se çka do të ndodhë. Afati kalimtar vetëm sa është hapur”, ka thënë Sadiku për gazetën
http://koha.net/?id=6&l=91922