Eko Higjiena

Jakup Krasniqi s’është alternativë

/ 4 minuta lexim

Jakup Krasniqi dhe Fatmir Limaj po paralajmërojnë themelimin e një partie të re politike. Analisti Halil Matoshi thotë se subjekti i tyre nuk do të ndryshojë shumë prej PDK’së dhe se nuk përbën ndonjë alternativë politike për vendin. Por, e sigurt, sipas tij, është se PDK do të dëmtohet sikurse i kishte ndodhur LDK’së me LDD’në.

Jakup Krasniqi, për herë të parë prej pasluftës, kishte vendosur t’i takonte familjarët e personave të pagjetur, të cilët protestuan edhe këtë fundvit.

Kështu, Krasniqi kur po hetohet për krime lufte, u përlotë bashkë me të afërmit e personave të zhdukur në luftë.

Ky veprim i Krasniqit vjen edhe në kohën kur ai po e paralajmëron edhe themelimin e një partie politike.

Kryeparlamentari ka thënë se për ta bërë partinë ka shumë njerëz të interesuar.

“Sigurisht që ka të interesuar nga të gjitha kategoritë shoqërore të qytetarëve të Kosovës për të parë një subjekt politik, që mendon dhe do të qeverisë më ndryshe në vendin tonë. Qëllimi ynë nuk është ta dëmtojmë asnjë subjekt politik. Qëllimi ynë është që qytetarëve t’iu japim një ofertë të re”, ka thënë Krasniqi, në një intervistë për fundvit.

Por, a është alternativë Partia e Jakup Krasniqit?

Analisti Halil Matoshi thotë se jo.

“Te kjo nismë e re nuk shoh ndonjë risi politike. Por, objektivisht ata e konceptojnë se janë forca e vetme që përfaqëson konceptet”, ka thënë ai.

Sipas tij, themelimi i një partie politike është hap demokratike i Krasniqit e Limajt, por se asnjëra s’ndryshon hiq prej koncepteve dhe ideologjisë së PDK’së.

Fundamenti

“Nuk mendoj se Kosova po vuan për shkak të kësaj ideje. Kjo mendësi e ka udhëheq Kosovën dhe është në pushtet. Dhe, nuk kanë arritur ta bëjnë një vend krejtësisht demokratik dhe të civilizuar”, ka thënë ai.

Matoshi parashikon se Partia e Krasniqit e Limajt s’mund të bëhet asnjëherë parti e të gjithë qytetareve. Por, do të mbetet parti rajonale.

“A ka treg politik apo jo kjo mbetet të shihet. Megjithatë, unë mendoj se ajo do të jetë një parti rajonale. Do të ketë më shumë votues dhe mbështetës në zonat ku ka operuar z. Krasniqi dhe z. Limaj. Por, ajo s’do të mund të bëhet një parti politike gjithë kosovare”, ka shtuar ai.

Sidoqoftë, Matoshi thotë se e sigurt është e PDK do të dëmtohet me formimin e partisë së re nga njerëzit që deri dje kanë qenë bashkë.

“Ky është një fraksion i PDK’së, i cili e dëmton në mbështetjen politike. Ata ia shkëputin një pjesë të elektoratit, por jo aq shumë sa kjo të bëhet një forcë vërtetë e madhe politike”, ka shtuar ai.

Jakup Krasniqi dhe Fatmir Limaj në zgjedhjet e fundit lokale kanë kërkuar vota për nismat e tyre qytetare dhe kanë bërë thirrje që mos të votohet PDK’ja.

Të paktën në Malishevë i kanë shkaktuar PDK’së humbje, derisa kanë ndikuar edhe në disa qytete të tjera që partia e Thaçit të mos ketë sukses.

Pavarësisht kësaj, Hajredin Kuçi e Kadri Veseli u kanë bërë thirrje Limajt e Krasniqit të kthehen në PDK, derisa Sokol Bashota, Isni Kilaj e Shukri Buja kanë kërkuar që ata të përjashtohen nga partia pasi kanë punuar kundër saj.

Ndaj kësaj situatë po vazhdon të heshtë Kryetari i PDK’së, Hashim Thaçi./express/