RCCOLA

Jahjaga: Ta përmbyllim konfliktin me Serbinë

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, thotë se bisedimet me Serbinë hapën rrugën për të tejkaluar gjendjen e konfliktit të ngrirë në Veriun e Kosovës. Ajo tha se Kosova po e përmbyllë një vit dinamik në planin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar të zhvillimit të saj.

“Një energji e madhe u kanalizua në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me shtetin fqinj të Serbisë dhe në arritjen e zbatimin e marrëveshjes së 19 prillit që synon të rregullojë marrëdhëniet e komplikuara mes dy shteteve tona, që është pengesë e dukshme edhe në rrugën individuale të shteteve tona drejt anëtarësimit në BE, por edhe ushqen skepticizmin e disa shteteve ndaj Republikës së Kosovës”, tha Jahjaga në intervistën për Zërin e Amerikës.

Ajo tha se Kosova ka bërë përparim sa i përket krijimit të kushteve për organizimin e zgjedhjeve të para në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, zgjedhjeve lokale, përmes të cilave u krijuan kushtet për integrimin e komunitetit serb në strukturat institucionale dhe shoqërore të Kosovës.

“Përmes këtij procesi arritëm të ruajmë sovranitetin dhe integritetin tonë territorial dhe arritëm të krijojmë kushtet për të hapur një dialog të mirëfilltë brenda Kosovës me komunitetin serb që jeton në katër komunat veriore të Kosovës duke ju ofruar mundësinë që të jenë pjesëmarrës në ndërtimin dhe forcimin e shtetësisë tonë”.

“Beogradi, përmes strukturave ilegale në komunat veriore të Kosovës, ka mbajtur peng që një dekadë e gjysmë qytetarët serbë dhe zhvillimin në atë pjesë të vendit…. Veprimet e Beogradit i kanë shkaktuar dëm të konsiderueshëm stabilitetit të Kosovës duke e mbajtur në gjendje tensioni”.

Dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Jahjaga e konsideron si të vetmen mënyrë për të zgjidhur problemet e mbetura mes dy shteteve dhe assesi si një lojë me fitues dhe humbës.

Hidromorava

“Serbia mund të ketë fituar datë, por ajo me procesin e dialogut dhe marrëveshjen me Kosovën është kushtëzuar në çdo hap të rrugëtimit të saj drejt BE-së. Sa shpejt Serbia do të mbërrijë në BE do të varet nga zbatimi i marrëveshjes dhe nga normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën”.

“Dialogu është e vetmja mundësi për dy vendet tona që t’i zgjidhin çështjet e hapura dhe që kjo e arritur t’i kontribuojë normalizimit të marrëdhënieve si një parakusht për anëtarësim në BE… Duhet ta kuptojmë që si rajon duhet të angazhohemi që të dëshmojmë se kemi një pjekuri politike që na ndanë nga e kaluara jonë e hidhur. Se mësimet janë mësuar dhe vizioni për anëtarësim në BE është përvetësuar unanimisht”.

Sa i përket, bashkësisë së komunave serbe, Jahjaga thotë se ajo do të krijohet në pajtim me Ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

“Nuk do ta ketë asnjë kompetencë më pak e asnjë më shumë”, ka thënë ajo

“Ne duhet të kemi guxim, në duhet të kemi kurajo që t’i zgjidhim të gjitha çështjet e hapura që i kemi trashëguar qoftë nga lufta qoftë nga administrimi ndërkombëtar i Kosovës. Konflikti duhet të përfundojë sa më parë që është e mundur me shtetin fqinj të Serbisë dhe duhet të përmbyllet”, ka thënë ndër të tjera Jahjaga në intervistën për Zërin e Amerikës . /Telegrafi/