Jahjaga synon ta udhëheqë shtetin deri më 2016

Atifete Jahjaga i ka acaruar liderët politikë që e kanë bërë presidente, me shpërfaqjen e ambicieve për të qëndruar në krye të shtetit në mandat të plotë pesëvjeçar.
Në prill të vitit të kaluar ajo e ka marrë drejtimin e vendit për një periudhë transitore, duke pranuar të bëhet produkt i marrëveshjes Thaçi-Mustafa-Pacolli, që për synim kishte tejkalimin e ngërçit institucional në të cilin ishte futur shteti.
Por, pas 14 muajsh në Presidencë, Jahjaga ka vendosur ta shpërfillë këtë marrëveshje, duke e konsideruar shkurtimin e mandatit presidencial si antikushtetues, shkruan “Koha Ditore”.
Mospajtimin e ka shprehur me letër në Gjykatën Kushtetuese.
Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, i cili më 6 prill të vitit të kaluar e ka firmosur marrëveshjen për shkuarje në zgjedhje të parakohshme presidenciale dhe parlamentare, ka përkujtuar të shtunën se Jahjaga asokohe ishte pajtuar me qëndrimin e “trojkës” dhe se tash nuk ka arsye për të shprehur mospajtime.
Në një prononcim për “Kohën Ditore” ai ka paralajmëruar se LDK-ja nuk do të miratojë asnjë ndryshim në Kushtetutë, nëse ato nuk janë në harmoni me “marrëveshjen për tejkalimin e ngërçit politik”, e cila më pas është mbështetur me Rezolutë të Kuvendit të Kosovës.
Marrëveshja politike e “trojkës”, sipas tij, duhet të shndërrohet në normë kushtetuese, për faktin se vendi tash po futet në ndryshime kushtetuese, që në vete ngërthejnë edhe ndryshimin e zgjedhjes së presidentit të shtetit.
Insistues në respektim të asaj marrëveshjeje është shprehur edhe nënkryetari i AKR-së, Ibrahim Makolli.
“Nëse nuk respektohen marrëveshjet që janë shndërruar në vendime të Kuvendit, atëherë shtrohet pyetja ku po shkojmë ne si shtet”, është shprehur Makolli.
Njëjtë si Mustafa edhe ai ka rikujtuar se presidentja Jahjaga ka qenë pjesë e marrëveshjeve për emërimin e saj në krye të shtetit.
Presidentja Jahjaga muaj më parë, teksa ka dhënë shpjegime se si ka ardhur në krye të shtetit, ka pranuar se është produkt i marrëveshjes politike, por jo edhe palë në të.
“Në asnjë rast unë nuk jam dhe nuk do të jem pengesë për çfarëdo marrëveshje, sidomos për marrëveshjet që i arrin faktori politik dhe që çojnë vendin përpara. Nuk jam palë e marrëveshjes, por jam rezultat i marrëveshjes dhe e tillë do të mbetem”, ka thënë Jahjaga më 7 prill, në njëvjetorin e saj në krye të shtetit.
Në fakt, ajo nuk ka vënë firmë në marrëveshjen që ka bërë Thaçi, Mustafa dhe Pacolli.
Dy muaj më parë ajo ka ndryshuar mendjen. Burime brenda Gjykatës Kushtetuese kanë konfirmuar se Jahjaga nuk është pajtuar me amendamentin 10, që është në pakon e ndryshimeve kushtetuese, e që në mënyrë eksplicite parasheh shkurtimin e mandatit presidencial.
Kryetari i Komisionit për ndryshimin kushtetues, Arsim Bajrami, nuk është pajtuar me konstatimin se “shkurtimi i mandatit”, bie ndesh me Kushtetutën e Kosovës.
Megjithatë, ai e ka parë të udhës të qartësojë për opnionin se amendamenti 10 nuk ka qenë i Komisionit, por ka qenë propozim i autorëve të memorandumit me të cilin është tejkaluar ngërçi politik.
Në PDK, partinë që ka qenë pjesë e marrëveshjes janë mbyllur për media. Zëdhënësi, Blerand Stavileci nuk është treguar i gatshëm t’i përgjigjet thirrjeve të gazetës, ndërsa njëjtë ka vepruar edhe nënkryetari i partisë, Hajredin Kuçi.
Ndërkaq, sekretari i përgjithshëm i PDK-së, që njëherësh edhe kryetar i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi qysh herët nuk është pajtuar që shkurtimi i mandatit të presidentes të kërkohej me Kushtetutë. /Telegrafi/