Jahjaga rrezikon reformën kushtetuese!

/ 2 minuta lexim

Prishtinë – Dëshira e presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, që me çdo kusht të mbesë në kolltukun e të parës së vendit, mund t’u kushtojë shtrenjtë qytetarëve dhe institucioneve kosovare.

Pretendimet e saj për të qëndruar pesë vjet në Presidencën e Kosovës, mund ta rrezikojë tërë punën që është bërë për reformën kushtetuese dhe zgjedhore.

Deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës janë deklaruar haptazi se nëse Gjykata Kushtetuese e hedh poshtë amendamentin e dhjetë të Kushtetutës, i cili e përcakton se mandati i Jahjagës përfundon gjashtë muaj pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës së amendamentuar, atëherë LDK-ja nuk do t’i votojë amendamentet tjera, me ç’rast reforma kushtetuese do të rikthehet në pikën zero.

Mobi Casa

Pos LDK-së, të njëjtën gjë do ta bëjnë edhe deputetët e Vetëvendosjes. Vota e tyre do të shkojë kundër amendamenteve për shkak se, sipas tyre, presidenti i ardhshëm do të duhej të zgjidhej në kuvend, sikurse që janë zgjedhur deri më tani, dhe jo me votat e drejtpërdrejta të qytetarëve.

Por, pavarësisht se Kosovës i kanoset rreziku që reforma kushtetuese të dështojë falë dëshirës së Jahjagës për të mbetur presidente, zyrtarët e Presidencës nuk janë në gjendje të deklarohen për këtë çështje.

I kontaktuar nga gazeta, Arbër Vllahiu, këshilltar për medie i presidentes Jahjaga, ka thënë se nuk komenton asgjë meqenëse Gjykata Kushtetuese ende nuk e ka kryer procedurën e saj në raport me amendamentet dhe nuk ka marrë ndonjë vendim.(Zeri)