Jahjaga: Policia, institucioni më i besueshëm në vend
Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga mbajti sot një fjalë në konferencën “Sfidat e Qeverisjes”, në Shkollën Blavatnik të Universitetit Oxford në Britaninë e Madhe.
Konferenca me temën “Qytetarët, pushteti, politika” zgjat dy ditë. Presidentja Jahjaga mbajti fjalën në temën ”Policia gjithëpërfshirëse”, ku dha përgjigje në disa pyetje të pjesëmarrësve për zhvillimet në Kosovë.
Presidentja Jahjaga tha se Policia e Kosovës ishte një nga institucionet e para të themeluara në vend, ishte më rëndësi që të tregonte shembull duke rekrutuar numrin më të madh të femrave në këtë shërbim.
Ajo shtoi se themelet e një strategjie të suksesshme policore e cila i ka sjellë benefite popullit të Kosovës dhe ka shndërruar Policinë e Kosovës në një nga institucionet më të besueshme në vend janë ngulitur thellë në lidhjet në mes të policisë dhe komunitetit si tërësi dhe në kuptimin e faktit se policët janë aty për t`i mbrojtur liritë e tyre dhe për ruajtjen e paqes.
“Siguria të cilën forca e policisë ishte në gjendje ta ofrojë krijoi kushtet e nevojshme për pajtim në mes të komuniteteve të antagonizuara. Kosova është e vendosur të qëndrojë fuqishëm mbi këto parime të përfshirjes. Ne jemi të dedikuar ta mbrojmë traditën tonë të gjatë të multikulturalizmit dhe tolerancës fetare. Jemi të palëkundshëm në dhënien e të drejtave, mundësive dhe përgjegjësive të barabarta secilit qytetar. Dhe jemi të vendosur që të krijojmë një shtet në të cilin meshkujt dhe femrat kanë mundësi që ta realizojnë potencialin e tyre të plotë. Vetëm atëherë mund të jemi të sigurt se e kemi vendosur Kosovën – e kjo vlen për secilin shtet – në rrugë të mbarë të zhvillimit dhe përparimit”, ka thënë presidentja Jahjaga.


