Jahjaga për ngërçin politik: Do të veproj kur të kërkohet intervenimi im
Presidentja Atifete Jahjaga ka kërkuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që të gjejnë vet zgjidhjen për formimin e institucioneve. Ndërsa ka thënë se ajo si Presidente do të veprojë kur kërkohet.
Gjatë qëndrimit të sotëm në Pejë, Jahjaga ka vizituar Qendrën e turizmit dhe Patrikanën e Pejës, në kuadër të projektit për zhvillimin e trashëgimisë.
Duke komentuar rreth zhvillimeve politike dhe rolin e presidentes në këtë proces, ajo ka deklaruar se zgjidhja e këtij procesi gjendet në Kuvendin e Kosovës, porse sikur deri më tash as në këtë rast roli i presidentit nuk do të mungojë aty ku do të jetë e nevojshme.
“Unë deri më tash si gjithmonë kam ushtruar rolin tim kushtetues dhe ligjor. Unë inkurajojë deputetët e Parlamentit të gjejnë zgjidhje, zgjidhja është brenda Kuvendit të Kosovës. Unë do të veproj dhe intervenoj, siç kam vepruar gjithmonë, në momentin kur kërkohet intervenimi i Presidentes së vendit. Ftoj edhe njëherë deputetët dhe subjektet politike të veprojnë dhe gjejnë zgjidhje brenda Kuvendit dhe veprimet e tyre të jenë ashtu siç e kërkon Kushtetuta, vendimi i Gjykatës si dhe siç e meriton vet ky proces”, ka thënë Jahjaga para mediave.


