Jahjaga nuk përzihet

Analistët vendas thonë se Kushtetuta ia mundëson presidentes që të përfshihet në tejkalimin e ngërçit institucional, pasi ajo ka rol unifikues.
Presidentja e vendit, Atifete Jahjaga, vazhdon të ketë qasje indiferente mbi krizën politike, në këtë fazë.
Ndonëse gëzon autoritetin e saj kushtetues, që të paktën të japë një kontribut duke mbledhur liderët e partive politike në ndonjë takim, për të tentuar të afrojë qëndrimet diametralisht të kundërta të tyre, e para e shtetit nuk pritet të marrë ndonjë nismë.
Jahjaga, siç duket, mosmarrëveshjet ua ka lënë në dorë këtyre të fundit, duke mos dashur të involvohet në këtë bllokadë, e cila po e dëmton vendin.
Në prononcimin e tij, këshilltari i Jahjagës, Arber Vllahiu, përmes përgjigjes që i ka dhënë gazetës “Kosova Sot”, ka lënë të kuptohet se presidentja nuk e ka në plan që të ftojë liderët e partive politike për ndonjë takim, që ndoshta do të ishte i dobishëm në përafrimin e bashkëpunimit në mes të subjekteve politike. /kosovasot/