Konjufca: Po të mos ishte VV-ja në pushtet, veriu do të përfundonte në negociata
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka thënë se po të mos ishte Lëvizja Vetëvendosje në pushtet, veriu i Kosovës do të përfundonte në negociata, sidomos pas dorëheqjeve të serbëve nga institucionet kosovare, raporton Ekonomia Online.Kreu i Kuvendit ka thënë se Kosova i ka pasur dy opsione, shtrirjen e sovraniteti dhe integritetit në atë pjesë dhe dorëzimin.
Sipas tij, Kosova do të përfundonte shumë keq nëse pas dhunës, pas kushtëzimeve dhe pas imponimeve veriu i Kosovës do të përfundonte në negociata, duke theksuar se kjo nuk ka qenë opsion për Lëvizjen Vetëvendosje dhe për qeverisjen e saj.
“Juve ju kujtohet, ishte një bojkotim i orkestruar prej anës së policëve, kryetarëve të komunave edhe Kosova ishte para dy opsione. Unë jam i sigurt që po të kishte qenë opsioni i vjetër politik në Kosovë, do të kishim përfunduar në negociata, por kjo nuk ka qenë opsioni jonë, opsioni jonë është kushtetutshmëria me çdo kusht, qoftë edhe përmes përdorimit të organeve të sundimit të ligjit për të vendosur atje rendin dhe ligjin. Kosova do të përfundonte shumë keq nëse pas dhunës, pas kushtëzimeve dhe pas imponimeve, veriu i Kosovës do të përfundonte në negociata. Kjo nuk ka qenë opsion për Lëvizjen Vetëvendosje dhe për qeverisjen e Kosovës”, ka thënë Konjufca, teksa ka reaguar edhe ndaj konferencës për shtyp të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq për “masat” ndaj Kosovës.
Konjufca shtoi se kërkesat e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, janë në kundërshtim me Kushtetutën dhe diçka që nuk ekziston më.
Sipas tij, konferenca të tilla nuk i bëjnë përshtypje.“Tash Vuçiqi po tenton t’i ruaj ato, me i ruajt ato që nuk i ka më edhe faktikisht po kërcënon Republikën e Kosovës përmes konferencës së tij për shtyp, mirëpo ky është një kërcenim i cili me thënë të drejtën nuk na bën shumë përshtypje. Ne nuk frikësohemi, nuk shqetësohemi sepse në atë pjesë të vendit janë institucionet e Kosovës, janë institucionet e sigurisë, janë institucionet politike, janë komunat që funksionojnë edhe është shansa e humbur e qytetarëve që kanë mendime të tjera për me marr pjesë në procesin politik edhe me dashtë me qenë bashkëpjesëmarrës në procesin politik. Pas kësaj që ka ndodhur, vendi e ka marrë një drejtim të ri”, u shpreh Konjufca.
Sipas tij procesi i largimit të strukturave paralele ka qenë i domosdoshëm për konsolidimin e kushtetutshmërisë dhe shtetësisë së Kosovës dhe sovranitetit në veri.
“Të gjitha që i bëri janë në kundërshtim me Kushtetutën dhe diçka e cila nuk ekziston më. Pra strukturat paralele tash gradualisht janë hequr prej Kosovës, po vazhdon të hiqen edhe sot e kësaj dite kur po flasim, mirëpo ajo substanca e tyre tashmë është hequr, kanë mbetur edhe disa të tjera, mirëpo në vazhdimësi nuk kemi të ngutemi shumë, është në rrugë të mbarë ky proces edhe ky proces ka qenë i domosdoshëm për konsolidimin e kushtetutshmërisë dhe të shtetësisë së Kosovës. Ky është drejtimi ynë”, ka deklaruar Konjufca.
Me moton globale “Qeverisja efektive e inteligjencës artificiale në të gjitha nivelet”, Kuvendi i Kosovës nis shënimim e Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë.
Kryetari i Kuvendit të Kososovës, Glauk Konjufca tha se, shënimi i kësaj ditë është i rëndësishëm për ta theksuar rendësin e idealeve të lirisë, barazisë dhe drejtësisë, për ndërtimin e shoqërive gjithëpërfshirëse, krahas sulmeve dhe tendencave në rritje që ekzistojnë në kahen e kundërt për ta minuar dhe për ta sfiduar demokracinë.
Ai po ashtu tha se është e rëndësishme ta njohim progresin demokratik të deri tashëm, që e ka shënuar Kosova duke qëndruar paralelisht përkrah botës demokratike për ruajtjen e idealeve që përfaqëson demokracia sidomos në këtë kohë të sfidave të mëdha globale
“Demokracia mirëmbahet nëpërmjet angazhimit qytetarë, sepse pasqyron vlerat e aspiratat tona të përbashkëta. Është detyrë dhe obligim i secilit prej nesh që të jemi pjesëmarrës aktiv në vendimmarrje dhe avokojmë pa u ndalur për ndryshime pozitive”, tha Konjufca.
Sipas tij, zgjedhjet janë qenësore për demokracinë, zgjedhje të lira dhe të ndershme sepse siç tha ai përmes zgjedhjeve jetësohet më së miri vendimmarrja e qytetarëve.
Ai shtoi se Kosova do të mbajë zgjedhje në vitin 2025 dhe se rrjedhimit është legjislatura e parë që po e përmbyll mandatin e saj të plotë katërvjeçar.