Eko Higjiena

Jahjaga: Kosova përjetoj dy periudha të rënda, luftën dhe pasluftën

/ 7 minuta lexim
Uji Dea

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga gjatë një fjalimi në konferencën mbi transformimin e konfliktit në Akademinë Ushtarake në West Point, ka thënë se Kosova përjetoj dy periudha të rënda, luftën dhe pasluftën.

Jahjaga në fjalën e saj tha se tejkalimi kërkoi vendosmëri dhe dedikim nga secili, nga qytetarët e Kosovës, të cilët kishin vuajtur tejet shumë nën regjimin serb dhe të cilët fillimisht u mobilizuan rreth një rezistence qytetare të stilit të Gandit për t’u ballafaquar me aparteidin e viteve 1990, të pasuar me një mobilizim të mëvonshëm për të mbështetur Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, e cila luftoi për pavarësinë e Kosovës, dhe të cilët ishin cak i dhunës jonjerëzore dhe të paskrupullt të cilin forcat serbe e ushtruan mbi ta.

Ajo tha se ajo qëndron atje si një person, e ardhmja e të cilit është formuar nga konfliktet e shumta të shekullit 20, i fundit nga të cilët, ai i vitit 1999, më preku edhe mua, familjen time, vendin tim, në mënyrë të drejtpërdrejtë, i cili për shumë la pasoja tragjike.

“Ishte një konflikt i cili nuk kishte nevojë të ndodhte. Ky konflikt nuk duhej të ndodhte kurrë. Por ndodhi, sepse një diktator e kishte fuqinë që të mbjellë mosbesim dhe të krijojë frikë. Ai e kishte gabim, dhe u mund. Ne na mbetet të rindërtojmë, zhvillojmë, të përkujtojmë dhe mos t’i përsërisim gabimet e së kaluarës”, ka thënë Jahjaga.

Për Presidenten, të dyja këto periudha – lufta dhe paslufta – të historisë së vonshme të Kosovës, ishin të rënda.

“Tejkalimi kërkoi vendosmëri dhe dedikim nga secili – nga qytetarët e Kosovës, të cilët kishin vuajtur tejet shumë nën regjimin serb dhe të cilët fillimisht u mobilizuan rreth një rezistence qytetare të stilit të Gandit për t’u ballafaquar me aparteidine viteve 1990, të pasuar me një mobilizim të mëvonshëm për të mbështetur Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, e cila luftoi për pavarësinë e Kosovës, dhe të cilët ishin cak i dhunës jonjerëzore dhe të paskrupullt të cilin forcat serbe e ushtruan mbi ta”, ka thënë ajo.

Bashkësia ndërkombëtare, posaçërisht koalicioni i udhëhequr nga SHBA-të dhe shtetet anëtare të NATO-s, të bashkuar nën premtimin për të vepruar për parandalimin e përsëritjes së gjenocidit në Evropë, u ballafaquan me kërkesën për dislokimin e trupave dhe angazhim, si dhe me kritika në vendet e tyre respektive për involvim në një qosh shumë të largët të botës, ka thënë ajo.

“Ishte detyrë parësore që fillimisht të fitohej lufta në Kosovë dhe t’u jepej mundësia kosovarëve që të jetojnë në liri, dhe pastaj t’i lejohej Kosovës që të maturonte politikisht në mënyrë që çfarëdo konflikti i mëtutjeshëm të jetë i panevojshëm”.

Ajo ka folur edhe për vitet 1998 dhe 1999, kur, siç ka thënë, represioni serb në Kosovë kishte arritur kulmin, vrasjet ditore të civilëve ishin bërë normë dhe kampanja e pastrimit etnik e kishte zbrazur Kosovën – në më pak se dy muaj, pothuajse një milion refugjatë ishin shtyrë të largohen nga vendi, një angazhim nga ana e Serbisë që po ashtu të destabilizojë Maqedoninë dhe Shqipërinë.

Fundamenti

“Brenda Kosovës, në një kryqëzatë vrasjesh, forcat serbe me operacione derë më derë mblodhën meshkujt shqiptarë të të gjitha moshave që t’i ekzekutonin masovikisht. Familjet u ndanë. Shumë gra u dhunuan më qëllim që jo vetëm t’i çnjerëzonin por edhe që ky krim i hatashëm të përdoret si mjet lufte”.

“Ishte një pamje e tmerrshme. Pamje, të cilën bota, e cila po hynte në shekullin e 21-të me shpresë për përqafimin e vlerave demokratike nuk ishte e lejuar që ta tolerojë. Civilë të pafajshëm po vriteshin. Qëllimi përfundimtar kishte shumë pak rëndësi. Përdorimi i forcës për ta përfunduar këtë vuajtje të pamasë u bë i pashmangshëm”, ka thënë ajo.

Presidentja ka kujtuar se nën udhëheqjen e SHBA-së, NATO veproi me një vendim për të bombarduar caqet ushtarake dhe policore të Serbisë.

“Pas 78 ditë bombardimesh, intervenimi humanitar për ta përfunduar këtë episod të luftërave në Ballkan u përmbyll me sukses. Forcat serbe u tërhoqën nga Kosova, dhe Kosova u shndërrua në një protektorat të Kombeve të Bashkuara. Vende nga mbarë globi dërguan forcat e tyre tokësore për të mbajtur paqen e fituar rëndë në Kosovë dhe t’i krijojnë kushtet e nevojshme për ta drejtuar Kosovën drejtë ndërtimit të normalitetit dhe demokracisë. Refugjatët u rikthyen në shtëpitë e tyre vetëm për t’i gjetur ato në rrënoja. Kishte shumë lot dhe shumë hidhërim. Si pasojë e kaosit për shkak të një vakuumi sigurie, kishte edhe hakmarrje ndaj pakicës serbe, të cilat i detyruan ata të ikin, dhe prona e të cilëve u shkatërrua”.

Rindërtimi i dëmit material dhe dërrmimit shpirtëror të shkaktuar nga lufta kërkoi shumë kohë dhe durim, ka thënë më pas ajo.

“Në mes të shumë prioriteteve të ndryshme si dhe vullnetit të madh për ta arritur pavarësinë, ne duhej po ashtu t’i vendosnim themelet e shëndosha të institucioneve demokratike dhe të një ekonomie të tregut të lirë. Ne, së bashku me partnerët tanë ndërkombëtarë, duhej ta kthenim Kosovën nga lufta në paqe, nga autoritarizmi në demokraci, nga ekonomia e kontrolluar nga shteti në kapitalizëm. E tërë kjo duhej të bëhej në një ambiguitet politik, në të cilin Kosova nuk ishte shtet, siç e kërkonte shumica shqiptare, e as krahinë, siç thoshte Serbia”.

Prandaj Presidentja ka shtruar pyetjen, si e bëmë dhe çfarë mësuam gjatë këtij procesi?

“Përgjigja e parë është të ndërtohet demokracia – nëpërmes shoqërive të hapura të cilët i ndajnë informatat. Ku ka informatë, ka edhe dijeni. Ku ka debat, ka edhe zgjidhje. Kur nuk ka ndarje të forcës, mbizotërim të ligjit, përgjegjësi, ka keqpërdorim, korrupsion, nënshtrim dhe indinjatë. Ku nuk ka demokraci, ka diktaturë. Dhe kur ka diktaturë, ka edhe konflikt -posaçërisht në këtë periudhë tonën të ndërlidhur të globalizmit. E kemi parë jo vetëm në Kosovë, por po ashtu edhe në Egjipt dhe Siri – diktatorët sundojnë mbi një stabilitet fals i cili do t’i lëshojë rrugë dëshirës dhe të drejtës së pamohueshme të popullit për liri”, ka thënë ajo.

“Por kur arrin, demokracia është një zbulesë e vërtetë. Ajo është po ashtu komplekse. Duhet të mbahen zgjedhje, të krijohen politika, të jepen të drejta, të shqyrtohen ankesat dhe të ndërtohen institucione. Shpesh, njerëzit për herë të parë mund të flasin haptazi dhe lirë. Për shumë, është çliruese, për të tjerët është zhgënjyese, kur e kuptojnë se demokracia nuk ua bën jetën më të mirë në një çast”, ka shtuar Jahjaga. /Telegrafi/

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Nëse e çaktivizoni këtë cookie, ne nuk do të jemi në gjendje t'i ruajmë preferencat tuaja.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.