Jahjaga bën thirrje për zgjidhje me dialog, e jo me dhunë

“Ne jemi në gjysmë të rrugës për të bërë shtetin. Paqja ndërtohet me mund dhe ajo nuk mund të humbet. Gjuha jonë është e dialogut dhe jo e dhunës. Ne duhet të bëjmë përpjekje për të gjetur zgjidhje pa prekur shtetin. Për sfidat politike do të na duhet që të gjithë të ulemi dhe të flasim dhe të gjejmë zgjidhje me gjuhën e dialogut”, tha Jahjaga.
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga duke folur në akademinë përkujtimore për masakrën e Reçakut, tha se Reçaku shënoi kthesën e madhe historike për Kosovën, duke shënuar bindjen e bashkësisë ndërkombëtare që ndërhyrja është e domosdoshme.
Sipas saj, Reçaku është fundi i një historie të dhunës dhe dëshmon sakrificën e madhe të gjeneratave të tëra.
Jahjaga tha se Reçaku është gurthemeli i shtetit të Kosovës dhe fundi i një epoke të rëndë hegjemoniste.
Po ashtu, Jahjaga duke përshëndetur ish-ambasadorin e OSBE-së në Kosovë, William Walker tha se Reçaku po ashtu është një rrëfim i pandarë i një miqësie të përjetshme me SHBA-të dhe një lidhje e fuqishme me Bashkimin Evropian.
Jahjaga gjatë fjalimit të saj në këtë akademi që po mbahet në Shtëpinë e Kulturës në Shtime nuk la pa përmendur edhe situatën politike në vend duke thënë se gjithçka duhet të zgjidhet me dialog e jo me dhunë.
“Është obligim i yni që ta përmbushim amanetin e dëshmorëve. Është zotim i të gjithëve për ta përmbushur vizionit tonë për shtet të pa korruptuar dhe të fortë ekonomikisht, tokë të premtuar dhe të zhvilluar dhe të përparuar pa pasur nevojë që këtë ta kërkojmë diku tjetër”, tha Jahjaga.
Ajo tha se zhvillimi i vendit varet nga populli i Kosovës, ndërsa kërkoi që dallimet politike të mos bëhen dallime armiqësore.
“Ne jemi në gjysmë të rrugës për të bërë shtetin. Paqja ndërtohet me mund dhe ajo nuk mund të humbet. Gjuha jonë është e dialogut dhe jo e dhunës. Ne duhet të bëjmë përpjekje për të gjetur zgjidhje pa prekur shtetin. Për sfidat politike do të na duhet që të gjithë të ulemi dhe të flasim dhe të gjejmë zgjidhje me gjuhën e dialogut”, tha Jahjaga.
Në akademinë përkujtimore që po mbahet në Shtime po marrin pjesë edhe krerë tjerë të shtetit, familjarë të dëshmorëve dhe personalitete tjera./telegrafi/