Hidromorava

Jacobson: SHBA krenare që kanë Kosovën vend mik

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Prishtinë – Ambasadorja e re e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Tracey Ann Jacobson, ia dorëzoi sot letrat kredenciale presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë krenare që kanë Kosovën një vend mik, ka thënë në Prishtinë, ambasadorja e re amerikane, Tracey Jacobson.

Këto komente ajo i bëri në gjuhën shqipe dhe atë serbe, pas dorëzimit të letrave kredenciale te presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga

Pas takimit, presidentja Jahjaga dha një deklaratë për media, me ç’rast ajo shfaqi bindjen

se zonja Ann Jakobson do të vazhdojë punën e mirë që e bënë të gjithë ambasadorët dhe përfaqësuesit diplomatikë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë.

Për Republikën e Kosovës zhvillimi i marrëdhënieve shumë të mira dhe miqësia e përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është qenësore në zhvillimin tonë si shoqëri dhe si shtet demokratik i të gjithë qytetarëve të barabartë, pa dallim, u shpreh presidentja Jahjaga.

Përkrahja dhe ndihma e vazhdueshme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës vlerësohet lartë nga populli ynë në rrugën tonë të çlirimit, të pavarësimit dhe të shtetndërtimit, si zgjidhje e drejtë që sot Republika e Kosovës shtet sovran dhe i pavarur me sovranitetin dhe integritetin e garantuar është faktor paqeje dhe stabiliteti, që zhvillon marrëdhënie të mira fqinjësore dhe bilaterale me shumë shtete të cilat tashmë e kanë njohur pavarësinë e vendit.

Edhe me këtë rast dëshiroj të theksoj se Republika e Kosovës, si shtet demokratik i të gjithë qytetarëve të saj të lirë dhe të barabartë, pa dallim përkatësie etnike e fetare, është e sigurt në rrugën e saj të integrimeve euroatlantike dhe Bashkimi Evropian po jep një kontribut shumë të rëndësishëm që vendi ynë t’i plotësojë të gjitha obligimet e veta dhe t’i arrijë të gjitha standardet që me sukses të kapërcejë të gjitha fazat deri në anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian dhe në NATO.

Për vendin tonë krahas zhvillimit ekonomik dhe përparimit të përgjithshëm dhe sistemit të mirë të arsimimit, të shëndetësisë dhe të fushave të tjera është shumë domethënëse që në kuadër të avancimit të proceseve demokratike të sundimit të plotë të ligjit dhe të rendit të kemi rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit dhe të krimit të organizuar. Në këto procese jemi të gjithë bashkë kemi vullnetin dhe përkushtimin dhe kemi përkrahjen e të gjithë popullit dhe gjithsesi do të kemi sukses, tha në vazhdim ajo.

Fundamenti

Ambasadorja Jacobson me këtë rast vlerësoi se Kosova ka arritur përparime të jashtëzakonshme që nga shpallja e pavarësisë së saj.

“Jam e bindur që duke punuar së bashku në partneritet, udhëheqësit e Kosovës mund të çojnë përpara sundimin e ligjit dhe të ndërtojnë një themel të fuqishëm për një të ardhme të begatshme, stabile e demokratike”, ka theksuar Jacobson.

Gjatë kohës së shkurtër në Kosovë, ajo tha se ka vërejtur shumë përparime pozitive

Jacobson para se të vijë në Kosovë, ka qenë ambasadore në Turkmenistan dhe në Taxhikistan.

Ajo është një diplomate karriere nga Shërbimi i Lartë Diplomatik dhe se së fundmi ka shërbyer si zëvendësdrejtoreshë e Institutit për Shërbim të Jashtëm (FSI).

Jacobson ka shërbyer gjithashtu si zëvendëssekretare ekzekutive në Këshillin Kombëtar të Sigurisë, ndërsa ka punuar si diplomate në Seul të Koresë Jugore, Moskë të Rusisë, e të tjera.

Ajo ka mësuar gjuhët shqipe, serbe, franceze, ruse, spanjolle, koreane, dhe taxhike. Është e martuar me David Bau, pjesëtar i shërbimit diplomatik britanik.

Jacobson zëvendëson ambasadorin e deritashëm, Christopher Dell. (koha)