RCCOLA

Jacobson: Proces i rëndësishëm zgjedhor për Kosovën

/ 2 minuta lexim
Mobi Casa

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Tracey Ann Jacobson, ka thënë se procesi i sotëm zgjedhor në Kosovë është shumë i rëndësishëm.

“Është proces i rëndësishëm. Kosova bëri një punë të mirë më 3 nëntor, njësoj siç ndodhi edhe në votimet e 17 nëntorit në Mitrovicën veriore. Kështu që është e rëndësishme ta shfrytëzojmë këtë momentum, në mënyrë që votuesit të dalin edhe në rrethin e dytë dhe të votojnë, kurse partitë politike të sigurohen që e gjithë puna të jetë në harmoni me ligjin. Ndërkaq, policia dhe prokurorët të tregohen të gatshëm të reagojnë ndaj të gjitha parregullsive, sikurse edhe mediat që të raportojnë drejt”, ka thënë Jacobson derisa ka vizituar njërën nga qendrat e votimit në Prishtinë në shkollën fillore Faik Konica.

KKVITI

Ajo ka theksuar se nga ambasada amerikane do të jenë dy ekipe që do të vizitojnë qendrat e votimit edhe në veri të Mitrovicës, kurse vetë ka thënë se nuk planifikon të shkojë atje, porse do të ketë një agjendë të ngjeshur me vizita nëpër qendra të ndryshme votimi nëpër Kosovë.

“Kam kënaqësinë që unë mund të luaj rolin tim, duke qenë vëzhguese sot. Sapo ka filluar dhe është ende herët, por unë planifikoj të udhëtoj nëpër komuna të ndryshme dhe të vizitoj qendrat e votimit. Njësoj do të veprojnë edhe njerëz tjerë nga stafi i ambasadës amerikane, si dhe ata të vendeve evropiane, ekipe vendase e ndërkombëtare”, ka thënë Jacobson. /rel/