Ja pse shtoni në peshë nga mosngrënia e mëngjesit

Në një përpjekje për të humbur peshë, disa njerëz nuk konsumojnë njërin prej vakteve të ditës që cilësohet ndër më të rëndësishmit: vaktin e mëngjesit.
Mosngrënia e ushqimit, veçanërisht në mëngjes, në fakt ua bën edhe më të vështirë kontrollin mbi peshën tuaj. Ata që anashkalojnë mëngjesin priren të konsumojnë ushqim më shumë se zakonisht gjatë një vakti tjetër, ose bien në lakun e Mengjesiushqimeve të shpejta duke konsumuar të njëjtën sasi kalorish për të larguar urinë.
Studimet mbi mënyrën e të ushqyerit dhe dietat sugjerojnë se disa njerëz priren të shtojnë në peshë ndërsa konsumojnë më pak vakte dhe sasi më të mëdha ushqimi sesa kur ata konsumojnë të njëjtin numër kalorish në disa vakte të lehta përgjatë ditës.
Pse është i rëndësishëm për fëmijët
Ndërsa të rriturit duhet të hanë mëngjes çdo ditë për të përmirësuar funksionimin e metabolizmit, fëmijët kanë akoma më shumë nevojë për vaktin e mëngjesit. Trupat e tyre në rritje dhe truri në zhvillim kanë nevojë të furnizohen sa më shpesh me ushqim të shëndetshëm. Nëse fëmijët anashkalojnë mëngjesin, ata nuk po marrin çfarë u nevojitet. Ushqyerja e tyre me një vakt të pasur bën që truri dhe trupi i tyre të jetë më efektiv në çdo aktivitet të ditës.
Në mënyrë interesante, studimet tregojnë se fëmijët të cilët nuk i kushtojnë kujdes vaktit të mëngjesit, vonohen dhe mungojnë në shkollë më shumë se fëmijët të cilët hanë rregullisht mëngjes. Përgatitja e një mëngjesi të mirë mund të jetë po aq e lehtë sa kombinimi i shpejtë i qumështit me drithërat ose një smoothie (përzierje kremoze frutash dhe perimesh).
Ju gjithashtu mund ta përgatisni dhe paketoni ushqimin e fëmijëve gjatë mbrëmjes me qëllim që të jetë gati edhe për t’u marrë me vete në shkollë. (QSUT)