Eko Higjiena

Izeir Hyda, mësuesi që nuk u pensionua kurrë nga misioni i dijes

/ 6 minuta lexim
KKVITI

Gjilan – Ka njerëz që dalin në pension nga profesioni, por kurrë nga misioni. Izeir Hyda është njëri prej tyre. Një emër që nuk lidhet vetëm me klasën dhe librin, por me guximin qytetar, përkushtimin njerëzor dhe dashurinë e pakushtëzuar për arsimin shqip. Jeta dhe vepra e tij janë dëshmi se mësuesia nuk është thjesht profesion, por akt i vazhdueshëm sakrifice dhe ndërgjegjeje kombëtare.

Izeir Hyda, intelektuali që e ktheu dijen në shërbim të vendlindjes

Izeir Hyda është një prej atyre intelektualëve që nuk e kanë kuptuar dijen si privilegj personal, por si përgjegjësi shoqërore. Një personalitet me formim të thellë akademik dhe me ndjeshmëri të lartë kulturore, ai ka ndërtuar një profil të fuqishëm intelektual, duke ia kushtuar një pjesë të konsiderueshme të veprimtarisë së tij studimore dhe krijuese vendlindjes së tij, Pogragjës.

Me përkushtim të rrallë, Izeir Hyda ka hulumtuar, dokumentuar dhe shkruar për çdo element me rëndësi historike dhe kulturore të këtij fshati. Nga toponimet e vjetra, te trashëgimia e pasur shpirtërore e materiale, e deri te të dhënat e detajuara për kalanë e Pogragjës, ai ka ndërtuar një arkiv të çmuar kujtese, duke ruajtur identitetin lokal nga harresa dhe duke ia dhënë atë brezave të sotëm dhe të ardhshëm.

Edhe pse në pension, Izeir Hyda nuk e njohu kurrë qetësinë e tërheqjes. Përkundrazi, ai vazhdoi të lëvizë, të punojë dhe të kontribuojë, duke ofruar dije nga fusha e studimeve dhe shkencave shoqërore, gjithmonë me qëllimin për ta pasuruar mendimin kritik dhe vetëdijen kolektive. Për të, pensionimi nuk ishte fundi i angazhimit, por një fazë e re e shërbimit intelektual.

Izeir Hyda është një kalibër që duhet vlerësuar, sepse puna e tij nuk i përket vetëm një kohe apo një gjenerate. Ajo është e dobishme për çdo brez që kërkon të njohë rrënjët e veta, të kuptojë të kaluarën dhe të ndërtojë të ardhmen mbi themele të qëndrueshme kulturore e historike.

Figura të tilla janë pasuri shoqërore. Janë dëshmi se kur dija bashkohet me dashurinë për vendin, ajo shndërrohet në trashëgimi. Dhe trashëgimia e Izeir Hydës është një thirrje e qartë: të punojmë, të ruajmë dhe të mos harrojmë.

I lindur më 4 prill 1956 në fshatin Pogragjë, Izeir Hyda hapat e parë të dijes i hodhi në vendlindje. Shkollën e Mesme Teknike, dega e Makinerisë, e përfundoi me sukses të shkëlqyeshëm në Gjilan (1971-1975), duke u shquar qysh herët për angazhimin e tij në jetën kulturore dhe sportive të shkollës, si dhe në aktivitetet rinore të fshatit.

Rrugëtimi i tij akademik vazhdoi fillimisht në studimet e ekonomisë, për t’u përmbyllur me diplomimin në Letërsi dhe Gjuhë Shqipe në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, ku fitoi titullin profesor, një thirrje që do ta ushtronte me dinjitet dhe përkushtim deri në ditën e fundit të punës.

Në vitin 1980, u martua me Nazmijen nga Malisheva e Gjilanit, me të cilën krijoi një familje shembullore dhe rriti tre fëmijë të shkolluar: Besianën, Blertën dhe Betimin. Po atë vit, në vitin shkollor 1979/80, nisi punën në arsim në Shkollën Fillore “Liria” në Pogragjë, aty ku fjala e mësuesit merrte kuptim të plotë.

Hidromorava

Në prill të vitit 1980 u dërgua në shërbimin ushtarak të ish-RSFJ-së në Zarë të Kroacisë. Pas kthimit, për shkak të bindjeve dhe aktivitetit të tij politik, angazhimit në grupet marksiste-leniniste dhe kërkesës së hapur Kosova-Republikë, u përjashtua nga procesi edukativo-arsimor për tri vjet rresht. Megjithëse nuk kishte asnjë provë për ta burgosur, pushteti i atëhershëm e ndëshkoi me heshtje dhe largim nga profesioni, një periudhë e rëndë, por që nuk e theu asnjëherë shpirtin e tij arsimdashës.

Pas tri vjetësh, u rikthye në arsim në vendlindje, duke u shndërruar në një nga figurat më aktive të jetës shoqërore të Pogragjës. Në fund të viteve ’80 dhe gjatë dekadës së fundit të shekullit XX, ishte i angazhuar fuqishëm në jetën politike të pluralizmit, veçanërisht në kuadër të LDK-së, duke kontribuar në proceset demokratike të kohës.

Pas luftës, vazhdoi misionin e tij arsimor në ShMU “Musa Zajmi”, për të vijuar në ShMU “Abaz Ajeti” dhe së fundmi në ShMU “Sadulla Brestovci”. Në çdo institucion ku punoi, Izeir Hyda u dallua si arsimtar i respektuar, i dashur për nxënësit dhe korrekt ndaj kolegëve, duke ndërtuar raporte profesionale e njerëzore të qëndrueshme.

Ai ishte bartës i të gjitha aktiviteteve kulturore, letrare dhe artistike në shkollat ku shërbeu, si dhe udhëheqës i programeve shkollore. Gjatë punës në ShFMU “Musa Zajmi”, për tri vjet radhazi ishte përgjegjës i projektit “Teatri në shkollat fillore”, i organizuar dhe i mbikëqyrur nga Teatri ODA i Prishtinës.

Me nxënësit e tij përgatiti disa emisione për programin “Libri i hapur”, të transmetuara në RTK, ndërsa në kuizin “1, 2, 3” të RTK-së, nxënësit e ShMU “Sadulla Brestovci” nën udhëheqjen e tij fituan vendin e parë në nivel Kosove.

Kontributi i tij shtrihet edhe në fushën e muzikës për fëmijë. Së bashku me artisten Arta Haziri, ishte iniciator i themelimit të Festivalit të Muzikës për Fëmijë “Mollëkuqet”, i cili më vonë arriti famë ndërkombëtare. Gjashtë herë me radhë ishte anëtar i jurisë profesionale, duke vlerësuar tekstet më të mira të këngëve për fëmijë.

Si punëtor i palodhur dhe edukator me vizion, Izeir Hyda përmbylli me sukses një karrierë të gjatë dhe të ndritur në arsim, duke u pensionuar më 4 prill të këtij viti. Por trashëgimia e tij mbetet e gjallë, në dijen e nxënësve, në skenat kulturore, në tekstet e këngëve dhe në kujtesën kolektive të një brezi të tërë.

Sepse mësues si ai nuk dalin kurrë në pension nga kujtesa e shoqërisë./rajonipress/