Eko Higjiena

Italia si model

/ 5 minuta lexim
17shkurt

Ministri i Kulturës, Memli Krasniqi, u prit në Romë nga Ministri për Trashëgimi dhe Aktivitete Kulturore, Lorenzo Ornaghi. Të dy ministrat biseduan rreth bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në fushën e kulturës dhe të trashëgimisë.

Ministri Krasniqi tha se Italia është një nga modelet më të mira për Kosovën në angazhimet për ruajtje dhe promovim të diversitetit kulturor, ndërsa ministri italian u shpreh i gatshëm ta mbështesë MKRS-në në ngritjen e kapaciteteve në administratë dhe rritjen e efikasitetit dhe punës profesionale.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi ka nisur një vizitë zyrtare në Itali, me ç’rast është pritur nga Ministri i Trashëgimisë dhe Aktiviteteve Kulturore i Italisë, Lorenzo Ornaghi.

Bashkëpunimi mes dy vendeve në fushën e kulturës dhe trashëgimisë, me saktë konkretizimi i tij përmes një marrëveshje ndërshtetërore, ka qenë temë kryesore e takimit mes dy ministrave. Përmes një komunikate për media, të dërguar nga Ministria e Kulturës, bëhet e ditur se ministri Krasniqi ka biseduar me homologun e tij italian lidhur me trashëgiminë kulturore, një segment ku Italia ka dhënë një kontribut të çmuar, në funksion të konservimit dhe restaurimit të monumenteve, ruajtjes dhe promovimit të tyre, asistencë në ngritje të kapaciteteve dhe në hartimin e infrastrukturës ligjore konform konventave ndërkombëtare për trashëgiminë.

“Italia ka qenë dhe është një nga modelet më të mira për Kosovën në angazhimet që kanë qenë dhe po bëhen për ruajtje dhe promovim të diversitetit kulturor”, tha ministri Krasniqi. Ai u shpreh mjaftë i kënaqur që bashkëpunimi mes Kosovës dhe Italisë në vazhdimësi është rritur në shumë sfera, sidomos në sferën e kulturës dhe trashëgimisë, dhe me këtë rast ai shfaqi nevojën që të thellohet bashkëpunimi në këto dy rrafshe. Ministri shfaqi përkushtimin e tij për të konkretizuar hapat e bashkëpunimit me një marrëveshje ndërshtetërore. Një nga pikat e rëndësishme të bashkëpunimit, sipas ministrit Krasniqi, do të ishte kinematografia, ku u diskutuan forma të ndryshme të bashkëpunimit, që qojnë drejtë realizimit të aktiviteteve të përbashkëta në këtë fushë.

Ai gjithashtu e ka njoftuar homologun e tij me të arriturat dhe sfidat që ka Kosova në kulturë dhe trashëgimi.

Eco Higjiena

Ai përmendi se artistët tashmë kanë mbështetje dhe hapësirë më të madhe për të shfaqur idetë dhe krijimtarinë e tyre. Teatri dhe filmi kosovar, sipas ministrit Krasniqi, kanë arritur që të kenë një promovim të mirë në gjithë botën, e po ashtu, sipas tij, Kosova ka një numër të konsiderueshëm të festivaleve të filmit, ku marrin pjesë krijues dhe performues të njohur nga e gjithë bota.

Ministri shtoi se ka ende sfida në këtë aspekt dhe me këtë rast përmendi nevojën që Evropa të hapë edhe më shumë dyert për artistët nga Kosova.

Duke folur për trashëgiminë kulturore, ministri Krasniqi tha se ajo është një prioritet për Kosovën dhe shtoi se po bëhen përpjekje që të ketë progres gjithherë e më të madh. Ai përmendi investime milionëshe që janë bërë nga shteti, në bashkëpunim me donatorë të ndryshëm, mes të cilëve edhe Qeveria italiane, për restaurim të monumenteve, promovim të trashëgimisë dhe hartimin e një bazë të mirë ligjore për këtë fushë. Ai tha se Kosova ka një trashëgimi mjaft të pasur dhe diversiteti i saj është një vlerë unike. “Mesazhi që vazhdimisht ne kemi përcjellë dhe po përcjellim tek të gjithë qytetarët është që trashëgiminë kulturore ta shohin si një pikë bashkimi mes tyre, si një vlerë të përbashkët, dhe për më tepër si një nga vlerat tona më të forta për të cilën të gjithë duhet të ndihemi krenarë”, tha ministri. Në këtë pikë, sipas tij, edhe mekanizmat ndërkombëtarë për mbrojtje dhe promovim të trashëgimisë botërore, siç është UNESCO, duhet të thyejnë izolimin dhe të vendosin një komunikim zyrtar me Kosovën. Ai më këtë rast kërkoi nga ministri italian Ornaghi që Italia ta ndihmojë Kosovën në këtë drejtim, por edhe në krijimin e mundësive që Kosova të jetë pjesë e barabartë e nismave rajonale dhe evropiane.

Duke i uruar mirëseardhje ministrit Krasniqi, Ministri i Trashëgimisë dhe Aktiviteteve Kulturore të Italisë, Lorenzo Ornaghi vlerësoi se Kosova ka bërë progres të madh në ndërtimin e institucioneve dhe një shoqërie demokratike. Ai përgëzoi ministrin Krasniqi për të arriturat në trashëgimi dhe kulturë, duke thënë se Italia ka qenë dhe do të jetë një mbështetëse e madhe në këtë drejtim. Ai e vlerësoi të rëndësishme konkretizimin e bashkëpunimit mes dy vendeve në të dy fushat, kulturë dhe trashëgimi. Ministri Ornaghi shtoi se Italia do të jetë përherë e gatshme që të ofrojë ekspertizën më të mirë në menaxhimin e të dy këtyre fushave, duke u shprehur i gatshëm që ministria që ai drejton të mbështesë MKRS-në në ngritjen e kapaciteteve në administratë dhe rritjen e efikasitetit dhe punës profesionale.

Të dy ministrat u pajtuan që të vazhdojnë të kenë një komunikim edhe më të shpeshtë më qëllim të thëllimit dhe konkretizimit të bashkëpunimit.