Eko Higjiena

Ismet Halili, figurë kyçe e zhvillimit profesional, urban dhe institucional të Gjilanit

/ 5 minuta lexim
FIDANISHTJA

Gjilan – Zhvillimi institucional, urban dhe ekonomik i një qyteti nuk është produkt i rastësisë, por rezultat i vizionit, dijes profesionale dhe integritetit të individëve që në periudha kyçe historike kanë ditur të ndërtojnë struktura të qëndrueshme dhe funksionale. Gjilani, në dekadat më të ndjeshme të konsolidimit të tij modern, ka pasur fatin të udhëhiqet dhe të shërbehet nga kuadro me formim të lartë profesional dhe përgjegjësi publike, ndër të cilët spikat në mënyrë të veçantë Ismet Halili. Kontributi i tij shumëdimensionale në fushën e gjeodezisë, planifikimit urban, administrimit pronësor-juridik dhe qeverisjes komunale, përbën një bazë të fortë mbi të cilën është ndërtuar një pjesë e rëndësishme e zhvillimit bashkëkohor të Gjilanit.

Ismet Halili përfaqëson njërën nga figurat më të spikatura të zhvillimit profesional, urbanistik dhe institucional të Gjilanit në gjysmën e dytë të shekullit XX. Mungesa e përfshirjes së tij dhe e kuadrove të ngjashme me përvojë, dije dhe integritet profesional në proceset aktuale vendimmarrëse komunale, paraqet një hendikep serioz për zhvillimin e qëndrueshëm të qytetit.

Në rrethana të vështira politike dhe shoqërore, kur Kosova përballej me mungesë të theksuar të kuadrove profesionale shqiptare, Ismet Halili, i lindur në Gadish të Gjilanit, shfaqi qysh herët vizion dhe vullnet për t’iu përkushtuar profesionit të ndërtimit. Në moshën 15-vjeçare u regjistrua në Shkollën e Mesme Teknike, drejtimi i Ndërtimtarisë në Prizren, të cilën e përfundoi me sukses të lartë, duke fituar titullin teknik i ndërtimit.

Vendosmëria dhe ambicia profesionale e shtynë të vazhdojë studimet universitare në Fakultetin e Gjeodezisë në Beograd, të cilat i përfundoi në afat. Ky sukses përbënte jo vetëm arritje personale, por edhe krenari për familjen dhe mjedisin shoqëror.

Në vitin 1968 u punësua në Drejtorinë për Gjeodezi dhe Kadastër të Gjilanit, ndërsa paralelisht dha kontribut edhe në fushën e arsimit profesional, si profesor në shkollën e ndërtimit. Ai ishte ndër kuadrot që kontribuan drejtpërdrejt në konsolidimin e arsimit dhe administratës në gjuhën shqipe pas demonstratave të vitit 1968 dhe në periudhën e reformave kushtetuese.

Në vitin 1974, Ismet Halili u emërua kryeshef i Sekretariatit për Marrëdhënie Pronësore-Juridike, Kadastër dhe Gjeodezi. Gjatë kësaj periudhe u realizua procesi intensiv i krijimit të kadastrës rurale përmes metodës aerofotogrametrike, një reformë thelbësore për zhvillimin ekonomik, urbanistik dhe juridik të komunës. Kjo drejtori trajtonte çështje kyçe pronësore, përfshirë eksproprijimet për projekte infrastrukturore dhe plane urbanistike.

Nën udhëheqjen e tij u punësuan dhe u formësuan dhjetëra kuadro profesionale të fushës së gjeodezisë, duke bërë që administrata kadastrale e Gjilanit të funksiononte plotësisht në gjuhën shqipe dhe me standarde profesionale të avancuara.

Më pas, Ismet Halili u emërua Sekretar i Bashkësisë së Interesit Vetëqeverisës për Banim dhe Rregullim të Tokës Ndërtimore, një drejtori që identifikohej drejtpërdrejt me zhvillimin urbanistik dhe infrastrukturor të qytetit. Në këtë periudhë u hartuan të gjitha planet kryesore urbanistike të Gjilanit, përfshirë Planin Hapësinor të Anamoravës dhe Planin Gjeneral të qytetit, si dhe u realizuan lagje model si Dardania I dhe II.

FIDANISHTJA

Zhvillimi i banimit kolektiv, ndërtimi i banesave sociale dhe kadrovike, si dhe zgjerimi i infrastrukturës urbane, e shndërruan Gjilanin në një qytet me rritje të shpejtë dhe planifikim funksional.

Në vitin 1985, për shkak të autoritetit profesional dhe aftësive të dëshmuara menaxheriale, Ismet Halili u avancua në pozitën e Kryetarit të Këshillit Ekzekutiv të Komunës së Gjilanit. Ai konsiderohet ndër udhëheqësit më të kompletuar të kohës, me formim të gjerë profesional (inxhinier i gjeodezisë dhe inxhinier i diplomuar i ndërtimit), njohuri të thelluara administrative, juridike dhe financiare.

Për arsye ideo-politike, Ismet Halili u diferencua nga funksionet udhëheqëse, një praktikë që më vonë u shtri masivisht në Kosovë. Pas kësaj, ai vazhdoi kontributin profesional në Drejtorinë e Rrugëve të Kosovës, si mbikëqyrës i projekteve infrastrukturore madhore.

Ismet Halili ishte përfaqësues i Kosovës në Lidhjen e Inxhinierëve dhe Gjeometrave të ish-Jugosllavisë, pjesëmarrës në kongrese profesionale vendore dhe ndërkombëtare, si dhe anëtar i komisioneve të ndryshme profesionale. Shoqata e Gjeodetëve të Kosovës e ka nderuar me mirënjohje për kontributin e tij në edukim dhe zhvillimin e kadastrës.

Edhe sot, Ismet Halili mbetet aktiv përmes shkrimeve dhe opinioneve profesionale e politike, duke komunikuar drejtpërdrejt me qytetarët.

Në këtë kontekst, vlerësohet se Ismet Halili duhet të përfshihet ndër personalitetet më të merituara të Gjilanit, përkatësisht të shpallet Qytetar Nderi i Gjilanit, si figurë që ka lënë gjurmë të qëndrueshme në zhvillimin institucional, urban dhe profesional të qytetit./rajonipress/