Ismajl Poneshi figurë e ndritshme e historisë, dekorohet nga Ilir Meta

Gjilan – Presidenti i Republikës Ilir Meta i ka ndarë Ismajl Shalës Poneshit “Dekoratën e artë e shqiponjës”, për kontributin e veçantë, si atdhetar me virtyte të larta e personalitet i shquar, i cili ia kushtoi gjithë jetën çështjes kombëtare”. Ismajl Poneshi padyshim mbetet njëri nga figurat më të ndritshme të pjesës historike që lidhet ndërmjet viteve 1941-1945. I rritur në një familje atdhetare e patriotike, Ismajl Poneshi do ta trasojë rrugën e të parëve të tij për tu shndërruar më pas në një figurë kombëtare, atdhetare, historike, meqë ishte pjesë e shumë zhvillimeve që ndodhën në rrethinën e Gjilanit.
Për kontributin e dhënë në aspektin kombëtar, atdhetar e patriotik Ismajl Shala i njohur si Ismajl Poneshi vitin e kaluar është dekoruar me Dekoratën e artë të shqiponjës nga presidenti i Republikës së Shqipërisë Ilir Meta.
Veprimtaria atdhetare e kombëtare e Ismajl Poneshit e treguar përmes dëshmitarëve të gjallë të kohës, përfshinë ngjarje e zhvillime vërtet interesante dhe të bujshme.
Mustafë Shala familjar i afërt thotë se është shumë krenar që veprimtaria e Ismajl Shalës është vlerësuar nga presidenti i shtetit shqiptar. “Për mua është një ndjenjë e pa përshkruar dhe një nderim i veçantë që i është bërë figurës patriotike të Ismajl Shalës” shprehet Mustafë Shala.
Ismajl Shala (Poneshi), është lindur më 1891 në Ponesh të Gjilanit, derisa ka vdekur në vitin 1957.
Ismajl Poneshi padyshim mbetet njëri nga figurat më të ndritshme të pjesës historike që lidhet ndërmjet viteve 1941-1945. I rritur në një familje atdhetare e patriotike, Ismajl Poneshi do ta trasojë rrugën e të parëve të tij për tu shndërruar më pas në një figurë kombëtare, atdhetare, historike, meqë ishte pjesë e shumë zhvillimeve që ndodhën në rrethinën e Gjilanit.
I njohur si Ismajl Poneshi, figura e tij e ndritur edhe sot rrëfehet në superlativ. Dëshmitarët e kohës, dëshmitarët e gjallë, librat arkivore, dokumentet historike dhe librat e shumtë që janë shkruar për luftën Nacionalçlirimtare, e përshkruajnë Ismajl Shalën Poneshin si një njeri të dashur, aktivist të palodhshëm të çështjes kombëtare, një përkrahës dhe adhurues i flakët i bashkimit të trojeve shqiptare.
I rritur dhe i edukuar nga frymëzimi kombëtar, Ismajl Poneshi do të arrestohet, burgoset e dënohet disa herë për aktivitetin e tij të treguar dhe në mbështetje të Fadil Hoxhës, Shaban Polluzhës, Hasan Alisë, Ramiz Cërrnicës e shumë bashkëveprimtarëve të tjerë të asaj kohe.
Guximi i Ismajl Shalës i njohur për dëshmitarët
Se ishte i guximshëm, i dashur, njeri i pushkës, e i luftës, e dëshmojnë edhe kohanikët e tij.
Nezir Shala ( 85 vjeçar), një bashkëvendës i Ismajlit thotë me shumë nostalgji se Ismajl Poneshi ishte krenaria e Gjilanit dhe Anamoravës. “E ka njohur një regjion i tërë Ismajl Poneshin. Ka luftuar dhe ndihmuar të gjitha grupet atdhetare dhe ata që e donin Bashkimin Kombëtar. Ka qenë njeri i fjalos e i besës, njeri me virtyte të larta patriotike. Ishte pjesë e LNÇ-së dhe bashkëpunëtor i Fadil Hoxhës, Ramiz Cërrnicës, Hasan Alisë, Shaban Polluzhës.
“Ismajl Poneshi me muaj të tërë e mbajti në shtëpi Fadil Hoxhën dhe të gjithë shokët e tjerë të idealit. Gjatë luftës Nacionalçlirimtare ka marr pjesë dhe ka bashkëpunuar edhe me Shaban Polluzhën, derisa pas përfundimit të luftës ishte kryetar i katundit. Trojet shqiptare si Presheva, Kumanova, Ulqini e Prishtina e njihnin si “Oda e Ismajl Poneshit”, sepse i furnizonte me ushqim e veshmbathje luftëtarët” shprehet Nezir Shala.
Nezir Shala thotë se Oda e Ismajl Poneshit ka ofruar e pajtuar shumë burra e trima. “Aty janë marrë shumë vendime të rëndësishme, janë tubuar shumë burra, kanë dhënë bukë, drekë, e ka furnizuar Fadil Hoxhën dhe janë marrë vendime historike të rëndësishme”.
Roli i Ismajl Poneshit në luftën e Livoqit
E njohur si Lufta e Livoqit, falë guximit po edhe gatishmërisë për t`i pajtuar grupet rivale të asaj kohe, Ismajl Poneshi luan një rol shumë konstruktivë.
Rexhep Shala (1930), një tjetër bashkëvendës thotë se Ismajl Poneshi mori një kërkesë nga Rifat Berisha e Fadil Hoxha, që të ndërmjetësojë në mes grupeve rivale.
“I ka bashkue njerëzit dhe e ka ndalën vëllavrasjen”. Sipas Rexhep Shalës për të gjitha këto kontribute, Fadil Hoxha e ka dekorue me mirënjohje, lavdërata, derisa edhe i është dhënë pensionimi. Për shkak të aktiviteteve ilegale edhe është burgosur mes viteve 1943-44. Është dënuar me dy vite burgim kurse i ka mbajtur vetëm 8 muaj” shprehet Shala.
Ramiz Cërrnica mik e shok i ngushtë i Ismajl Poneshit
Sipas dëshmitarëve Ismajl Poneshi kishte shumë miq e shok nga të gjitha tokat shqiptare. Megjithatë dallohej nga afërsia me Ramiz Cërrnicën, Hasan Aliun, dhe Shaban Polluzhën kurse Fadil Hoxhën e kishte komandant.
“Ramiz Cërrnicën e ka pasur shok të ngushtë. Duke përkrahur aktivitetet e Ramizit e Fadilit, Ismajli ishte plagosur dhe ishte burgosur dy herë. Herën e parë për Hasan Aliujn dhe herën e dytë për Fadil Hoxhën. “Ismajl Poneshi i ndihmonte partizanët gjatë luftës kurse pas luftës megjithëse në moshë të shtyrë, ishte anëtarë aktiv i Frontit Popullor” thuhet në librin :”Kur pranvera vonohet” të Fadil Hoxhës.
“Oda e Ismajl Poneshit” e njohur në trevat shqiptare
Pos që ishte atdhetar e patriot i shquar, Ismajl Poneshi veçohej për një element që pak burra kanë mundur ta kenë. “Oda e Ismajl Poneshit” e cila u dha bukë, kripë e zemër shumë luftëtarëve pothuajse përmendet në të gjitha dokumentet dhe arkivat historike. “Ishte Odë e këshillave, vendimeve dhe konsultimeve për trojet shqiptare. Madje në një rast një familjar i Ismajl Poneshit derisa vizitonte Turqinë, një shqiptar i migruar herët kur dëgjojë se bëhet fjalë për Ismajl Poneshin, u ngritë në këmbë dhe e puth në ballë pasardhësin e Ismajl Poneshit. Pra emri i Ismajl Poneshit është i njohur edhe në Turqi sepse ka ndihmuar familje të tera të përndjekura nga regjimet e ndryshme.
“Hajde bujrum” ka qenë fjalia e vetme e tij për mysafirët. Nuk ka ditur të flas ndryshe dhe nuk ka ditur të thotë jo, kur ka qenë në pyetje interesi kombëtar./rajonipress/