Ismaili: Kurti po e tradhëton votuesin e Vetëvendosjes duke u bërë shërbëtor i Isa Mustafës

Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka takuar sot liderni e LDK-së, Isa Mustafa me të cilin kanë folur për situatën aktuale politike në vend.

E ky takim po shihet si servilitet nga ana e nënkryetarit të PDK-së, Uran Ismaili..

Nënkryetari i PDK-së, Uran Ismaili, ka thënë se Albin Kurti e shet veten si të dinjitetshëm e me integritet, por nga frika që të shkojë i vetëm në zgjedhje ai po i përulet “Profesorit” deri në servilosje.

Sipas Ismailit, i cili aktualisht ushtron edhe postin e ministrit të shëndetësisë, Albin Kurti për të prekur pushtetin është në gjendje të shndërrohet edhe në vegël të personit që e luftonte me metodat më të pamoralshme dhe më jodemokratike dhe me të cilin nuk e lidhë asnjë princip apo vlerë përpos frika nga PDK-ja dhe lakmia për privilegje.

Lexoni reagimin e plotë të Uran Ismailit:

Albin Kurti paska takuar Isa Mustafën. A thua si ndihen votuesit e VV-së të cilët Albin Kurti i tradhton duke iu lutur Isa Mustafës për partneritet?! Mbështetësit e tij janë tronditur nga fakti se ai e paska quajtur Isa Mystafën “profesor” dhe i paska uruar punë të mbarë dhe shëndet. Sa qesharake dhe sa ironike.

Një kohë për të Isa Mustafa nuk ishte “profesor”, por shërbëtor i Rrahman Morinës, Aleksandër Vuçiqit dhe Ivica Daçiqit. Ishte “argat i Serbisë që po e bosnjëzon Kosovën dhe Esat Pashë që po i falë territore Malit të Zi”. Dikur e akuzonte me 72 dosje për krim të organizuar, sot e lajkaton me ofertë për koalicion.

Ai tani po e sheh si shpresë njeriun që e akuzonte se “po e zbrazë Kosovën duke e mbytur perspektivën”. Në ditët e tij të arta të huliganizmit nuk i uronte Isa Mustafës punë të mbarë, por rrëzim të mbrapshtë e të dhunshëm. Nuk i uronte shëndet e jetë të gjatë, por qeverisje të shkurtër dhe fund të mjerë duke ia rrezikuar shëndetin me gaz lotsjellës.

E gjuante dhe e turpëronte me vezë në shtëpinë e demokracisë, në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe e sulmonte me molotovë në shtëpinë e tij familjare. Albin Kurti e shet veten si të dinjitetshëm e me integritet, por nga frika që të shkojë i vetëm në zgjedhje ai po i përulet “Profesorit” deri në servilosje.

Për të prekur pushtetin ai është në gjendje të shndërrohet edhe në vegël të personit që e luftonte me metodat më të pamoralshme dhe më jodemokratike dhe me të cilin nuk e lidhë asnjë princip apo vlerë përpos frika nga PDK-ja dhe lakmia për privilegje.

Megjithatë këto aleanca tepër joparimore vetëm se do ta rrisin mbështetjen qytetare për PDK-në. Rrugëtimi ynë drejt rikonfirmimit si forca më e madhe demokratike në vend është i pakthyeshëm. Ne mbesim rruga e vetme për luftimin e korrupsionit, nepotizmit dhe ndërtimit të një shteti që ofron ardhmëri të sigurt për të gjithë qytetarët e tij.

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS

Vërejtje!

RajoniPress.com nuk do të botojë shkrime që nuk i përmbushin kriteret dhe standardet profesionale të gazetarisë bashkëkohore. Nuk do të ketë për askënd mbyllje apo censurë, por jemi të fokusuar që në këtë agjenci, lajmi, shkrimi, raporti, intervista dhe opinioni të plotësojnë kriteret profesionale. Gjithashtu opinionet, analizat, komentet, nuk duhet të shkelin parimet etike (gjuhën e urrejtjes, fyerjet, diskriminimet e çfarëdoshme).