Ismail Mehmeti, njeriu i sakrificave atdhetare, dhe triumfues në kohët më të rënda

Gjilan – Ismail Mehmeti nga Uglari i Gjilanit ka një biografi të pasur atdhetare e kombëtare. Është rritur në frymën familjare të atdhedashurisë, në një frymë kushtrimi e respekti për çdo iniciativë kombëtare. Sakrifikoi e rrezikoi vetën e familjen për të vetmin qëllim e synim që Kosova sot, gjenerata e reja dhe brezat e rinj të jenë të lirë e të pavarur. Ishte i dënuar me 5 vite burg në vitin 1993, por që nga ajo kohë kurrë s`është ndalur për të sjellur energji pozitive për të mposhtur çdo regjim serbo sllav.
Viti 1993 është i ftohtë po edhe emocionues gjithsesi për ish të përndjekurin e të burgosurin politik, Ismail Mehmetin nga fshati Uglar i Gjilanit, i cili tani jeton në fshatin Bibaj të Ferizajit.
Ismail Mehmeti do ta kujtojë këtë datë e vit si pjesë e së kaluarës së lavdishme sepse ishte dënuar si një personalitet që i përkiste Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës.
“Nuk e harroj lehtë as datën e arrestimit, e as datën e kthimit në shtëpi. Janë momente dhe emocione të përziera sepse arrestimi ishte shumë vulgar, shqetësoheshin familja, farefisi e miqtë, kurse dalja nga burgu ishte një akt triumfues për mua dhe shokët, që qëndruam në burgje të keqtrajtuar e munduar nga metodat e egra të atij regjimi kriminal” shprehet Ismail Mehmeti për rajonipress.
Mehmeti thotë se këto vite burg ia ndërprenë realisht ëndrrat profesionale dhe zhvillimet tjera, por ka fituar një vlerë të madhe e të rëndësishme, në rrafshin kombëtar sepse koha ishte e tillë dhe kërkonte njerëz me ndërgjegje të pastër kombëtare shprehet ai.
Padyshim, Ismail Mehmeti mbetet figurë shumë e vlerësuar tashmë edhe në aspektin institucional, duke dëshmuar guxim, vullnet, dije, profesionalizëm dhe përkushtim atdhetar.
Me të gjitha këto atribute Ismail Mehmeti ka vazhduar të punojë edhe pas luftës, i urtë, i edukuar, fjalëpak, njeri që përherë u ka dhënë përparësi të rinjëve.
Mbetet gjithsesi kontribuues i pazëvendësueshëm për ndërtimin e institucioneve të para të shtetit të Kosovës dhe kjo i jep një vulë besimi e vërtetësie për tërë atë arsenal dhune e terrori që përjetoi përgjatë burgosjes.
Ismail Mehmeti doli triumfues përballë makinerisë vrastare serbe dhe sot ai jeton i lirë dhe në paqe, me të ardhmen e ndritur të popullit të Kosovës.
Madje edhe pas 27 viteve kujtesë, Ismail Mehmeti datën 22 shtator 1993 dhe 21 mars 1997 do ta përkujtonte vetëm me dy rreshta, si pjesë e modestisë së tij.
“Para 27 vitesh, më 21 Mars1997 dola nga Burgu i Dubravës, ku mbajta 3.6 vjet burg, i dënuar si Anëtar i Shtabit Komunal të Ferizajt, në kuadër të Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës së Kosovës (MMRK). Disa foto sekuenca nga pritja që u organizua nga familjarë, miq, shokë e dashamirë” ka shkruar Mehmeti.
Kuptohet në këtë koment të tij kishte reagime të shumta pozitive për kontributin e Ismail Mehmetit.
Shaban Isufi familjar i tij ka shkruar:
Daja im, z. Ismail Mehmeti,
Është një emër i nderuar, i respektuar dhe shumë i dashur, dhe njëkohësisht një shembull i përkushtimit dhe sakrificës për dijen, atdheun dhe familjen. Si mësues, arsimtar, profesor dhe zyrtar, ai e ka ndriçuar rrugën e shumë brezave me urtësinë dhe diturinë e tij.
Si ish i përndjekur politik, ai përballoi padrejtësinë me dinjitet dhe forcë shpirtërore, duke mbetur gjithmonë besnik ndaj parimeve të tij.
Më 21 mars 1997, pas një dënimi të padrejtë prej 3 vjetësh e 6 muajsh, ai u kthye triumfues tek familja dhe shoqëria, duke dëshmuar se e vërteta dhe drejtësia gjithmonë ngadhënjejnë.
Ismajl Mehmeti është një frymëzim për të gjithë ne, i pathyeshëm, edukator i përkushtuar, atdhetar dhe një patriot i vërtetë. Me shumë zemër i dëshiroj shëndet, jetëgjatësi si dhe lumturi t’pafund familjare. Dajë, rrofsh sa malet – krenohemi me ty!
Kurse një tjetër qytetar ka shkruar: Xhelal Rrahmani – Respekt profesor, njeriu i sakrificave dhe angazhimeve të pandalshme për të mirën e përgjithshme
Basri Hasani ka shkruar: Ismajl, prej kur të njoh (48 vite), je po ai, modest, i përkushtuar në punë e familje, i guximshëm, e mbi të gjitha njeri i sakrificës në kushtrimin e atdheut. Do të jesh pjesë e historisë së lavdishme të shtetësisë së Kosovës. Familja dhe gjithë në që të njohim krenohemi me ty! Respekt pa fund./rajonipress/