Eko Higjiena

Islami dhe myslimanët në Zvicër, një retrospektivë

/ 9 minuta lexim

Depërtimi i Islamit në Zvicër shënohet të ketë ndodhur qysh para 1000 vjetëve, nëpërmes maurëve berberë–myslimanë të Andaluzisë, të cilët zviceranët dhe historianët e tjerë i kanë quajtur “saracenë”.

Më pas, në shek. XVIII Zvicra përsëri na paraqitet në kontekst me Islamin, në të vërtetë me personalitetin e Johann Ludwig Burckhardt-it, i cili rrjedh nga një familje e vjetër dhe e njohur fisnike e Baselit dhe i cili në vitet 1809-1816 merr emrin Sheh Ibrahim.

Në fillim të viteve 1960 deri kah mesi i të 1970-ave ndodh ardhja e parë kryesisht e ‘gastarbeiterëve’ (punëtorëve mysafirë) turq, shqiptarë, boshnjakë, arabë etj., të cilët kah vitet 1985-1995 i tërheqin me vete edhe familjet e tyre, vendosen në Zvicër për një kohë më të gjatë. Edhe pse shumica prej tyre në fillim planifikonin të qëndronin këtu vetëm 2-3 vjet, mirëpo tani në ndërkohë janë bërë, jo rrallë, edhe nga 30 vjet.

Sipas regjistrimit të popullsisë të bërë në vitin 2000 numri i myslimanëve sillej te më shumë se 310 000, sot ky numër konsiderohet të jetë afro 400 000, shumicën e të cilëve e përbëjnë myslimanët shqiptarë nga Kosova, Maqedonia, Lugina e Preshevës, etj.

Me vendosjen e përkohshme të myslimanëve në Zvicër fillon edhe hapja e mesxhideve të para. Nuk dimë saktësisht se kur janë hapur mesxhidet e para, por ajo që e dimë me siguri është fakti se turqit dhe mbase edhe arabët janë të parët që hapin faltoret e para islame në Zvicër, kurse aty kah vitet 1990 hapen edhe faltoret e para shqiptare. Si mesxhid i parë shqiptar në Zvicër është ai në Cyrih, xhemati i të cilit fillimisht është falur bashkë me myslimanët turq atje, e më pas shkëputen dhe krijojnë xhematin dhe mesxhidin e tyre shqiptar. Kjo ka ndodhur në vitin 1987.
Më pas vijojnë hapjet e mesxhideve të reja si në Wil, në Kreuzlingen, Romanshorn etj., me përpjekjet e imamëve të vyeshëm shqiptarë.

A. ISLAMI DHE MYSLIMANËT NË WIL

Qyteti i Wilit sot ka rreth 18.000 banorë, prej të cilëve 14 % janë myslimanë. Në vitet e fundit të 1980-ave shumë shqiptarë myslimanë i janë bashkëngjitur qendrës turke-islame që gjendet edhe sot e kësaj dite në qytezën Rickenbach në rrugën “Zürcherstrasse”, e cila ishte hapur pak kohë më parë. Dy vjet më vonë, konkretisht më 1992, për shkak të gjuhës së ndryshme të predikimit, komuniteti mysliman shqiptar e hap qendrën e vet islame në qytetin e Wil-it. Në vitet e para të hapjes së kësaj qendre ajo ka pësuar ndërrimin e disahershëm të lokacionit. Në vitin 1995 përfundimisht gjendet lokali i sotshëm në Titlistrasse. Me angazhimin e palodhshëm të xhematit të kësaj xhamie, e cila për momentin numëron më shumë se 425 anëtarë-familje, edhe ky objekt nuk i plotëson nevojat e besimtarëve. Andaj, po në Wil, në Rosenstrasse, është blerë një parcelë për ndërtimin e një objekti të mirëfilltë për xhami.

B. XHAMIA E RE E WILIT, ose QENDRA E TAKIMIT NË WIL

Jo larg qendrës së qytetit, në rrugën “Rosenstrasse”, xhemati i Wilit në vitin 2008 e bleu vendin prej 1.425 m2 për të ndërtuar në të xhaminë dhe njëkohësisht qendrën islame shqiptare, ku përveç që në mënyrë dinjitoze do t’i bëhet ibadet Zotit, edhe do të shprehet në praktikë jeta e gjithëmbarshme islame e besimtarëve të këtushëm. Megjithëse në fillim projekti ishte konstruktuar me minare, pas referendumit të 2009, me ç’rast me kushtetutë u ndalua në mënyrë eksplicite ndërtimi i minareve të reja, ajo sot është rikonstruktuar pa të, por gjithsesi me hapësirat përcjellëse që i japin një kolorit të paparë kësaj qendre.

Me sipërfaqe të përdorshme prej 1.270 m2 dhe me 10.000 m3 hapësirë, objekti i ri i xhamisë, që nga jashtë duket të ketë bërë kombinimin e stilit të ndërtimit islam, të atij perëndimor dhe bashkëkohor, do të ketë gjithsej 4 kate.

Uji Dea

Kati i nëndheshëm është paraparë për parkim veturash, gjithsej 35 vende parkimi, plus 14 jashtë objektit. Duke qenë se një prej problemeve me të cilat përballen jo vetëm xhamitë, por edhe objektet e tjera publike është vendi për parkimin e veturave, qendra jonë islame i përmbush standardet e kërkuara për objektet kulturore që për një person të ketë 0.1 vend parkimi. Aty gjenden edhe hapësirat e nevojshme për pastrim, të përgjegjësit teknik, shkallët për ngjitje në katin përdhes etj.

Kati përdhes në të cilin hyhet në xhami nga “Rosenstrasse” fillimisht ka korridorin, apo pjesën hyrëse prej 50 m2. Në të djathtë, respektivisht në anën jugore, shitore prej afro 40 m2 si dhe banjat për meshkuj, me një të ndarë edhe për marrjen e abdesit. Ngjitas me të ndodhet kuzhina prej afro 15 m2. Në të majtë të korridorit ndodhen banjat për femra si dhe shkallët për t’u ngjitur në katin e parë dhe për të zbritur në katin e nëndheshëm. Përballë korridorit ndodhet salloni për ndeja i burrave prej afro 250 m2. Është mirë e njohur se këto hapësira që luajnë rolin e kafeneve a restoranteve, janë para së gjithash një pikë e rëndësishme takimi e besimtarëve para dhe pas faljes së namazeve ditore, javore dhe festive. Përveç ndjekjes së aktualitetit nëpërmes mjeteve elektronike në të dhe freskimit me pije dhe ushqim, besimtarët aty kanë mundësinë të shkëmbejnë mendimet dhe përvojat e tyre nga fusha të ndryshme.

Kati i parë në mes ka korridorin prej afro 25 m2, i cili përballë (në anën perëndimore) ka një zyrë prej 15 m2 për imamin e xhamisë. Ngjitas me zyrën, në anën veriore të objektit, ndodhet klasa nr. 1 me hapësirë prej afro 28 m2, e cila do të pajiset edhe me kompjuterë e me pajisje të tjera elektronike për zhvillimin sa më efikas të mësimit fetar islam këtu. Në të djathtë të klasës ndodhen shkallët, ndërkaq akoma më në të djathtë ndodhet dhoma e kujdestarit të xhamisë me një hapësirë prej 42 m2. Në anën jugore të objektit, ngjitas me zyrën ndodhet klasa nr. 2 me afro 37 m2. Krahas saj ndodhet zyra tjetër më e madhe e kryesisë së xhamisë me hapësirë prej afro 20 m2. Më tej ndodhet një hapësirë e përkujdesësit teknik prej 5 m2. Në të djathtë të të gjitha këtyre hapësirave, pra në lindje të objektit, në formë rrethi gjendet faltorja kryesore e destinuar për burrat me hapësirë prej afro 270 m2, e cila parashihet t’i zërë maksimalisht 220 persona. Rreth e përqark me kaligrafi të bukur arabe dhe me një kube të lartë 16 m, të jep frymën e plotë të një xhamie, të një ibadet-haneje të mbushur plot jehonë hyjnore, engjëllore drejtuar Krijuesit…
Kati i dytë, në anën veriore të korridorit ka shkallët, banjat dhe një dhomë prej 22 m2. Në anën jugore të korridorit ndodhet dhoma e ndejës për gratë me hapësirë prej afro 37 m2. Ngjitas me të ndodhet një kuzhinë për gratë si dhe një çerdhe fëmijësh, të dyja së bashku afro 20 m2. Në anën e majtë të korridorit, respektivisht në lindje të objektit, ndodhet galeria apo mahfili i parë i xhamisë me një sipërfaqe prej afro 150 m2, që parashihet të zërë 110 persona.

Kati i tretë, mbi të gjitha kthinat e katit të dytë ndodhet tarraca prej ku hyhet në galerinë e dytë, e cila është paraparë si tribunë shikuesish a vizitorësh, por që me sipërfaqen e saj prej 124 m2 zë më së paku 100 persona të tjerë për falje të namazit.

C. MARRJA E LEJES SË NDËRTIMIT

Pasiqë përgatiten të gjitha dokumentet e nevojshme, në fund të nëntorit të vitit 2011, solemnisht dhe nën prezencën e fuqishme të mediumeve bëhet dorëzimi i projektit në qytetin e Wilit, i cili duhet ta shqyrtojë këtë projekt dhe të përgjigjet në afat të caktuar.

Krahas aspektit politik dhe të ndjeshëm ndaj Islamit dhe myslimanëve, lejimin e xhamisë e vonoi edhe reagimi i fqinjëve si dhe i atyre që ishin më larg.
Pasiqë u shqyrtuan skicat e xhamisë së re në Wil, u shqyrtuan edhe reagimet dhe argumentet e tyre, në fund të nëntorit të vitit 2012 Komuna e Wil-it mposht të gjitha reagimet e fqinjëve me arsyetimin se nuk janë të argumentuara mirë dhe jep lejen e ndërtimit të xhamisë.

Ky rast ngjalli kënaqësi të veçantë te kryesia, drejtuesi i projektit si dhe te të gjithë myslimanët e rrethinës.

E pra, ky do të ishte rezultati i asaj që Kur’ani fisnik e thotë: “S’ka dyshim se xhamitë i ndërtojnë dhe i mirëmbajnë ata që besojnë Zotin dhe ditën e Ahiretit…” (el-En’am:18) dhe e cila përforcohet edhe me fjalët më fisnike të të Dërguarit të Zotit: “Kush ndërton një xhami (ose merr pjesë në ndërtimin e saj), All-llahu atij vetëm se i ka ndërtuar një pallat në Xhennet”.

Myzhde për xhematin e Wilit dhe për të gjithë dashamirët e Islamit dhe të myslimanëve.(albinfo- BEKIM ALIMI)