Mobi Casa

Ish zyrtari i BE’së: Kjo situatë po më trishton, të tërhiqet njësia speciale, zgjedhjet në fillim të shtatorit

/ 11 minuta lexim
Uji Dea

Ish Drejtori për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Evropian, Pierre Mirel, në një intervistë me Zërin e Amerikës tha se Kosova duhet të veprojë me shpejtësi në përputhje me kërkesat e partnerëve ndërkombëtarë rreth situatës në veri, në të kundërtën rrezikon të dëmtojë rëndë të ardhmen e vet evropiane. Ai tha se përshkallëzimi i situatës në veri të vendit ka njollosur imazhin ndërkombëtar të Kosovës ndërsa nënvizoi se mosgatishmëria për të themeluar Asociacionin e komunave me shumicë serbe është ndër arsyet kryesore të tensioneve të njëpasnjëshme në veri, ndërsa themelimin e këtij mekanizmi e vlerësoi si çelës të daljes nga kriza, krahas tërheqjes së njësive të posaçme të policisë dhe zgjedhjeve të reja në komunat veriore.

Zëri i Amerikës: Siç e keni parë tensionet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë u rritën këtë kohë për shkak të zhvillimeve në komunat veriore të Kosovës. Si e shihni ju këtë situatë zoti Mirel?

Pierre Mirel: Tensionet e fundit i shoh si një rezultat të drejtpërdrejtë të zgjedhjeve të fundit në veri. Zgjedhje të ligjshme? Po, por jo legjitime. Si munden katër kryetarët e rinj shqiptarë të udhëheqin komunat në veri ku popullsia është rreth 90 për qind serbe? Ky është problemi i vërtetë sepse ata u zgjodhën me 2.5 apo 3.5 për qind pjesëmarrje të votuesve, prandaj ishte e pamundur, nuk ishte një vendim i mirë. Por, ajo që më brengos dhe madje trishton më shumë është se e dini që jemi vlerësuar si miq të mirë të Kosovës që nga shpallja e pavarësisë e të tjera, dhe më trishton të shoh që kjo situatë po njollos imazhin ndërkombëtar të Kosovës, ndërsa Kosovës ende i duhet mbështetje e madhe ndërkombëtare, Kosovës i duhen pesë vendet mosnjohëse ta njohin pavarësinë e saj. Kjo situatë po e dëmton këtë proces dhe kjo më trishton shumë.

Zëri i Amerikës: Cila është rrugëdalja më e mirë nga kjo situatë sipas jush?

Pierre Mirel: Mendoj se rrugëdalja e vetme është kompromisi, si zakonisht. E di që fjala ‘kompromis’ ka ngjyrim negativ në Ballkan ndërsa në Bashkimin Evropian është baza e ndërtimit evropian tash e 70 vjet. Por në Ballkan nëse bëjmë kompromis do të thotë që kemi humbur, por jo kompromisi nëse bëhet sic duhet paraqet një situatë me dy palë të fituara. Kështu që mendoj se nuk ka rrugë tjetër përpos të veprohet siç kanë kërkuar Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, të tërhiqen njësitë e posaçme të policisë dhe të organizohen zgjedhje të reja mendoj në fillim të muajit shtator.

Zëri i Amerikës: Zoti Mirel, komuniteti ndërkombëtar ka shprehur shqetësimet dhe kritikat e veta për qeverinë Kurti lidhur me mungesën e bashkëpunimit dhe bashkërendimit sa i takon situatës në veri. A mendoni se kjo mund ta dëmtojë seriozisht të ardhmen evropiane të Kosovës?

Pierre Mirel: Nëse gjendet një zgjidhje shpejt pra, nëse ajo që është kërkuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian zbatohet nga kryeministri Kurti, mendoj se kjo situatë nuk do të harrohet, por sërish procesi do të vazhdojë të zhvillohet me lehtësi. Por nëse vazhdon kësisoj, pa vendime të shpejta apo përsëritet situatë e ngjashme në javët e muajt në vazhdim me vendime të tilla të njëanshme, pa asnjë këshillim apo bashkëpunim, patjetër që po do ta dëmtonte shumë fuqishëm të ardhmen evropiane të Kosovës, kjo është e sigurt.

Zëri i Amerikës: A ka gjasë që Bashkimi Evropian të vendosë ndonjë sanksion apo masë ndëshkuese për Kosovën për mungesë bashkëpunimi?

Pierre Mirel: Bashkimi Evropian nuk parapëlqen vendosjen e sanksioneve ndaj vendeve që vlerësohet të jenë mike, me të cilat ka një bashkëpunim të mirë, dialog e të tjera. Por nëse do të vendoste të shkonte në ekstrem do të ndodhte, nëse situata aktuale do të vazhdonte dhe qeveria nuk do të pranonte këshillat apo propozimet që janë hedhur nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Zëri i Amerikës: Në Kosovë njohës të zhvillimeve thonë se Prishtinës po i bëhet më shumë trysni sa i takon situatës në veri, ndërsa e shohin Beogradin si burim kryesor të destabilizmit në Ballkan dhe posaçërisht në Kosovë. A pajtoheni me këtë këndvështrim?

UBT

Pierre Mirel: Beogradi nuk ka qenë asnjëherë i lehtë në pranimin e kompromiseve, kjo është shumë qartë. Por ka një çështje, në vitin 2013 kishte një marrëveshje në Bruksel sipas të cilës Kosova do të themelonte Asociacionin e komunave me shumicë serbe, pra dhjetë vjet më parë, ndërkohë zotimi u ripërtëri në vitin 2015 dhe sërish së fundmi në marrëveshjen e Ohrit. Në këto kushte, si munden serbët e veriut të Kosovës t’u besojnë dialogut të Prishtinës por edhe Bashkimit Evropian nëse për dhjetë vjet po u thuhet se do ta kenë asociacionin e tyre dhe ende asgjë nuk ka ndodhur? Kjo është e padrejtë dhe do të thotë t’u japësh argumente atyre që thonë se ky dialog nuk funksionon, ose Prishtina nuk dëshiron të funksionojë. Për mua kjo është çështja kryesore sepse kjo u jep argumente edhe presidentit serb Vucic gjithashtu por edhe Moskës, kësisoj çështja bëhet edhe më serioze. Në këtë periudhë kohore në kontekstin e luftës që po vazhdon në Ukrainë, ne nuk duhet t’i japim argumente Moskës për të thënë ‘e shikoni pavarësinë dhe i shikoni trazirat në veri kundër serbeve me forca të NATO-s’. Kjo është shumë, shumë e keqe dhe shumë, shumë e dëmshme për tërë marrëdhëniet në rajon.

Zëri i Amerikës: Pra në këndvështrimin tuaj Kosova duhet të lëvizë me shpejtësi në themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe?

Pierre Mirel: Mendoj që po, janë bërë dhjetë vjet pritje për të, kjo për mua është shumë e rëndësishme krahas thirrjeve për tërheqje të njësive të posaçme të policisë dhe zgjedhjeve të reja. Në javët dhe muajt që po vijnë përparësi duhet të jetë themelimi i këtij Asociacioni të komunave me shumicë serbe, i cili është pritur kaq gjatë.

Zëri i Amerikës: Zoti Mirel, ky asociacion është një temë e nxehtë në bisedimet Kosovë – Serbi. Prishtina e sheh atë si kërcënim për një ‘Republikë Serbe’ të re si ajo në Bosnje e Hercegovinë, ndërsa nga Shtetet e Bashkuara u vlerësua së fundmi si mundësi për të ulur ndikimin e Beogradit në veri të Kosovës. Si e vlerësoni ju?

Pierre Mirel: Ata që e thonë këtë, ose nuk e njohin rregullimin institucional në Bosnje e Hercegovinës ose dëshirojnë t’i bëjnë njerëzit konfuz. Kushtetuta e Dayton-it nuk përcakton kompetencat e dy entiteteve, Republika Serbe në njërën anë dhe Federata kroato-boshnjake në anën tjetër. Ajo liston vetëm dy kompetenca në nivel shtetëror, marrëdhëniet ndërkombëtare ku përfshihet edhe tregtia dhe mbrojtja, asgjë tjetër. Kështu që mbi 20 vjet në Bosnjë ka një konflikt ndërmjet atyre që dëshirojnë të rikthejnë një shtet unitar – kryesisht boshnjakët, dhe ata si serbët dhe kroatët që kërkojnë decentralizim. Por kjo asnjëherë nuk është rregulluar për shkak të Kushtetutës. Por në Kosovë situata është krejtësisht tjetër. Kosova ka një Kushtetutë të qartë që del nga plani i (Martti) Ahtisarit, me kompetenca të përcaktuara qartë dhe brenda kësaj Kushtetute do të themelohej Asociacioni i cili do t’u jepte disa kompetenca komunave me shumicë serbe, pra është krejtësisht ndryshe. E pastaj çështjet se çfarë kompetencash dhe çfarë lloj autoriteti ka Asociacioni janë çështje që trajtohen brenda negociatave më saktësisht, kjo është ideja.

Zëri i Amerikës: Nëse i kthehemi edhe një herë rrugëdaljes nga situata në këto komuna, komuniteti ndërkombëtar po kërkon zgjedhje të reja sa më parë ndërsa kryeministri Kurti deklaroi së fundmi se zgjedhjet mund të mbahen pas vendosjes së sundimit të ligjit në zonë – duke nënkuptuar vënien para drejtësisë të përgjegjësve për dhunën gjatë protestave. Cila vlerësoni se ka më shumë peshë në kontekstin e situatës aktuale?

Pierre Mirel: Kurdo që dëgjoj njerëz teksa thonë se në Ballkanin Perëndimor qoftë Kosova, Serbia apo cilido shtet, nuk do të ketë përparim derisa të ketë sundim të plotë të ligjit, kam ndjesinë se i bie që nuk do të arrihet kurrë ndonjë përparim. Kjo sepse sundimi i ligjit nuk është plotësisht i vendosur në asnjë shtet. Ka përparim e të tjera, por nuk do të duhej të ishte parakusht sepse në të kundërtën unë dhe ti do t’i diskutojmë këto probleme sërish vitin tjetër dhe një vit pas tij. Është urgjente të krijohen kushtet për zgjedhje të reja në fillim të shtatorit që njerëzit të mund të votohen e zgjidhen. Natyrisht serbët duhet të marrin pjesë në proces zgjedhor e jo ta bojkotojnë. Kësisoj do të kishim kryetarë që nuk do të ishin vetëm ligjërisht të zgjedhur, por do të kishin edhe legjitimitet, prandaj do të kishin mundësi të udhëheqin këto komuna dhe të rikthejnë një situatë të qetë, kjo është urgjenca.

Zëri i Amerikës: Zoti Mirel, Kosova dhe Serbia u pajtuan për një marrëveshje gjatë këtij viti në Bruksel pastaj Ohër për normalizimin e marrëdhënieve. Pavarësisht kësaj tensionet mbesin të larta dhe duket sikur kjo marrëveshje nuk po e përmbush qëllimin e saj. Si e shpjegoni këtë?

Pierre Mirel: Unë shoh disa arsye: e para është ajo që e diskutuam më parë, pra fakti se Asociacioni ka dhjetë vjet që është premtuar dhe nuk është zbatuar me argumentin se do të ishte në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës e të tjera. Kjo sigurisht është arsyeja kryesore sepse thyhet besimi te autoritetet që e pranuan një herë, e konfirmuan në 2015-ën, rikonfirmuan në Ohër. Pra është aspekti i besimit thelbësor në rajon. Arsyeja e dytë është se kishte përparim deri në vitin 2015 në çështje të ndryshme pastaj u krijua konfuzion me hedhjen e idesë për shkëmbim territoresh. Njerëzit thanë në rregull le ta harrojmë dialogun, do të shkëmbejmë territore dhe mbaron, kështu që kjo ide krijoi konfuzion dhe mori shumë kohë braktisja e saj, praktikisht deri në momentin presidenti amerikan Trump nuk fitoi në zgjedhje. Rivendosja në njëfarë forme e besimit ka marrë shumë kohë dhe rrjedhimisht edhe rinisja e dialogut. Shoh edhe një tjetër arsye, në Ohër për shembull kur pati pajtueshmëri për planin e zbatimit të marrëveshjes, pena nuk ishte tharë ende kur nisën deklaratat me gjuhë shumë të keqe. Kur them e keqe është fjalë e butë meqë ishte gati gati gjuhë e urrejtjes që vinte nga një president. Kështu që si mund të kuptojë populli? Ju u pajtuat për diçka dhe pas dy ditësh thua se kurrë nuk do të zbatohet për shkak të presidentit Vuçiç apo kushedi kujt. Si ta kuptoj populli këtë? Si të rivendoset mirëbesimi? Kjo për mua është arsye thelbësore dhe mbase arsyetim i pavërtetë. Gjithmonë e kam thënë që kur isha në fillim pjesë e dialogut në vitin 2011, se dialogu është gjë e mirë dhe duhet të ndodhë, por duhet shoqëruar me një dialog paralel me organizatat e shoqërisë civile. Në pikëpamjen time ky dialog është shumë si në flluskë, shoqëria civile nga të dyja anët duhet të jetë më e përfshirë e të interesohet më shumë. Dy tri vite më parë kishte dy grupe grash nga Kosova e Serbia që nisën një dialog, dhjetë vjet më parë ishte fillimi i dialogut ndërmjet dhomave të tregtisë e industrisë. Gjëra të tilla nuk kanë vazhduar për disa arsye besoj por kjo është për keqardhje dhe duhet të rikthehet sepse njerëzit duhet të takohen, diskutojnë e shkëmbehen përpos palëve udhëheqëse që pajtohen për diçka.