HIDROMORAVA

Ish-ushtari i UÇK-së, biznesmen pa letra në SHBA

/ 3 minuta lexim
ARKATANA

Bastisja e një dyqani popullor hamburgerësh nga agjentët e FBI-së, ka zbuluar se ai është në pronësi të një ish-luftëtari të UÇK-së nga Kosova, i cili po qëndronte ilegalisht në Shtetet e Bashkuara. Ai do të deportohet, shkruan The Detroit News.

Historia e Tomo Duhanajt, me qëndrim në Troy të ShBA-së, gjendet e përmbledhur në 15 faqe të një rasti gjyqësor, duke filluar nga betejat e tij si gueril kundër Serbisë, e deri te pretendimi se ndihet i kërcënuar nga myslimanët në Kosovë, në një përpjekje të dështuar për të fituar azil në Shtetet e Bashkuara.

Bray’s Hamburger ishte në mesin e lokaleve të cilat u bastisën, të enjten e kaluar, në West Eight Mile në Ferndale. Agjentët e FBI-së ekzekutuan disa urdhër-kërkime, si pjesë e një hetimi për të cilin nuk dhanë detaje, raporton gazeta JNK.

Një zëdhënës i FBI-së nuk pranoi të flasë për hetimin, as të zbulojë nëse Duhanaj ishte në qendër të kërkimeve, por tha se askush nuk është arrestuar në lidhje me bastisjet.

42-vjeçari nga Kosova është në proces të kthimi në atdhe. “Tomo Duhanaj është aktualisht në procedurë të kthimit në atdhe. Ai mbetet i lirë nga paraburgimi, por është e nevojshme të kontrollohet rregullisht, ndërsa agjencia po punon për të realizuar largimin e tij”, tha një zëdhënëse e Zyrës së Emigracionit.

HIDROMORAVA

Duhanaj e bleu franshizën nga pronari në vitin 2011. Sipas të dhënave të gjykatës federale, Duhanaj hyri paligjshëm në Shtetet e Bashkuara, tri herë, midis viteve 1980 dhe 2002.

Së fundi, ai u arrestua dhe urdhërua të paraqitej para Shërbimeve të Emigracionit dhe Shtetësisë të ShBA-së.
Dokumentet e gjykatës thonë se Duhanaj përdori disa pseudonime për të marrë një patentshofer dhe një pasaportë të falsifikuar.

Duhanaj kishte hyrë në Shtetet e Bashkuara ilegalisht në vitin 1986 me gruan e tij, Prenden. Këtu iu lind një fëmijë.
Në Michigan, Duhanaj tha se ai u përfshi me organizatat politike pro-Kosovës dhe u bashkua me degën lokale të Partisë Demokratike të Kosovës. Pasi lufta shpërtheu në Kosovë në vitin 1998, ai mori pjesë në një takim në Michigan të sponsorizuar nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Sipas Detroit News, një diplomat i lartë gjatë administratës së presidentit Clinton e kishte etiketuar UÇK-në si një grup terrorist.
Në këtë takim ishin mbledhur 150 000 dollarë dhe Duhanaj iu besua mbajtja e parave në shtëpinë e tij. Duhanaj më vonë u bashkua Fondit “Vendlindja Thërret”, e cila po mblidhte para për UÇK-në.

Detroit News shkruan se Duhanaj gjithashtu është një nga donatorët aktivë në fushatat politike. Nga viti 2008, ai ka dhuruar rreth 17 700 $ për disa politikanë, përfshirë për fushatën për senator për Joseph DioGuardin, i njohur si një avokues i të drejtave të shqiptarëve.