Ish-trajneri Dinamos, Kozniku: Skënderbeu i madh në grupe të Championsit
Ish futbollisti dhe trajneri i Dinamos së Zagrebit, Ardian Kozniku, ka folur për Telegrafin për ndeshjen që ish skuadra e tij do ta luaj me Skënderbeun në kuadër të “Play-Off” për Ligën e Kampionëve.
Ai i ka dhënë gjasa Skënderbeut në këtë ndeshje, pasi sipas tij, Dinamo nuk është në kulmin e formës.
Ish sulmuesi i madh shqiptar që bëri histori me Kombëtaren e Kroacisë, Ardian Kozniku, duke e fituar medaljen e bronztë, ka folur për Telegrafi.com, për ndeshjen Skënderbeu – Dinamo Zagreb.
Kozniku që luajti për Dinamon dy vite nga viti 1998-2000, e ka ‘tradhtuar’ ish skuadrën e tij duke i dëshiruar eliminimin në favor të Skënderbeut dhe duke e vlerësuar lartë futbollin shqiptar.
“Së pari i uroj nga zemra ekipit të Skënderbeut për rezultatet e treguara deri tani. Futbolli në Shqipëri vitet e fundit është në ngritje fenomenale dhe rezultati i Skënderbeut nuk është për tu befasuar, pasi Skënderbeu në pesë vitet e fundit ka treguar një futboll cilësor çdo vit e mirë e më mirë”, deklaroi Kozniku për Telegrafin.
Kozniku tregon edhe situatën aktuale te klubi i Dinamos, duke treguar për përvojat që ka. “Dinamo njëjtë ka një ekip shumë të mirë me lojtarë mjaft kualitet të mirë. Njëherazi janë kampion i shumëfishtë këtu në Kroaci dhe me meritë. E kanë një përvojë shumë vjeçare nëpër gara evropiane si në UEFA ashtu dhe në Ligë të Kampionëve”, nënvizoi ish sulmuesi i Prishtinës.
Sa i përket asaj se kush ka përparësi në këtë ndeshje, Kozniku epitetin e favoritet ia jep kroatëve, por me shpresën se Skënderbeu do të befasojë.“Dinamos për nga kualiteti që e ka i jap përparësi, mirëpo edhe Skënderbeun e shoh se ka gjasa të kaloj, sepse Dinamo këto ndeshjet e fundit nuk i ka kaluar me lehtësi kundër ekipeve që i ka pasur”.
Ish sulmuesi i disa skuadrave si Prishtina, Hajduk Split, Cannes, Le Havre, APOEL e Bastia, i dëshiron nga zemra Skënderbeut fitore, për emrin e madh që e ka “Dhe në fund, unë nga zemra dëshiroj që Skënderbeu të kalon me tutje dhe të hyjë në histori të futbollit shqiptar, sepse ka një emër të madh, pra Skënderbeu”.
Skënderbeu do të përballet me Dinamon me 19 dhe 25 gusht. /Telegrafi/


