Ish punëtorët e “NLB Banka” akuzohen për gjashtë vepra penale
Gjilan – Filloreta Jakupi ish këshilltare në “NLB Bank” dhe Ramiz Selimi ish mbikëqyrës në këtë bankë akuzohen për gjashtë vepra penale të “shpërdorimit të pozitës zyrtare ose autorizimit”.
Në Gjykatën e Qarkut në Gjilan ka nisur një proces gjyqësor tejet interesant. Në bankën e të akuzuarve që po e kryeson trupi gjykues i udhëhequr nga Hasan Sadiku janë paraqitur dy ish zyrtarë të lartë të ish “NLB Banka” të cilët akuzohen për “shpërdorim të detyrës zyrtare ose autorizimit”.
Sipas aktakuzës që e ka ngritur prokuroi publik i Qarkut Shaban Spahiu e akuzuara e parë Filloreta Jakupi ish këshilltare në “NLB Bank” akuzohet për gjashtë vepra penale, derisa i akuzuari i dytë Ramiz Selimi ish mbikëqyrës në këtë bankë gjithashtu për gjashtë vepra penale të “shpërdorimit të detyrës zyrtare”.
Në aktakuzë saktësohet se Filloreta Jakupi me qëllim që vetës t`i sjellë përfitim të kundërligjshëm pasuror i ka lëshuar një kontratë fiktive klientit Ramadan Maliqi për një shumë prej 55 mijë eurove, të cilën kontratë nuk e ka futur fare në sistem. Në këtë rast Ramiz Selimi akuzohet se në bazë të funksionit që ka pasur nuk e ka kryer veprimin e duhur duke mos e mbikëqyrur punën e këshilltares së saj Filloreta Jakupit.
Filloreta Jakupi nuk është ndalur vetëm me këtë klientë. Aktakuza e ngarkon atë se ka vë në lajthitje edhe klientin Shefki Avdija i cili kishte deponuar në bankë 227 (dyqind e njëzetë e shtatë mijë euro). Filloreta Jakupi nga xhirollogaria e këtij të dëmtuari ka bërë transfer të të hollave në mënyrë të kundërligjshme në shumën prej 9200 eurove në xhirollogari të Mirashahe Thaçit (halla e të pandehurës).
E pandehura Filloreta Jakupi gjithashtu akuzohet edhe për dëmtim të klientit Mexhid Zeqiri nga Cërrnica e Gjilanit të cilit në vend se t`ia afatizojë 20000 mijë euro, ajo në sistem fut vetëm 11000 mijë euro duke e dëmtuar për 9000 euro klientin. Vepra tjetër e radhës për Filloreta Jakupin lidhet me të dëmtuarin tjetër Kimete Sylejmanin të cilën e ka dëmtuar për 10000 mijë dollar amerikan.
Filloreta akuzohet edhe për dëmtim të Taip Jakupit duke e dëmtuar për 20 mijë euro. Në të gjitha këto gjashtë raste të veprave penale që ka kryer Filloreta Jakupi akuzohet dhe Ramiz Selimi si mbikëqyrës i saj. Jakupi ka dëmtuar edhe klientin Shemsije Nuhiu.
Në procesin gjyqësor janë paraparë të dëgjohen 12 dëshmitarë dhe palë të dëmtuara. Në hetuesi dhe prokurori Filloreta Jakupi ka mohuar kryerjen e të gjitha veprave penale, por ka pranuar pjesërisht veprën penale ndaj të dëmtuarit Avdi Avdija ku i kishte transferuar 9200 euro në mënyrë të kundërligjshme tek halla e saj.
Ramiz Selimi ndërkaq ka mohuar veprat penale me arsyetimin se nuk ka qenë në dijeni që e pandehura Filloretë të ketë bërë kontrata fiktive.
Ilir Morina zyrtarë në “NLB Bank” i cili ka dëshmuar të martën tha se në cilësinë e anëtarit të komisionit që është formuar nga drejtori i bankës Bujar Basha , ne kemi konstatuar se ka pasur keqpërdorime të mjeteve financiare nga Filloreta Jakupi dhe lëshime të mbikëqyrjes apo kontrollit nga ana e Ramiz Selimit.
Seanca e radhës në këtë proces gjyqësor pritet të mbahet më 24 dhe 25 janar ku edhe pritet të jepen fjalët përfundimtare të mbrojtës dhe të palës së akuzës./rajonipress/