Ish punëtorët e ndërmarrjeve shoqërorë kërkojnë zbatim urgjent të vendimeve gjyqësore
Gjilan – Ish punëtorët e ndërmarrjeve shoqërore të privatizuara pas luftës në Anamoravë përmes një proteste që u mbajt para teatrit të qytetit në Gjilan kanë kërkuar nga AKP-ja dhe komisioni i likuidimit zbatim urgjent të vendimeve të plotfuqishme gjyqësore.
Shiu që ra pa ndërprerë të premtën nuk e ka zbehur protestën e ish punëtorëve të ndërmarrjeve shoqërore të Gjilanit të cilët në shenjë revolte kundër AKP-së kanë protestuar në qendër të qytetit.
Ish punëtorët e ndërmarrjeve shoqërore kanë adresuar disa kërkesa urgjente në adresë të AKP-së dhe të komisionit të likuidimit, por edhe në adresë të institucioneve lokale dhe atyre qendrore.
Aziz Azizi kryetar i BSPK-së për Anamoravë tha se po bëhen 13 vite nga procesi i privatizimit dhe ende nuk po mundemi t`i realizojmë kërkesat tona. “Kërkojmë pagesën e pagave të papaguara për vendet e humbura të punës, kërkojmë nga AKP-ja dhe komisioni i likuidimit që të zbatojë urgjent vendimet e plotfuqishme gjyqësore lidhur me pagesën e pagave të realizuara e të pa paguara nga ish ndërmarrjet, kërkojmë përshpejtimin e dhënies së 20% punëtorëve të cilët kjo e drejt u takon, kërkojmë nga Parlamenti i republikës formimin e fondit social dhe nxjerrjen e një ligji me të cilin do të pensionohen punëtorët e mbetur pa punë në procesin e privatizimit.
Azizi tutje ka kërkuar formimin e një komisioni profesional hetimor që të rishikojë të gjitha kontrata e shitjes. Gjithashtu Bordi i AKP-së duhet të obligohet nga Qeveria që të bëjë likuidimin e ndërmarrjeve derisa nga Parlamenti është kërkuar që të obligojë Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës që sa më urgjentisht dhe me prioritet t`i zgjidhë lëndët e punëtorëve.
Azizi ka thënë në fund se nëse nuk realizohen kërkesat e tyre do të shikojnë mundësin e një proteste masovike në Prishtinë./rajonipress/


