UBT

Isa nuk mundet

/ 6 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Imer Mushkolaj – Kush mund t’i besojë më Isa Mustafës, i cili mori votat me premtimin se do të bëhet kryeministër, por përgjegjësinë ia dha tjetërkujt? Të duash pushtetin e të mos marrësh përgjegjësinë – ky nuk është guxim, por qyqarllëk. Isa, thjesht, nuk mundet.

Isa Mustafa nuk mundi ta mposhtë PDK’në e Hashim Thaçin, ndonëse elektoratin e LDK’së e kishte bindur se mund ta bëjë një gjë të tillë. Ai ua kërkonte votën në emër të postit të kryeministrit, duke provuar t’ua mbushë mendjen se më në fund LDK do ta merrte përgjegjësinë në qeverisje. Por, gjithçka ndryshoi kur partia nuk mundi të dalë e para. Premtimet u harruan, e fjalët i mori era.

Dy ditë pas zgjedhjeve, kur të gjithë pritnin që ai ta marrë përgjegjësinë për dështimin, Mustafa jo që nuk e bëri një gjë të tillë, por nuk e mori përgjegjësinë as të mandatarit të propozuar nga opozita për krijimin e qeverisë. Ai ia la këtë Ramush Haradinajt dhe AAK’së me gati 10 për qind të votave, ndonëse partia e tij mblodhi rreth tri herë më shumë se kaq. Në këtë mënyrë, Mustafa u mjaftua që të jetë “diku” në qeverisje, por pa e marrë përgjegjësinë që i takonte si lideri i partisë së dytë më të madhe. Ose, siç e tha një bashkëqeverisës i tij i sistemit të kaluar, ai e do pushtetin, por nuk do që të marrë përgjegjësi.

Para jo më shumë se tre muajve, Mustafa kishte thënë se për postin e kryeministrit LDK nuk do të bënte pazar me askënd dhe se ai do t’i takonte LDK’së. Por, tash gjithçka ka ndryshuar dhe partia më e madhe opozitare është mjaftuar me postin e kryeparlamentarit (që është e paqartë nëse do t’i takojë) ashtu siç është e paqartë edhe nëse posti i presidentit do të mund ta marrë LDK’ja. Kështu, Mustafa me vetëdije të plotë ka pranuar të tërhiqet nga përgjegjësia që i takonte, duke u përpjekur që në këtë mënyrë t’i ikë edhe përgjegjësisë për dështimin, pasi kishte deklaruar se do të jepte dorëheqje nëse LDK humb zgjedhjet.

* * *

Në qoftë se gjithçka shkon sipas planifikimit të partive opozitare që u bënë bashkë për ta çuar Hashim Thaçin në opozitë, atëherë LDK do të kënaqet me një copë pushteti të ofruar nga Ramush Haradinaj, ashtu siç është kënaqur edhe herë të tjera, edhe pse ka qenë partia më e madhe. Ashtu ndodhi më 2002, ashtu ndodhi edhe më 2004. Atëbotë Ibrahim Rugova ishte i fiksuar pas postit të presidentit. Po tash, pas çkafit është e fiksuar LDK’ja? Duket se qëllimi që ia ka vënë vetes kjo parti është që gjithsesi të jetë në pushtet, por të mos marrë përgjegjësi. Që zyrtarë të partisë të struket aty diku nëpër ministri e të mos bëzajnë. Kaq.

Kjo përgjegjësi bëhet edhe më e madhe tash, kur procese të rëndësishme e presin qeverinë e re. Do të gënjeja po të thosha se besoj që Isa Mustafa do të guxonte të jetë në ballë të këtyre proceseve, si kryeministër. Thjesht nuk mundet, nuk ka guxim.

Mobi Casa

Qeverisja e Kosovës është krejt diçka tjetër krahasuar me Prishtinën, të cilën Mustafa e shijoi për shtatë vjet, duke mos ia dalë që ta bëjë model se si qeveriset. Dhe, kur u mposht nga Shpend Ahmeti, ai asnjëherë nuk e mori qartazi përgjegjësinë për kryeqytetin nën qeverisjen e tij, edhe pse e deshi dhe e shijoi pushtetin.

Do të ndihesha keq po të isha në vend të Mustafës përpara votuesve të LDK’së, të cilët tek ai panë shpresën për ndryshim dhe shpresën për reformim të partisë. Do të ndihesha keq, vërtet, sepse ata e votuan atë për t’u bërë kryeministër, e jo për t’ia dhënë këtë post dikujt me trefish vota më pak. Ata votuan njeriun që nuk ka guxim.

* * *

Gjatë gjithë kohës, në cilësinë e një vëzhguesi politik, ndryshe nga Isa Mustafa, kam qenë tepër i qartë në qëndrimet e mia për nevojën e ndryshimit të qeverisjes. E kam thënë dhe vazhdoj ta them se Hashim Thaçi na ka dhënë argumente e argumente pse nuk duhet më të vazhdojë të keqqeverisë në Kosovë por, po ashtu, Isa Mustafa nuk na ka bindur me argumentet e tij se është i gatshëm dhe i duhuri që ta marrë përgjegjësinë e të parit të qeverisë. Veprimi i tij i fundit besoj se e ilustron këtë më së miri.

Po ashtu, nëse gazetarë e opinionistë kanë qenë haptazi kundër edhe një mandati për Thaçin, kjo kurrsesi nuk do të thotë se ata po i duartrokasin e do t’i duartrokasin një qeverie të mundshme me Haradinajn kryeministër. Ndaç quajini idealistë e ndaç të krisur, por ata do të vazhdojnë të jenë kritikë edhe ndaj punës së qeverisë së ardhshme, me qëllimin që ajo të bëhet sa më e përgjegjshme dhe sa më e dobishme për qytetarin.

Tash për tash askush nuk mund të paragjykojë se çfarë do të jetë qeveria e ardhshme, edhe pse eksponentë të partive politike në koalicion, të cilët kanë qenë më herët në pushtet, na kanë dhënë argumente jo të pakta se dinë ta keqpërdorin pushtetin e ta dëmtojnë shtetin. E për të mos u keqpërdorë pushteti e dëmtuar shteti, duhen njerëz të përgjegjshëm e të guximshëm. Jo si Isa Mustafa.