Isa Mustafa: Njohja e Kosovës nga Serbia realitet jo i largët

Kryeministri Isa Mustafa nuk po mërzitet për deklaratën e ministrit serb të Dretësisë, Nikola Selakovic. Tha se njohja e pavarësisë së Kosovës edhe nga Serbia nuk do të jetë realitet jo i largët.
“Se për këtë paska reaguar keq ministri serb i drejtësisë, Selakoviq, nuk po brengosem, sepse gur gur bëhet mur. Disa gurë të rëndësishëm të njohjes i vëmë kësaj jave në Bruksel, ku mori edhe ai pjesë”, ka thënë Mustafa. “Në drejtësi arritëm t’i aplikojmë ligjet e Republikës së Kosovës në tërë territorin e vendit tonë”, ka shtuar më pas.
Mustafa ka pasur edhe një thumb për Vetëvendosjes, derisa Visar Ymeri sot në seancën e Kuvendit tha që ata që e kanë nënshkruar le ta hanë atë.
“Po habitem pak nga disa njerëz tanë se si nuk po u pëlqen kjo. Unë dyshoj që ata janë kundër sistemit unik të drejtësisë, por nuk jam i sigurt që ata nuk hanë letra, sepse vetë të menduarit se dikush duhet t’i hajë ato, flet se ata edhe atë punë e kanë bërë, por nuk e kam ditur se njeriu bëhen shtatlartë duke ngrënë letra!? Ani, po të kishte hëngër edhe diçka tjetër, ku ta dimë se sa do të rritej”, ka shkruar Mustafa.