Uji Dea

Isa Mustafa: LDK nuk mund ta mposhtë asnjë parti politike

/ 4 minuta lexim

Gjilan- Në një akademi përkujtimore kushtuar Ibrahim Rugovës , lideri i LDK-së Isa Mutafa tha se vlera më e madhe e LDK-së është presidenti i saj historik Ibrahim Rugova. Ai i ka rikujtuar të tjerët se LDK nuk mund ta mposhtë asnjë parti politike, por siç u shpreh ai LDK mund të mposhtet vetëm nga përçarjet brenda saj.

“Vlera më madhe e LDK-së është ka qenë dhe do të mbetet presidenti i saj historik Ibrahim Rugova”. Kështu tha të dielën në Gjilan në një akademi përkujtimore për nder të Ibrahim Rugovës, lideri i LDK-së Isa Mustafa. Në këtë akademi merrnin pjesë edhe Shaip Surdulli, Bajrush Ymeri, Hafiz Gagica, Haki Demolli, Vjosa Osmani etj, transmeton rajonipress.

Mustafa duke folur para aktivistëve të LDK-së tha se LDK është parti e fortë dhe unike dhe atë nuk mund ta mposhtë asnjë parti tjetër politike. “LDK mund ta mposhtin vetëm përçarjet brenda saj sepse sa herë që kemi qenë të përçarë gjithmonë kemi humbur” tha Mustafa.

Lideri i LDK-së ndërkaq duke folur për dimensionet historike të aktivitetit të Rugovës tha se ai ka ditur më mirë se çdo lider tjetër në Evropë të artikulojë kërkesat e drejta të popullit shqiptarë, duke përdorur vetëm tri fjalë të mëdha e që u bënë synim i popullit tonë e ato ishin liria, pavarësia dhe demokracia.

Mustafa tha se Rugova duke ndjekur këtë frymë u bë edhe lider i një mesazhi përçues të frymës paqësore që se kishin parë në Evropë e Ballkan. Ai i hapi të gjitha dyert e Kosovës në shtetet e Evropës. Andaj nga këto premisa rugoviane ne si LDK si anëtarësi e si lidership do ta ngrisim dhe avancojmë në mënyrën më të përkushtuar veprën e tij.

Fundamenti

Mustafa tha se anëtarësia e LDK-së e jo lidershipi është ajo që e kultivon më së miri frymën rugoviane. “Ne do të angazhohemi dhe do ta respektojmë qëndresën tonë rugoviane sepse Rugova u angazhua për një shtet demokratik, ligjor e të lirë. Rugova u angazhua jo vetëm për lirinë e njerëzve , por që ata të kenë punësim, paga të mira, pensione të mira etj.

Musatafa tha se në LDK vota e lirë do të jetë e shenjtë sepse kjo tregon për nivelin e lartë që ka ajo në demokracinë e brendshme.

Kurse Lutfi Haziri kryetar i degës së LDK-së në Gjilan dhe deputet i Kuvendit të Kosovës tha se Gjilani dhe Kosova sot me dhimbje, por edhe me krenari e përkujton presidentin Rugova. “Nuk e kemi pasur të lehtë punën pas vdekjes së Rugovës sepse ai na la në momentet kur më së shumti i duhej Kosovës dhe popullit të saj. Pas vdekjes së Rugovës LDK pati edhe sfida, por tani jemi më të bashkuar e më unik, por mos harroni se themelet e shtetit të Kosovës i vuri presidenti Rugova. Tani pas shtatë vitesh nga vdekja e tij LDK po kthehet fuqishëm aty ku deshi Rugova. Andaj me fanatizëm duhet t`i ruajmë vlerat e krijuara nga LDK dhe Rugova” tha Haziri.

Edhe publicisti Sabit Rrustemi tha se presidenti ynë historik, ishte shembull unikat dhe autokton që buroi edhe nga fisnikërimi dhe shenjtërimi i veprimtares së madhe të humanizmit botëror, Nënë Terezës, duke dëshmuar se në Ballkan është një popull, sa i lashtë, aq edhe fisnik, sa paqësor aq edhe vital që i dhuron botës figura me përmasa ndërkombëtare, siç ishte dhe mbetet edhe Dr. Ibrahim Rugova.

Hafiz Gagica tha se Rugova ishte njeri e burrë i madh i urave të miqësisë ./rajonipress/