Fundamenti

Isa Mustafa: Do ta përfshijmë opozitën në dialog dhe në zbatimin e marrëveshjeve

/ 18 minuta lexim
FIDANISHTJA

Kryeministri i vendit, Isa Mustafa, në një intervistë për Telegrafin deklaroi se viti 2015 do të mbahet mend gjatë si një vit i vendimeve të mëdha, por edhe i sfidave. Ai shprehu bindjen e plotë se viti 2016 do të jetë vit i liberalizimit të vizave, gjë që është e domosdoshme edhe për të zbatuar si duhet Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit.

Intervistoi: Besnike Salihu

Mustafa në këtë intervistë tha se koalicioni me PDK-në po funksionon shumë mirë dhe se nuk ka asnjë arsye që Hashim Thaçi të mos zgjidhet president.

Kreu i ekzekutivit kosovar, duke folur për situatën politike në vend, tha se ende nuk arrin të japë një shpjegim racional për hedhjen e gazit lotsjellës për katër muaj rresht brenda sallës së mbyllur të Kuvendit, ku përveç deputetëve dhe zyrtarëve tjerë ishin prezentë edhe dhjetëra përfaqësues ndërkombëtarë, të shoqërisë civile dhe gazetarë.

Mustafa theksoi se gjatë procesit të dialogut në vijim do të rrisin edhe më shumë transparencën dhe se do të jenë të hapur të përfshijnë opozitën në dialog dhe në zbatimin e marrëveshjeve, të cilat u shpreh se do të bëhen në përputhje të plotë me aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese.

AI më tej thekson se opozita nuk ka kauzë reale për të vazhduar me përpjekjen për të bllokuar punën e institucioneve.

Telegrafi: Kryeministër, po përfundon viti 2015 – pak më shumë se një vit nga qeverisja juaj. si e vlerësoni këtë vit, në përgjithësi?

KY ËSHTË VLERËSIMI I KRYEMINISTRIT PËR VITI 2015

Mustafa: Viti 2015 do të mbahet mend gjatë si një vit i rëndësishëm, vit i vendimeve të mëdha, por njëkohësisht vit kur u ballafaquam me sfida të konsiderueshme. Gjatë kësaj kohe, me përkushtim finalizuam procese shumë të mëdha, aspak të lehta, por të domosdoshme për të ardhmen e vendit. Nënshkruam MSA-në, si hapin më të rëndësishëm të këtij viti. Kaluam vendimin e vështirë, por të nevojshëm të themelimit të Gjykatës Speciale, pastaj u ballafaquam me marrëveshjet e Brukselit të cilat do të implementohen në përputhje të plotë me Kushtetutën.

Nënshkruam Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, ndërmorëm reforma të mëdha ekonomike, nënshkruam marrëveshjen prej një miliard euro për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”. Pas 16 vjetësh filluam dhënien e pensioneve për veteranët e UÇK-së, rritëm ndjeshëm pensionet, asistencën sociale, u punësuan 16 mijë qytetarë, si dhe 2500 të tjerë në bujqësi.

Telegrafi: Fillimi i mandatit tuaj u përcoll me ikje masive të qytetarëve nga vendi? Si ndikoi kjo në punën tuaj dhe në imazhin e vendit në përgjithësi?

Mustafa: Ato zhvillime ishin me të vërtetë dramatike dhe të pashpjegueshme në atë kohë. Por, tashmë e kemi një ide të qartë, se në ato ikje ishin të ndërthurura një varg faktorësh. Ishte një veprimtari e nxitur nga qarqe kriminale për përfitime materiale, pastaj një hapje e plotë e kanaleve në kufirin Serbi-Hungari, diçka e paprecedentë, si dhe një propagandë e përhapur se disa vende të BE-së po kërkojnë punëtorë e do të japin leje qëndrimi.

Të gjitha këto, së bashku me aspektet sociale e ekonomike në Kosovë në fund të vitit të kaluar dhe në fillim të vitit që po e përmbyllim, bënë që një numër i madh njerëzish ia mësynë Evropës, ku arrinin me shumë pak para dhe pa asnjë ndalesë kufitare. Kjo ndikoi që Qeveria e Kosovës, e porsathemeluar në atë kohë, të ndërmerr masa të menjëhershme, të informojë qytetarët se nuk ia vlen të marrin atë rrugë, sepse nuk do të mund t’i gjejnë ato që iu premtoheshin. Morëm më pas masa për kthimin dhe ri-integrimin atyre që kishin ikur. U dëmtua edhe imazhi i Kosovës, por tashmë me rezultatet shumë të mira që kemi arritur në kthimin e qytetarëve tanë, e kemi rikuperuar atë dëm dhe qasja jonë në raport me këtë problem po vlerësohet e po merret si sukses nga partnerët evropianë. Vlen të ceket se tashmë vet qytetarët tanë që ikën në atë kohë, rreth 60 për qind e tyre, kanë kërkuar vullnetarisht të kthehen në Kosovë.

Telegrafi: Kryeministër, gjatë kësaj kohe të qeverisjes, si ka funksionuar koalicioni LDK-PDK? Sa është stabil?

THAÇI SIVJET PRESIDENT, SJELLJET E OPOZITËS TËRËSISHT IRRACIONALE

Mustafa: Koalicioni me PDK-në, por edhe me partnerët tjerë nga komunitetet joshumicë – serbët, boshnjakët, turqit dhe komunitetet tjera – gjatë këtij viti ka funksionuar mirë. Nuk kemi pas vështirësi, as probleme që e cenojnë stabilitetin e Ekzekutivit. Përkundrazi, si rezultat i partneritetit që kemi pasur, kemi arritur të adresojmë sfida të mëdha gjatë këtij viti.

Telegrafi: Keni një marrëveshje me PDK-në për zgjedhjen e Thaçit president. A do ta votojë partia juaj Thaçin president?

Mustafa: Nuk kemi asnjë arsye për të mos e zbatuar këtë pjesë të marrëveshjes sonë politike, të cilën e kemi nënshkruar me vullnet të plotë. Edhe partia ime, edhe të gjithë partnerët tjerë të koalicionit do ta votojnë zgjedhjen e z. Thaçi president, sepse ne jemi marr vesh në atë mënyrë.

Telegrafi: Çka nëse dështon votimi i Thaçit për president? A do të prishet koalicioni?

Mustafa: Nuk ka asnjë arsye që të dështojë. Ne i kemi votat, e kemi stabilitetin e nevojshëm dhe partneritetin e duhur që t’i përmbahemi të gjitha zotimeve tona që janë paraparë në marrëveshjen e koalicionit qeverisës.

Telegrafi: Si i vlerësoni veprimet e fundit të opozitës: hedhjen e gazit lotsjellës dhe bllokimin e Kuvendit?

Mustafa: Duke dashur ta konsideroj si pjesë e të kaluarës tërë atë që ndodhi gjatë katër muajve të fundit, në respekt të pyetjes tuaj e them se jam ndjerë thellësisht i befasuar, nganjëherë i dëshpëruar, me disa situata që i kam përjetuar në seancat e Kuvendit. Nuk arrij ende të jap një shpjegim krejt racional se si pat mundësi që të hidhet gaz lotsjellës për katër muaj rresht, brenda sallës së mbyllur të Kuvendit, ku përveç deputetëve dhe zyrtarëve tjerë ishin prezentë edhe dhjetëra përfaqësues ndërkombëtar, të shoqërisë civile dhe gazetarë. Andaj, e kam të vështirë të jap ndonjë vlerësim shumë racional, sepse disa prej ngjarjeve në Kuvend, por edhe jashtë tij, e tejkaluan çdo lloj sjellje racionale.

Telegrafi: Të flasim edhe për situatën e muajve të fundit, kur vendi është në krizë. Si do ta filloni Vitin e Ri?

JA OFERTA PËR OPOZITËN DHE INTERPRETIMI I QEVERISË PËR VENDIMIN E KUSHTETUESES

Mustafa: Unë besoj shumë se tashmë është tejkaluar situata e vështirë që u krijua pas kontestimit të ashpër të marrëveshjeve të Brukselit për Asociacionin dhe Demarkacionin me Malin e Zi. Ne do të fillojmë vitin 2016 plotësisht të hapur për të biseduar, brenda institucioneve, me opozitën, për çdo proces apo temë të rëndësishme që ata e vlerësojnë se ka nevojë. Do të jemi shumë transparentë në hapat tanë, do të fokusohemi tërësisht në zhvillimin ekonomik, në liberalizimin e vizave, në zbatimin e MSA-së dhe në fuqizimin e shtetit ligjor e luftimin e korrupsionit.

Telegrafi: Ju si kryeministër, çfarë do të bëni për t’i ulur në bisedime opozitën? A mendoni se keni bërë mjaftë për të qenë transparent me opozitën në lidhje me bisedimet me Serbinë dhe marrëveshjet?

Mustafa: Do të vazhdojmë të jemi plotësisht të hapur dhe e përsërisim ftesën e sinqertë për të biseduar në çdo kohë, brenda institucioneve të Kosovës, dhe për të trajtuar çdo lloj çështje apo shqetësimi të opozitës. Sa i përket transparencës, mund të them se gjatë procesit të dialogut në vijim do të rrisim edhe më shumë transparencën dhe do të jemi të hapur të përfshijmë opozitën në dialog dhe në zbatimin e marrëveshjeve të cilat do të bëhen në përputhje të plotë me aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese.

Telegrafi: Si do të veproni me Marrëveshjen për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe dhe atë për Demarkacioni me Malin e Zi? A do ta respektoni vendimin e Kushtetueses?

Uji Dea

Mustafa: Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese ka rikonfirmuar se dialogu i zhvilluara dhe veprimet e Qeverisë, të ndërmarra në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE dhe të mbështetura nga SHBA-të, në veçanti për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, kanë qenë në mbrojtje të plotë të interesave të shtetit dhe nuk lanë hapësirë për t’i dhënë Asociacionit kompetenca ekzekutive apo për të krijuar nivel të tretë të pushtetit.

Gjykata e qartësoi se themelimi i Asociacionit është detyrim dhe është pjesë e sistemit juridik të Kosovës dhe parashikon themelimin e këtij Asociacioni me Statut dhe definon strukturën e Asociacionit.

Gjykata Kushtetuese, po ashtu, pas vlerësimit të Parimeve të përgjithshme konstatoi se një pjesë e këtyre parimeve nuk janë tërësisht në përputhshmëri me frymën e Kushtetutës. Por, kjo rikonfirmoi se Qeveria e Kosovës ka qenë me të drejtë insistuese në Bruksel, duke ia arritur qëllimit, që Gjykata Kushtetuese domosdoshmërish të përfshihet në vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së secilit akt juridik që i paraprin themelimit dhe funksionimit të Asociacionit, duke u siguruar njëkohësisht që Serbia zyrtarisht të njoh autoritetin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, në çdo hap të themelimit të këtij Asociacioni.

OPOZITA NUK KA KAUZË REALE, ZGJEDHJET MË 2018

Qeveria vlerëson vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe udhëzimet e paraqitura dhe është e përkushtuar për të përmbushur detyrimet ligjore dhe kushtetuese në këtë proces. Pra, Qeveria tani do të angazhohet që i tërë procesi dhe çdo akt juridik për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe do të bëhet duke u bazuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Ky vendim siguron që procedurat e mëtejme të bëhen në korniza dhe duke respektuar parimet kushtetuese.

Sa i përket Demarkacionit, unë jam i mendimit se është qartësuar tërësisht me qëndrimin e Departamentit amerikan të Shtetit se ky proces është në përputhje të plotë me hartat dhe me realitetin faktik. Por, gjithsesi, për hir të transparencës dhe në funksion të debatit institucional me opozitën, Qeveria është e gatshme që të sigurojë ekspertë me renome ndërkombëtarë, të cilët, së bashku me ekspertët e opozitës dhe me komisionin qeveritar do të rivlerësojnë të gjithë procesin që qoi në nënshkrimin e marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

Telegrafi: Në rast të mos zgjidhjes së krizës politike, sa jeni ju si LDK të gatshëm për zgjedhje dhe sa është vendi i gatshëm për zgjedhe të reja?

Mustafa: Sipas këndvështrimit tim, opozita nuk ka kauzë reale për të vazhduar me përpjekjen për të bllokuar punën e institucioneve. Aktgjykimi afirmativ i Gjykatës Kushtetuese dhe qëndrimi i Departamentit Amerikan të Shtetit, institucione me besueshmëri maksimale tek qytetarët tanë, kanë dëshmuar se nuk ka asnjë arsye që të kemi probleme duke u thirrur në këto dy çështje.

Në anën tjetër, Qeveria ka mbështetjen e një shumice prej më shumë se dy të tretave në Kuvend, ka legjitimitet dhe legalitet të plotë, ka stabilitet të brendshëm dhe përkrahje të plotë të partnerëve ndërkombëtarë, SHBA-ve dhe vendeve të BE-së. Andaj, janë këto parametrat që përcaktojnë se a ka nevojë të shkohet në zgjedhje apo jo.

Kjo nuk është çështje gatishmërie dhe vullnetesh individuale. LDK nuk trembet asnjëherë nga zgjedhjet, sepse ka kapacitete të mjaftueshme për t’u përballur në terrenin elektoral në çdo kohë. Por, ju them me plotë bindje se zgjedhje parlamentare nuk do të ketë deri në vitin 2018. Nuk është precedent i mirë dhe nuk i kontribuohet as stabilitetit politik në të ardhmen, që zgjedhjet të imponohen në mënyrë artificiale, e pa kurrfarë baze dhe interesi qytetar. Respektimi i kalendarit elektoral është në favor të demokracisë dhe të zhvillimit të gjithanshëm të vendit.

Telegrafi: A do të vazhdojnë bisedimet me Serbinë? A po insiston Kosova në vendosjen e agjendës për bisedime me Serbinë, apo agjenda po varet kryekëput nga Brukseli dhe Serbia?

BEOGRADI PRANOI IMPONIMET TONA

Mustafa: Procesi i bisedimeve pritet të vazhdojë, por ne do të insistojmë që ky proces të varet nga zbatimi i marrëveshjeve nga pala serbe dhe nga një qartësi më e madhe e përfitimeve të Kosovës.

Kosova, me përkrahjen e vendeve mike, SHBA-së dhe vendeve tjera, në vazhdimësi ka insistuar dhe ka arritur të vendos për çështje madhore në kuadër të procesit të bisedimeve. Kjo agjendë kurrë nuk është varur, siç shpreheni ju “kryekëput nga Serbia”. Po të ishte për Serbinë, tjera gjëra do të diskutoheshin ose nuk do të kishte dialog fare.

Me këtë rast, më lejoni t’ju them, për shembull, se pala kosovare arriti që të fusë në marrëveshjen e Asociacionit dhe ta detyrojë Serbinë që zyrtarisht të pranojë që Gjykata Kushtetuese e Kosovës është organi i vetëm kompetent i cili do të vlerësoj çdo hap që do të bëhet në themelimin e këtij Asociacioni, që ai të jetë në përputhje me standardet kushtetuese të Republikës së Kosovës. Kjo është e shkruar, e zeza në të bardhë, në Marrëveshje.

E, këtë e arritëm ne në bisedime: nuk e kërkoi Beogradi, por u detyrua ta pranojë. Me vendosmërinë dhe këmbëngulësinë tonë parimore, si dhe me përkrahjen e SHBA-ve, Gjermanisë dhe miqve tjerë në këto bisedime, po shuhen strukturat paralele, po shtrihet sovraniteti i shtetit në tërë territorin.

Telegrafi: Të flasim pak, edhe për Gjykatën Speciale. Tashmë dihet se janë disa marrëveshje me Holandën rreth Gjykatës Kushtetuese, kur pritet Gjykata të jetë funksionale? Po ashtu është raportuar se tashmë janë gati aktakuzat, sa jeni në dijeni dhe çfarë po bëhet momentalisht?

Mustafa: Puna më e madhe sa na takon neve është kryer sa i përket Gjykatës Speciale. Ne i kemi bërë ndryshimet kushtetuese të cilat e mundësojnë themelimin e dhomave të veçanta, e kemi aprovuar edhe ligjin për këtë. Tani ka mbetur të kryhet puna e marrëveshjes me Holandën, pasi që janë harmonizuar edhe në nivel të grupeve teknike, si vend nikoqir i dhomave të veçanta. Pra, tani mbetet të bëhet procedimi nga ana e Holandës. Se kur do të fillojë të aktivizohet Gjykata nuk kemi informata të sakta, pasi janë çështje që ndërlidhen me përgatitjet e stafit, të gjyqtarëve. Po ashtu, ne nuk kemi informata as për aktakuzat eventuale.

Telegrafi: Në këtë drejtim, të flasim edhe pak për politikën e jashtme. Kosova dështoi të anëtarësohet në UNESCO, këtë vit janë vetëm tri njohje, ndërsa kosovarët ende mbesin të izoluar? Si mund të vlerësohet politika e jashtme?

Mustafa: Përkundër aspekteve që ju përmendët, mendoj se ka vend për optimizëm dhe për vlerësim të punës që është bërë në këtë drejtim. Mendoj se subjektiviteti ndërkombëtar i Kosovës është fuqizuar në këtë periudhë. Këtë e kanë dëshmuar aktivitetet tona, pjesëmarrja në forumet e nivelit global, siç ishte Forumi i ftuar nga Presidenti Obama në luftën kundër ISIS-it, ku ne u ftuam si të gjitha shtetet tjera të botës, apo edhe lobimi ynë i fuqishëm në Selinë e Kombeve të Bashkuara, gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme në New York. Sa i përket UNESCO-s, duhet të ndihemi optimist pasi që morëm 92 vota, gati dyfish më shumë se Rusia e Serbia bashkë, me kampanjën e tyre raciste. Për fat të keq munguan edhe tri vota që të anëtarësohemi.

Çështja e liberalizimit të vizave është më komplekse, dhe nuk varet vetëm nga performanca jonë, përndryshe ne parimisht është dashur që t’i kishim hequr vizat kohë më parë.

Telegrafi: Deri tani është folur shumë për liberalizimin, duke premtuar se shumë shpejt qytetarët e Kosovës do të lëvizin lirshëm. Ju, si kryeministër, a mund të na thoni konkretisht dhe realisht se kur janë gjasat që qytetarët të mund të lëvizin lirshëm?
Mustafa: Pa dashur që t’ju ngarkoj me shpjegime procedurash, mund t’ju siguroj se Qeveria e Kosovës i ka përmbushur kriteret për liberalizim të vizave nga BE-ja. Tashmë edhe Komisioni Evropian ka dhënë raport pozitiv, të fundit për këtë çështje, por që ka kërkuar finalizimin edhe të tetë rekomandimeve të cilat ne do t’i përfundojmë para fundit të janarit.

SHUMË SHPEJTË BRENDA KËTIJ VITI, DO TË KETË LIBERALIZIM VIZASH

Pra, ne tashmë i kemi përmbushur kriteret bazë dhe po i adresojmë me përkushtim edhe disa rekomandime, disa prej të cilave janë paksa të rralla, pasi që të njëjtat nuk janë kërkuar nga vendet tjera as për anëtarësim në BE, se lërë më për liberalizim vizash. Sido që të jetë, ne jemi të bindur se KE do të rekomandojë datën e liberalizimit të vizave gjatë dy muajve të parë të vitit të ardhshëm dhe se brenda këtij viti, jo shumë larg, qytetarët e Kosovës do të udhëtojnë pa viza.

Pra, tani kjo nuk është më çështje e vendimit politik të BE-së, dhe ne presim me plotë të drejtë që BE të marr përgjegjësitë e saj karshi Kosovës. Çdo vonesë është e padrejtë. Nuk ka më, asnjë më të voglën arsye, që më pak se dy milionë qytetarë të Kosovës të jenë të vetmit qytetarë të rajonit dhe më gjerë, që iu mohohet e drejta elementare për të lëvizur të lirë në vendet e BE-së, kur shteti i tyre ka përmbushur dyfish më shumë kritere, ka dëshmuar përkushtim në çdo proces evropian. Jam besimplotë se viti 2016, do të jetë vit i liberalizimit të vizave, gjë që është e domosdoshme edhe për të mundur që të zbatojmë si duhet MSA-në.

Telegrafi: Cili do të jetë fokusi i juaj si kryeministër gjatë vitit 2016?

Mustafa: Gjatë vitit 2016 do të përqendrohemi në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të vendit, sjelljen e investimeve të huaja, hapjen e vendeve të reja të punës, në proceset integruese evropiane, liberalizimin e vizave, forcimin e shtetit ligjor dhe luftimin e pakompromis kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Do të punojmë në transformimin e FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës, anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar. Gjatë këtij viti që po e lemë pas, kemi shtruar një bazë të fuqishme ligjore dhe kemi ndërmarrë reforma thelbësore, në mënyrë që të gjitha këto prioritete kryesore dhe prioritete të tjera të rëndësishme të mund të përmbushen. Ne i kemi kapacitetet dhe vullnetin e nevojshëm si dhe përkrahjen e duhur qytetare, që na motivon të punojmë me përkushtim që t’i përmbushim këto synime dhe kërkesa të qytetarëve tanë. /Telegrafi/

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Nëse e çaktivizoni këtë cookie, ne nuk do të jemi në gjendje t'i ruajmë preferencat tuaja.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.