Hidromorava

Isa i butë

/ 6 minuta lexim
Mobi Casa

Isa Mustafa po shfaqet më i butë ndaj Atifete Jahjagës sesa zyrtarët e partisë së tij. Kryetari i LDK’së kërkoi të martën nga Presidentja e Kosovës ta respektojë marrëveshjen që e solli në krye të shtetit, por s’e përmendi dorëheqjen e saj.

Mustafa e shfrytëzoi takimin e Këshillit për Integrime Europiane për të kërkuar përfundimin sa më të shpejtë të reformës zgjedhore.

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka kërkuar edhe njëherë nga Atifete Jahjaga ta respektojë marrëveshjen që e ka sjellë këtë të fundit në krye të shtetit.

Mustafa ka shfrytëzuar një takim të Këshillit Kombëtar për Integrime, që është mbajtur nën kryesimin e Jahjagës, të martën për t’ia rikujtuar asaj se është bërë Presidente e vendit në bazë të një marrëveshjeje të liderëve politikë.

Këto deklarata kreu i LDK’së i ka bërë në prani të krerëve të institucioneve vendëse e ndërkombëtare. Në takim kanë qenë të pranishëm Përfaqësuesi i Bashkimit Europian në Prishtinë, Samuel Zbogar, Kryeparlamentari Jakup Krasniqi, Kryeministri Hashim Thaci si dhe përfaqësues të opozitës dhe të mekanizmave tjerë.

Po ashtu Mustafa ka përmendur edhe çështjen e reformës zgjedhore, për të cilën liderët po ashtu nuk po gjejnë aktualisht pajtueshmëri, duke mos mundur madje as të mblidhen në një takim për të vendosur rreth zonave zgjedhore.

“Ne përkrahim tërësisht reformat, të cilat parashihen si kusht që ne të avancojmë në proceset e integrimeve evropiane, duke e përfshi edhe reformën kushtetuese edhe reformën zgjedhore dhe besojmë se këto reforma do të zhvillohen në pajtim me rezolutën e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe në pajtim me marrëveshjen tonë politike, që është edhe kusht i veçantë që ato të implementohen në qoftë se bëhen në pajtim me këto qëndrime”, ka thënë Mustafa.

Por, Mustafa është shfaqur paksa më i butë se zyrtarët tjerë të LDK’së, të cilët kanë kërkuar nga Jahjaga të japë dorëheqje nga posti i Presidentes.

Siç dihet, Jahjaga i ka shkruar Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, ku është shprehur kundër shkurtimit të mandatit të saj përmes amendamentimit të Kushtetutës. Jahjaga ka thënë se një gjë e tillë shkel të drejtat e njeriut. Por, kjo në LDK është parë si një dëshirë e Jahjagës që të mbetet në krye të shtetit në mandat pesëvjeçar.

“Presidentja e di se si është zgjedhur dhe duhet të dijë mënyrën e përfundimit të mandatit të saj presidencial”, kishte thënë deputeti i LDK’së, Lutfi Haziri në një prononcim për Express.

Fundamenti

Por, kjo çështje të martën nuk është përmendur nga pjesëmarrësit tjerë në takim.

Mustafa ndërkaq është shfaqur i drejtpërdrejtë kur ka folur për përmbylljen e pavarësisë, duke thënë se tani nuk është koha për të kremtuar.

“LDK i ka dhënë mbështetje përmbylljes së pavarësisë së mbikëqyrur, por po ashtu ne konsiderojmë se ne akoma nuk jemi në situatë që ne të kremtojmë këtë të arritur tonën. Sepse konsiderojmë se ne duhet të kremtojmë në radhë të parë përgjegjësinë që e kemi marrë dhe këtë përgjegjësi duhet ta zbatojmë më drejtësi të plotë”, ka thënë ai.

“Gjithë ata që ne kemi kërkuar nga komuniteti ndërkombëtar në pikëpamje të mbikëqyrjes duhet tani ta realizojmë si përgjegjësi tonën të brendshme në mënyrë që të sillemi në formë të drejtë, të zbatojmë ligjin dhe të heqim dorë prej formave partizane të arritjes së interesave brenda shtetit”, ka shtuar ai.

Një ditë pas vendimit të Grupit Drejtues Ndërkombëtar për përmbylljen e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës, edhe liderët tjerë të vendit kanë vlerësuar se duhen reforma dhe unitet politik në rrugën e integrimeve evropiane të Kosovës.

Kreu i ekzekutivit Hashim Thaçi, duke folur për vendimin e GDN’së, ia adresoi meritat për dhënien e dritës jeshile për përmbylljen e mbikëqyrjes së pavarësisë spektrit politik, nga i cili kërkoi edhe më tej unitet në proceset e rëndësishme për shtetin.

“Ky unitet, që ka ndikuar pozitivisht në përmbylljen e pavarësisë së mbikëqyrur të Kosovës, është më së i nevojshëm sa i përket përkrahjes së çështjeve madhore dhe me interes strategjik të Republikës së Kosovës. Kultivimi i këtij unitetit politik është njëra prej këtyre çështjeve madhore strategjike. Pra, përmes këtij uniteti politik rruga drejt integrimeve europiane do të jetë më e lehtë dhe më e shkurt”, ka thënë ai.

“E nderuar Presidente, të nderuar të pranishëm, duke marrë parasysh se procesi i integrimit është një proces afatgjatë dhe jo i lehtë që kërkon reforma të thella, është me rëndësi që të vazhdojmë të mbajmë kursin pozitiv aktiv të progresit tonë. Në këtë drejtim bashkëpunimi dhe dialogu i vazhdueshëm, pozitë e opozitë, Presidencë dhe Kuvend dhe mekanizma të tjerë të shoqërisë civile është esencial për suksesin”, shtoi Thaçi të martën.

Kryeparlamentari Jakup Krasniqi, ndërkaq, është shprehur i bindur që Kuvendi do t’i miratojë të gjitha ndryshimet e nevojshme kushtetuese për përmbylljen e tërësishme të procesit ë mbikëqyrjes ndërkombëtare në fillim të shtatorit të këtij viti.

Këshilli Kombëtar për Integrime Europiane, i themeluar nga Presidentja Atifete Jahajaga, është mbledhur për herë të dytë, por pos fjalimeve të liderëve nga takime të këtij lloji nuk rezulton asgjë konkrete.(express)