Isa heq dorë nga blloku i djathtë
Rezultatet në zgjedhjet e fundit lokale siç duket e kanë trimëruar kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafën, i cili tashmë nuk po kërkon krijimin e koalicionit parazgjedhor me partitë e djathta, por po përgatitet që në zgjedhje e ardhshme parlamentare të shkojë i vetëm.
Idenë për krijimin e një blloku të së djathtës, Mustafa e ka paraqitur para disa muajsh duke menduar t’i koordinojë në një vijë LDK-në, AAK-në, AKR-në, LDD-në dhe disa parti të vogla. Ndërsa tani në LDK nuk po përmendet ky opsion, për faktin se në zgjedhjet e fundit, LDK ka dalë partia fituese, duke e rritur dukshëm elektoratin dhe duke fituar disa nga komunat më të fuqishme në vend. Edhe pse përpjekja e dikurshme e liderit opozitar u duk e pamundur, megjithatë ai tash do të shkoj i vetëm kundër PDK-së.
Krijimin në blloqe, megjithatë edhe analistët e vlerësojnë si të pamundur, për shkak se në Kosovë nuk janë profilizuar ideologjikisht partitë politike. Sipas tyre, deklarimet e partive politike si parti të djathta janë deklarime retorike sepse në ide dhe pikëpamje janë majtiste. Në anën tjetër partitë politike ia hedhin “topin” njëra-tjetrës duke thënë se ato nuk janë të profilizuara dhe se kanë nevojë për një përcaktim ideologjik.
Siç duket edhe vet LDK-ja ka ndërruar mendje në lidhje me krijimin e blloqeve parazgjedhore. Kjo parti mendon që t’i masë forcat si parti e vetme e pas zgjedhjeve të mendojë se me cilën parti do të bëjë koalicion. Në anën tjetër Partia Demokratike e Kosovës konsideron se partitë tjera kanë nevojë që të profilizohen përfundimisht e pastaj do të mundë të mendohet për bashkëpunim mbi baza ideologjike.
Anëtarja e Kryesisë së LDK-së, Vjosa Osmani, ka deklaruar se kjo parti nuk ka ndonjë vendim apo shqyrtim sa i përket asaj se me kë mund të hyjë në koalicion parazgjedhor.
“LDK nuk bën koalicione parazgjedhore, ne presim që të jemi fitues të këtyre zgjedhjeve dhe si mandatarë të Qeverisë kur të vendosë që të bëjë koalicion me një parti ose me një tjetër gjithmonë ka parasysh ideologjinë e përafërt, i ka parasysh partitë që konsiderohen të krahut të njëjtë ideologjik, përkundër atyre që janë në krahun e kundër, pra që janë parti të majta”, ka thënë Osmani.
Në anën tjetër nënkryetari i PDK-së, Hajredin Kuçi, ka deklaruar se para se të mund të mendohet në blloqe të tilla duhet që partitë politike të bëjnë një profilizim të mirëfilltë.
“Dihet që Partia Demokratike e Kosovës e ka profilizuar veten në Kuvendin e saj të fundit, si parti e qendrës së djathtë. Kështu që presim që edhe partitë tjera të profilizohen edhe më tej dhe të sqarohet bashkëpunimi mbi bazën e profileve politike dhe jo të numrave të domosdoshëm”, ka thënë Kuçi…(Zëri)


