Investimet në bujqësi parciale

Gjilan – Bujqësia në Gjilan nuk është tregim i suksesit siç pretendon pushteti lokal,por ajo vazhdon të mbetet një tregim i pa perspektivës. Kështu është shprehur Ramiz Ramadani këshilltar komunal nga radhët e LDK-së.

Sipas, Ramadanit po ndodhin kryesisht investime parciale,dhe nuk po ka mundësi të regjenerimit të vendeve të reja të punës. Ramadani ka thënë se për LDK-në e Gjilanit janë të papranueshme edhe kushtëzimet që po bëhen në subvencionet për bujqësi. Ai tha se pas kushtëzimeve jo ligjore të qytetarëve nga ana e Kuvendit të Komunës për kryerje të shërbimeve me kushtëzim të shlyerjes së obligimeve ndaj kompanive publike, si duket u josh edhe Drejtoria e Bujqësisë dhe ka filluar aplikimin e kushtëzimit të subvencioneve me pagesën e tatimit në pronë.

“LDK-ja, e mbështet dhe vlerëson të domosdoshme pagesën e tatimit në pronë, bile do t`i mbështesim edhe kushtëzimet për pagesën e tatimit në pronë aty ku lejon ligji dhe për kategorinë e konsoliduar, por se asnjëherë nuk do ta mbështesim asnjë kushtëzim për bujqit”, ka thënë Ramadani. Sipas tij, nga subvencionimi i mbjelljeve pranverore të vitit të kaluar në vlerë prej 29.926 €, kanë përfituar 492 fermerë, ose shprehur në vlerë 60.82 € për fermerë. Ky kushtëzim i ka suspenduar më tepër se 250 fermerë me kushte të rënda ekonomike, kategori kjo që i është dedikuar subvencioni.

Vlera e subvencionimit të mbjelljeve pranverore për këtë vit ka qenë 35.000 €, ndërsa kanë përfituar 250 fermerë që i bie 140 € për fermerë. “Kjo konsiderojmë se është keqpërdorim dhe dëmtim eklatant i buqëve me kushte të rënda ekonomike”, ka thënë Ramadani. Ai ka përkujtuar raportin vjetor të paraqitur nga Drejtoria komunale e Bujqësisë ku ishin prezantuar milionat e investuara në bujqësinë Gjilanas. Por se sipas Ramadanit investimet e tërësishme kapitale në sektorin e bujqësisë gjatë vitit 2011, ishin 57.450 €..“Le të mbetet në vlerësimin e secilit bujk a qytetar, se a siguron zhvillim dhe vende të punës ky investim”, ka thënë Ramadani, për të shtuar se dëshiron të sqaron për të mos krijuar huti tek bujqit, se 1.5 milionë euro janë mjete të Komisionit Evropian dedikuar tri kompanive gjilanase për ngritje të kapaciteteve përpunuese.

LDK për tetë vite asgjë nuk ka bërë për sektorin e bujqësisë

Ndryshe nga LDK mendon drejtori i bujqësisë Nazmi Rapuca. Rapuca thotë se është e vërtetë që bujqësia e Gjilanit është tregim suksesi. “Këtë më së miri e vërteton e dhëna se për katër vite të qeverisjes së PDK, me partnerët e koalicionit, në bujqësinë e Gjilanit kanë ardhur afër 5 milion investime nga burime të ndryshme si:Ministria e bujqësisë,komuna dhe donatorët e ndryshëm. Të gjitha këto të dhëna janë të dokumentuara në raportet tona dhe së fundi në broshurën e Komunës. Rapuca tha se sukseset që po ndodhin në këtë segment po i djeg LDK-së, pasi ata për 8 vite qeverisje nuk patën bërë asgjë për të-bujqësinë.

Se si po trajtohen fermerët sot, më së miri e dinë vet ata (fermerët). Të gjitha këto i dinë më së miri vet Ramiz Ramadani i LDK-së, por ai e ka nëpërkëmbur vetën e tij, për interesa të partisë së tij, dhe po mundohet të manipulojë me opinionin. Rapuca me ironi tha se për fermerët e komunës së Gjilanit, do të ishte fatkeqësi, kthimi eventual i LDK-së në pushtet./rajonipress.com/

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS

Vërejtje!

RajoniPress.com nuk do të botojë shkrime që nuk i përmbushin kriteret dhe standardet profesionale të gazetarisë bashkëkohore. Nuk do të ketë për askënd mbyllje apo censurë, por jemi të fokusuar që në këtë agjenci, lajmi, shkrimi, raporti, intervista dhe opinioni të plotësojnë kriteret profesionale. Gjithashtu opinionet, analizat, komentet, nuk duhet të shkelin parimet etike (gjuhën e urrejtjes, fyerjet, diskriminimet e çfarëdoshme).