Investime kot
Investimet e Qeverisë së Kosovës në divizionin e shpërndarjes dhe furnizimit nuk po ndalen as tani që këto njësi janë privatizuar.
Vendosja e njehsorëve digjitalë është vetëm një nga projektet milionëshe që po vazhdon të zbatohet me vendim të Bordit të Korporatës Energjetike, të aprovuar nga Ekzekutivi. Në KEK thonë se kështu do të vazhdojnë deri në dorëzimin e detyrës te privatizuesi, që pritet të ndodhë në bazë të kontratës kah mesi i vitit të ardhshëm.
E shitën por ende po investojnë në të.
Qeveria e Kosovës nuk ka dhënë ndonjë urdhër që të ndalen investimet në divizionin shpërndarjes dhe furnizimit të KEK-ut, as kur ka filluar procesin e privatizimit e as tani që është nënshkruar kontrata me konzorciumin Limak&Calik nga Turqia.
Vendosja e njehsorëve digjital është vetëm një nga projektet milionëshe që po vazhdon të zbatohet me vendim të Bordit të Korporatës, të aprovuar nga Ekzekutivi që nga viti 2008.
Zyrtarët e korporatës thonë se kështu do të vazhdojnë deri në dorëzimin e detyrës tek privatizuesi, që pritet të ndodhë në bazë të kontratës kah mesi i vitit të ardhshëm.
Ndryshe është vepruar në rastin e Postes dhe Telekomit të Kosovës, pasi kësaj ndërmarrje i janë bllokuar të gjitha investimet që nga fillimi i procesit për privatizim.
Për përfaqësuesit e shoqërisë civile kjo nuk vlerësohet si veprim i mirë i institucioneve të vendit sa i përket menaxhimit të pasurive kombëtare. Madje shihet me dyshim se Qeveria e vendit po u del në krah investitorëve më tepër se që duhet duke ua ulur vlerën kompanive publike.
Megjithatë, në KEK arsyetohen se gjithçka po bëjnë me miratimin e aksionarit.
“KEK-punon në bazë të biznes planit dhe buxhetit i cili është aprovuar nga bordi i drejtorëve dhe ka miratimin e aksionarit. Në bazë të tij deri në momentin e transferimit të pjesës së shpërndarjes dhe furnizimit tek pronari i ri konform kontratës së nënshkruar nga Qeveria e Republikës së Kosovës, menaxhementi i KEK-ut ka përgjegjësi të plotë dhe autorizimet për drejtimin edhe të kësaj pjese të korporatës”, shpjegon Viktor Buzhala, zëdhënës i korporatës.
Instalimi i njësorëve digjital, ai thotë se ka filluar më herët dhe nuk ndërlidhet me procesin e privatizimit.
Sipas tij, deri më 30 nëntor të këtij viti janë instaluar 50,772 njehsor digjital ndërsa deri në fund të vitit planifikohet instalimi i 75 mijë njësorëve në total.
I tërë investimi kapë shumën 3.4 milion euro që nga fillimi i zbatimit të këtij projekti.
Buzhala thotë se digjitalizimi është proces që ka filluar para shumë vjetësh dhe duhet të mos ndërpritet, sepse tani është epoka digjitale, dhe çdo ndërprerje sjellë ngecje në këtë drejtim, e që sipas tij, pritet të jetë synim edhe i pronarit të ri.
“Ky projekt është treguar shumë i suksesshëm dhe më së shumti përfitojnë konsumatorët që paguajnë faturat e tyre”, thekson Buzhala.
Me njësorët e ti jo të gjithë konsumatorët janë të njëjtit mendim me zyrtarët e korporatës.
Disa familjar që tashmë janë pajisur me këto orëmatës, ankohen se po i paguajnë më shtrenjtë faturat e energjisë elektrike.
Pavarësisht kësaj, vendosmëria e KEK-ut që të investoi në një pjesë të ndërmarrjes që tashmë e ka shitur për përfaqësuesit e shoqërisë civile është e pa arsyeshme.
Drejtori i Institutit për Studime të Avancuara, GAP, Agron Demi, thotë se vetëm në nëntë mujorin e vitit 2012 KEK-u ka investuar në rrjet 2.1 milion euro dhe vazhdon të investoj edhe në muajt e fundit.
“Ky investim shtesë nuk do të ketë asnjë ndikim në çmimin e shitjes për konsorciumin turk”, pohon Demi.
Sipas tij, me rastin e KEDS, Qeveria e Kosovës nuk e ka përcjellë shembullin e njëjtë si me atë të PTK-së, kur ishte marrë vendim për pezullimin e të gjitha investimeve në PTK, pasi që ishte marrë vendimi për shitjen e saj.
“Qeveria e Kosovës, përmes KEK-ut, por edhe komunat e Kosovës, kanë vazhduar të investojnë në rrjetin e energjisë elektrike, edhe kur Qeveria e Kosovës ka marr vendim për privatizimin e KEDS, edhe kur është shpallë fituesi, por investimet janë duke vazhduar edhe tashmë kur është nënshkruar kontrata”, thotë Demi.
Ne fillim të tetorit 2012, Instituti GAP ka publikuar një analizë në të cilën janë listuar investimet e Ekzekutivit në rrjetin e energjisë në vetëm pesë vitet e fundit, të cilat janë 55 milion euro për periudhën 2007 – shtator 2012.
Demi thotë se në asnjë rast Institucionet nuk kanë qenë transparent për asetet e korporatës dhe Instituti GAP, në nëntor të këtij viti ka dorëzuar zyrtarisht një padi në Gjykatën Komunale të Prishtinës kundër MZHE, pikërisht për shkak të asaj se kjo e fundit asnjeherë nuk e ka berë transparent procesin e privatizimit, çka nënkupton se asnjëherë nuk është pranuar të bëhen publike asetet e KEDS të cilat do të privatizohen.(express)