Fundamenti

Instituti GAP shpalos 1,683 premtime të kryetarëve të komunave për mandatin e ri

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Instituti GAP përmes platformës elektronike “Letërnjoftimi i Komunave” ka prezantuar premtimet e dhëna nga kryetarët e komunave të Kosovës gjatë zgjedhjeve lokale të mbajtura në tetor dhe nëntor të vitit 2025.

Sipas GAP-it, në 26 komuna janë evidentuar gjithsej 1,683 premtime zgjedhore, që janë 132 më pak krahasuar me mandatin e kaluar. Rritja më e madhe e numrit të premtimeve është shënuar në komunat Lipjan, Deçan, Fushë Kosovë, Drenas, Obiliq dhe Podujevë. Lipjani prin me rritjen më të theksuar, nga 61 premtime në mandatin 2021–2025 në 170 premtime në mandatin aktual. Pasojnë Deçani me rritje nga 20 në 124 premtime, Fushë Kosova nga 35 në 110, Drenasi nga 37 në 88, Obiliqi nga 69 në 104 dhe Podujeva nga 61 në 88 premtime.

Në anën tjetër, rënia më e madhe e numrit të premtimeve është shënuar në Prishtinë, nga 206 në 115 premtime. Ulje të ndjeshme kanë pësuar edhe Kaçaniku, Suhareka, Shtimja, Mitrovica e Jugut, Rahoveci, Hani i Elezit, Malisheva, Klina dhe Istogu.

Image
Sa i përket fushave tematike, infrastruktura kryeson me 382 premtime, duke u rikthyer si prioriteti kryesor i mandatit të ri. Pas saj renditen arsimi me 322 premtime, shërbimet publike me 184 dhe shëndetësia me 146 premtime. Në ekonomi, bujqësi, kulturë, sport dhe çështje sociale numri i premtimeve mbetet i përafërt me mandatin e kaluar, me rreth ose mbi 100 premtime secila. Më së paku premtime janë dhënë në fushën e urbanizimit (51) dhe administratës (50).

Uji Dea

Në zgjedhjet e fundit lokale për kryetarë/e komunash kanë garuar 185 kandidatë, prej të cilëve 165 nga subjektet politike, ndërsa të tjerët nga iniciativa qytetare ose si kandidatë të pavarur. Vetëm 20 kandidatë kanë qenë gra dhe nga to është zgjedhur vetëm një kryetare, nga gjithsej 38 kryetarë të zgjedhur.

Sa i përket ndarjes së pushtetit lokal, në këtë mandat Lëvizja Vetëvendosje (VV), Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) do të udhëheqin secila nga shtatë komuna. Lista Serbe do të udhëheqë me dhjetë komuna, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) me pesë, ndërsa Nisma Socialdemokrate dhe Partia Turke e Kosovës me nga një komunë. Ndryshimi i pushtetit nga një parti në tjetrën ka ndodhur vetëm në tri komuna: Fushë Kosovë, Obiliq dhe Mitrovicë e Jugut, krahasuar me 12 komuna në mandatin e kaluar.

Instituti GAP bën të ditur se kryetari fitues në Skenderaj, ai në Mamushë dhe dhjetë kryetarët në komunat me shumicë serbe nuk kanë shpalosur asnjë premtim zgjedhor. Nga 26 kryetarë fitues, 17 kanë pasur program të shkruar zgjedhor, ndërsa nëntë të tjerë i kanë prezantuar premtimet përmes aktiviteteve zgjedhore ose paraqitjeve mediale.

GAP ka theksuar se edhe në këtë mandat do të vazhdojë vlerësimin periodik të përmbushjes së premtimeve, me qëllim të rritjes së llogaridhënies së kryetarëve të komunave ndaj qytetarëve./Zëri