Institucionet, partitë dhe veteranët përkujtojnë ditën e rivarrimit të dëshmorëve

Gjilan – Institucionet komunale, partitë politike dhe Shoqata e Veteranëve të Luftës e kanë përkujtuar ditën e rivarrimit të dëshmorëve. Qemajl Mustafa, Ahmet Daku e Ahmet Isufi thanë se kjo ditë është e veçantë dhe dëshmorët meritojnë çdo ditë respekt.
Komuna e Gjilanit ka përkujtuar ditën e rivarrimit të dëshmorëve në kompleksin memorial. Qemajl Mustafa i shoqëruar edhe nga Izmi Zeka e Omer Daku kanë vënë kurora lulesh derisa edhe partitë politike AAK, VV dhe veteranët e luftës kanë përkujtuar këtë ditë të veçantë e shumë domethënëse për Gjilanin.
Qemajl Mustafa me këtë rast tha se kjo është një ditë kur edhe është bërë rivarrimi i dëshmorëve.”Këta njerëz duhet të nderohen e respektohen çdo ditë sepse vetëm falë tyre ne si shoqëri kemi arritur deri këtu ku jemi sot” tha Mustafa.
Kurse Ahmet Daku në emër të shoqatës së veteranëve të luftës tha se ai nuk është i kënaqur me tretmanin që i bëhet këtyre dëshmorëve sepse Memoriali ende ka mbetur i pakryer.
Ahmet Isufi ish komandant i Zonës Operative të Karadakut tha se dëshmorët meritojnë respekt të madh dhe ne përkulemi për veprën e tyre.”Dita e rivarrimit është ditë e dhimbjes për familjarët , por një ditë krenarie për ne që i përkujtojmë. Unë nuk jam i kënaqur aspak me tretmanin institucional që deri tani e kanë pasur familjarët dhe vet memoriali” tha Isufi./rajonipress/