Institucionet nuk dinë shqip

/ 3 minuta lexim

Shumë mbishkrime që vihen nëpër institucione shtetërore, objekte të ndryshme apo emërtime të rrugëve janë të shkruara me gabime të mëdha gjuhësore, nganjëherë janë të pasakta nga përmbajtja, nuk janë të futura në thonjëza, madje disa janë të përziera gjysma në anglisht e gjysma në gjuhën shqipe. Kjo po i ndodh edhe Ministrisë së Kulturës, e cila më se shumti është e thirrur në ketë.

Duke folur për këto probleme, profesori i gjuhësisë, Isa Bajçinca, ka thënë për KosovaPress se disa mbishkrime varen nganjëherë edhe nga vet emërtimi se si janë pagëzuar në ligj nga Kuvendi i Kosovës. Mirëpo për ato mbishkrime të cilat shkruhen nga punonjësit e institucioneve, ai ka thënë se është një imazh shumë i keq për ta, sepse tregon shkallën e kulturës së tyre.

“Është e vërtetë që shumë nga emërtimet në Kosovë nuk janë as gjuhësisht, e nganjëherë as nga përmbajtja nuk janë të sakta. Kjo sidomos kur kemi të bëjmë me përdorimin e nyjave”, ka thënë Bajçinca.

Duke folur për mbishkrimin, i cili është i vendosur para objektit të Muzeut të Kosovës, ai ka thënë se është i shkruar gabim dhe se nuk ka nevojë të shkruhet aq gjatë, sepse këtë mënyrë të mbishkrimeve e gjejmë në gjuhën angleze, pasi që ata kanë probleme me këto çështje dhe për këtë arsye i kanë emërtimet shumë të gjata. Ai ka bërë të ditur se në gjuhën shqipe për një gjë që mbrohet nga dikush duhet të thuhet mbrohet e jo është nën mbrojtje ose është i mbrojtur.

Uji Dea

Ai ka theksuar se Institucioni Forcat e Sigurisë së Kosovës është emërtuar gabim me ligj, sepse në gjuhën shqipe do të duhej të quhej Forca e Sigurisë e Kosovës.

Bajçinca ka shtuar se kuvendi duhet të formojë një komision, i cili do të merret me problemet e emërtimeve dhe me formimin e shkrimeve, në mënyrë që njerëzit kur të lexojnë diçka që është e shpallur publikisht ta lexojnë pa gabime. Sipas tij, një tjetër e metë e emërtimeve të institucioneve shkollore dhe të emërtimeve të rrugëve në Kosovë është se ato nuk futen në thonjëza. Ai thotë se mbishkrimet me gabime gjuhësore u japin një imazh të keq në radhë të parë punonjësve të këtyre institucioneve, të cilët merren me këtë punë sepse tregojnë shkallën e kulturës së tyre.

Kurse, Shkëlzen Dragaj, këshilltar në Ministrinë e Kulturës, ka thënë se për shkuarjen e pllakatave nëpër institucionet kulturore, përgjegjës janë institucionet përkatëse, në këtë rast institucionet rajonale të trashëgimisë kulturore. Megjithatë, ai nuk sqaron se kush është përgjegjës nëse këto institucione, që janë të varura edhe nga Ministria e Kulturës shkruajnë gabimisht.