Institucionet në Kllokot koordinojnë masat për parandalimin e zjarreve dhe menaxhimin e emergjencave
Kllokot – Në Komunën e Kllokotit është mbajtur sot një takim koordinues ndërinstitucional me qëllim forcimin e bashkëpunimit në parandalimin e zjarreve dhe menaxhimin e situatave emergjente. Në takim morën pjesë drejtori për Shërbime Publike i Komunës së Kllokotit dhe zyrtarët përgjegjës të komunës, Shefi i Qendrës Operative Emergjente Rajonale (QOER) në Gjilan, Salih Mustafa, zyrtari për Vlerësimin e Rreziqeve i Komunës së Vitisë, si dhe përfaqësues të Stacionit Policor në Kllokot.
Gjatë takimit u diskutua për forcimin e koordinimit ndërinstitucional, planifikimin e masave konkrete për parandalimin e zjarreve dhe fatkeqësive të tjera, si dhe për përmirësimin e reagimit në rastet emergjente ka shkruar Hetem Jakupi
Pjesëmarrësit kërkuan që Komuna e Kllokotit të rrisë angazhimin në fushën e parandalimit përmes fushatave sensibilizuese, monitorimit të zonave me rrezik dhe shqyrtimit të mundësisë për angazhimin e zjarrfikësve sezonalë ose vullnetarë. U theksua se Kllokoti nuk ka një njësi të zjarrfikësve, ndërsa të gjitha ndërhyrjet për zjarre, aksidente, përmbytje, stuhi dhe emergjenca të tjera mbulohen nga Njësia Profesionale e Zjarrfikësve dhe Shpëtimit e Vitisë.
Po ashtu, u diskutua për rëndësinë e hartimit dhe përditësimit të Dokumentit të Vlerësimit të Rreziqeve, Planit për Mbrojtjen nga Zjarri dhe dokumenteve të tjera strategjike, me synim rritjen e gatishmërisë së komunës për përballimin e emergjencave.
Një ndër propozimet konkrete ishte organizimi i trajnimeve bazike për punëtorët komunalë dhe qytetarët vullnetarë, në mënyrë që ata të fitojnë njohuritë dhe aftësitë e nevojshme për reagim fillestar në rast zjarresh apo fatkeqësish të tjera.
Në përfundim të takimit, pjesëmarrësit vlerësuan rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional, duke theksuar se koordinimi i mirëfilltë mbetet kyç për mbrojtjen e jetës, pronës dhe mjedisit, si dhe për rritjen e sigurisë së qytetarëve./rajonipress/

