RCCOLA

Institucionet dhe sportistët nderojnë presidentin historik të Dritës

/ 2 minuta lexim
Fundamenti

Gjilan – Qemajl Mustafa tha se vdekja e Selami osmanit është një lajm shokues për qytetin e Gjilanit. Bezi ishte njeri i pathyeshëm, dinamik, me shpirt human. Emri i tij do të mbahet gjatë në kujtesën e gjilanasve.

Vdekja e Selami Osmanit-Bezit ka tronditur rëndë qytetarët e Gjilanit, institucionet komunale dhe komunitetin e sportit në përgjithësi. Për ta nderuar figurën dhe presidentin historik të klubit Drita, Kuvendi Komunal mbajti një mbledhje komemorative ku për veprën e Osmanit folën Qemajl Mustafa e Milaim Zuzaku.

Mustafa tha se vdekja e Osmanit ishte një lajm shokues për mua si kryetar, por edhe për qytetin e Gjilanit. “Osmani ishte njeri i mirë dhe familjar i pazëvendësueshëm, ishte i pathyeshëm, dinamik, dhe njeri me ambicie, por edhe punëtor i palodhshëm” tha Mustafa.

Mustafa tha se Selamiu ishte shpirt rebelues, i hapur por edhe festiv. “Emri i tij andaj do të mbahet gjatë në jetën dhe kujtesën e gjilanasve edhe si ndërmarrës-biznesmen i madh dhe i vërtetë. Selamiu do na mungojë të gjithëve e në veçanti sportit gjilanas dhe pse jo edhe atij kosovar “ tha Mustafa.

Uji Dea

Në emër të klubit Drita foli Milaim Zuzaku. Zuzaku tha se Gjilani dhe klubi Drita ka humbur njeriun më të mirë dhe më të madh që ka pasur ndonjëherë Drita. Osmani pati një karrierë të madhe duke dhënë një kontribut të madh dhe të jashtëzakonshëm.

“Ishte vet puna e palodhshme e Selamiut që arriti ta bëjë Gjilanin qytet të futbollit” tha Zuzaku. Edhe Federata e Futbollit të Kosovës në emër të Fadil Vokrrit e ka ngushëlluar familjen e Selami Osmanit. Vokrri në telegram ka thënë se Selamiu dha gjithçka për futbollin kosovarë.

Telegram ngushëllimi familjes dhe Klubit Drita i ka dërguar edhe Klubi i Gazetarëve “Beqir Musliu” si dhe shoqata e asociacione tjera sportive.

Selami Osmani – Bezi vdiq në moshën 59 vjeçare të enjten në Gjilan kurse varrimi i tij pritet të bëhet në ora 16.00 në varrezat e qytetit në Gjilan. /rajonipress/