Institucionalizimi i Demokracisë

Nga Valdete Daka – Zgjedhjet e lira, janë të lidhura ngushtë me detyrimin dhe përkushtimin e institucioneve shtetërore për garantimin e kushteve dhe atmosferës së përshtatshme për të shprehur lirisht vullnetin e votuesve.
Më 07.02.2013, për herë të parë në Republikën e Kosovës, përmes me manifestime të ndryshme Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), shënoi Ditën Botërore të Zgjedhjeve. Ne shprehëm dëshirën dhe aspiratën tonë kohezive të vullnetit që të vazhdojmë me efikasitet, ta ndërtojmë demokracinë përmes parimeve të fuqishme të saj, dhe të vazhdojmë t’i përkushtohemi aspiratës sonë për t’iu bashkuar Familjes së Madhe të Popujve dhe të Vendeve Evropiane së cilës, edhe i takojmë.
Pse e shënuam këtë ditë ? Në vitin 2005, ekspertët e zgjedhjeve nga e gjithë bota, morën pjesë në Konferencën Globale me Zyrtarët e Zgjedhjeve në Hungari. Nëpërmjet kësaj konference, ata dërguan një mesazh të rëndësishëm në lidhje me nevojën jetike për të forcuar procesin e zhvillimit demokratik në të gjithë botën. Nga ky vit, pjesëmarrësit kanë nisur një iniciativë për ta mbajtur “Ditën Ndërkombëtare të Zgjedhjeve”, në të Enjten e Parë të Shkurtit të çdo viti. E enjtja e parë e shkurtit, është propozuar si datë festive sepse, shumica e marrëveshjeve ndërkombëtare në Fushën e Zgjedhjeve, janë nënshkruar në, ose rreth kësaj dite.
Organizatorët në Ditën Botërore të Zgjedhjeve, organizojnë seminare, punëtori, diskutime dhe tryeza të rrumbullakëta për rëndësinë e zgjedhjeve demokratike. Ata gjithashtu, përqendrojnë vëmendjen e tyre në historinë e zgjedhjeve dhe në kulturën demokratike, si dhe në sfidat e organizimit të zgjedhjeve të besueshme, dhe transparente. Një nga qëllimet kryesore të kësaj dite, është informimi i opinionit publik dhe shprehja e përkushtimit të institucioneve tona për organizimin e zgjedhjeve, për arritjet e reja, për sfidat lidhur me proceset zgjedhore, si dhe për rëndësinë e pjesëmarrjes së qytetarëve në zgjedhje.
Zgjedhjet e lira, të drejtpërdrejta, të barabarta, të fshehta dhe të përgjithëshme paraqesin parimet dhe atributet kryesore të demokracisë përfaqësuese. Zgjedhjet e lira, janë të lidhura ngushtë me detyrimin dhe përkushtimin e institucioneve shtetërore për garantimin e kushteve dhe atmosferës së përshtatshme për të shprehur lirisht vullnetin e votuesve.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Republikës së Kosovës, pas shumë proceseve zgjedhore, ka arritur të sprovohet dhe të rrisë kapacitetet dhe aftësitë për të menaxhuar dhe administruar zgjedhjet me kompetencë, dhe me efikasitet. Arritjet e deritashme të KQZ-së, janë praktike.
Në kuadër të përmirësimit të Listës së Votuesve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve së bashku me Ministrinë e Punëve të Brendshme, kanë themeluar Grupet Punuese me qëllim të përmirësimit të Listës së Votuesve. Në kuadër të Projektit për përmirësimin e Listës së Votuesve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka organizuar një Konferencë për lansimin e fushatës informuese në kuadër të projektit. Në këtë konference, janë prezantuar temat që kanë të bëjnë me Listën e Votuesve, si “Lista e Votuesve në Kosovë – përparësitë dhe mangësitë”, Regjistrimi Civil në Kosovë – sfidat dhe mundësitë, zgjidhjet për të ardhmen, dhe “Sistemi i adresave në Kosovë dhe përfitimet e Kosovës”. Gjithashtu, në kuadër të përmirësimit të procesit zgjedhor, KQZ në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar Komune në Ferizaj ka lansuar pilot projektin “K- Vote” për shpalljen “Live” të rezultateve preliminare në kohë reale.
Sot, jemi përpara shumë detyrave dhe planeve përmes të cilave po ecim në drejtim të ngritjes së cilësisë në punë, te profesionalizimit, rritjes së transparencës, përmirësimit të teknologjisë informative etj. Proceset zgjedhore të drejta, të lira, të ndershme dhe të besueshme shërbejnë në institucionalizimin e demokracisë dhe, ndikojnë për të fituar besimin e popullit. Zgjedhjet e lira dhe të ndershme, i japin çdo shoqërie moderne legjitimitetin themelor demokratik.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Republikës së Kosovës, është dhe do të jetë i përgatitur në çdo kohë që të organizoj zgjedhje të lira, të ndershme dhe të besueshme. S’ka dyshim që investimi për mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe demokratike, është edhe një investim për stabilitetin politik dhe paqen politiko-sociale të vendit. Për më tepër, organizmi dhe mbajtja e zgjedhjeve të lira, është edhe pjesë e kritereve dhe e kushteve në kuadër të procesit të integrimeve europiane, dhe kuptohet edhe të standardeve të zgjedhjeve.
Valdete Daka/ Kryetare e KQZ