Fundamenti

Inspektorati mbyll 2 barnatore në Gjilan

/ 2 minuta lexim
Mobi Casa

Inspektorati i Agjencionit të Kosovës për Produkte Medicinale (AKPM), ka urdhëruar ndalimin e përhershëm të veprimtarisë së dy subjekteve farmaceutike, duke konfiskuar produktet dhe pajisjet e tyre medicinale.

Subjektet farmaceutike në fjalë janë Barnatore “Bardha pharm” dhe Barnatore “Bardhi”.

Inspektorati, gjatë inspektimit ka hasur në këto parregullsi: Subjekti “Bardhapharm” ushtronte veprimtarinë e qarkullimit të produkteve dhe pajisjeve medicinale pa personel punonjës profesional-pa farmacist, pa qenë i pajisur me licencë profesionale, ka qenë në posedim të produkteve medicinale, të cilat nuk kishin të drejtë qarkullimi në Kosovë, nuk posedonin banderola të lëshuara nga AKPM, produkte medicinale me banderolë të MSh-së nga Lista Esenciale si dhe produkte medicinale me afat të skaduar dhe të papërdorshme.

“Për shkak të këtyre pa rregullsive, përveç gjobave administrative, Inspektorati ka urdhëruar ndalimin e përhershëm të veprimtarisë së këtij subjekti duke konfiskuar produktet dhe pajisjet medicinave”, njofton Ministria e Shëndetësisë përmes një komunikate për media.

KKVITI

Ndërkaq, subjekti “Bardhi”, sipas MSH-së, ushtronte veprimtarinë e qarkullimit të produkteve dhe pajisjeve medicinave pa personel punonjës profesional-pa farmacist, ka qenë në posedim të barnave pa banderolë të lëshuar nga AKPM dhe ka qenë në posedim të produkteve medicinale, të cilat ishin të pajisura me banderolë të Serbisë.

“Për shkak të këtyre parregullsive, ushtrimit të veprimtarisë pa farmacist dhe qarkullimit të produkteve medicinale pa të drejtë qarkullimi, përveç gjobave administrative, Inspektorati ka urdhëruar ndalimin e menjëhershëm të veprimtarisë, deri në ardhjen e farmacistit në vendin e punës, dhe ka konfiskuar produktet e paligjshme”, njofton më tej MSH.

Inspektimi është kryer me kërkesë të Njësisë së Hetuesisë së Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit- Drejtoria e Gjilanit.