Fundamenti

Inkarnimi si urtësi filozofike, sindromi esadist dhe politika

/ 5 minuta lexim
Hidromorava

Nga Sadri Ramabaja – Mbajtja në pushtet e bandës që fshihet prapa akronimit PDK/LDK, u dëshmua se ushqen tutje mbajtjen në jetë të sindromit esadist në politikën kosovare. Këmbanat bien vetëm për ata që kanë veshë, respektivisht ndjesi dhe urtësi politike.

Pothuajse 50% e popujve në rruzullin tokësor, nga të gjitha kulturat, besojnë në fenomenin e reinkarnimit.

Në Azi, përfshi të tri religjionet kryesore: Budizmin, Taoizmin dhe Hinduizmin, filozofia mbi inkarnimin e shpirtit është pjesë integrale e doktrinës fetare.

Madje për këto kultura, për të gjithë besimtarët, këtë proces të inkarnimit e gjejmë të shtrirë edhe në natyrë.

Gjithandej është prezent procesi i riciklimit të jetës.

Edhe në hapësirën shqiptare besimi në inkarnim ka mbështetësit e tij gjithandej, nga jugu në ver, nga Vermoshi në Meditën time. Naimi ynë i madhë, shih për këtë, Perëndinë e shihte edhe tek një lule në agsholin e pranverës.

Sipas kësaj teorie, qenia jonë aktive, bashkë me vetëdijen funksionojnë në egon tonë njerëzore, e cila, në mënyrë periodike, formësohet në një trup fizik. Tek ky mendim filozofik më kthente këto ditë fushata e përqendruar e pushtetit rreth dy temave bosht: demarkacionit dhe Zajednicës, me të cilat kjo bandë terrorizon një Komb të tërë.
Në kundërshtim të plotë me frymën kushtetuese, tok: kryetari i shtetit, kryeministri dhe kryetari i Kuvendit, na dalin e shantazhojnë shtetin dhe qytetarët, duke i bërë presion deputetëve të miratojnë shitjen (a faljen) e mbi 8000 ha tokë Malit të Zi, thuase ky shtet ka pak tokë shqiptare të aneksuar gjatë gjithë historisë së tij modern, përndryshe nuk ka liberalizim te vizave, pra nuk ka lëvizje të lire për Evropë dhe nuk ka ushtri ! O miratoni Zajednicën (defunksionalizimin e Republikës), duke rikthyer plotësisht Serbinë në Kosovë, o nuk ka liberalizim te vizave, pra nuk ka lëvizje të lire për Evropë dhe nuk ka ushtri !

Uji Dea

Kjo fushatë e ndërlidhur me liberalizimin e vizave, se si më duket si një karikaturë e një monstrumi politik, me trajta të gogolit.

Tallja me Njeriun tonë të rëndomtë e të mbytur nga mjerimi social e politik vazhdon.
Në këto shestime të trishta, vetvetiu në ndërdije më vinin personalitete nga më të urryerat në historinë tonë, nga Ballaban Pasha, Esat Pasha e, Ali Shukriu… e deri tek këta aktualët që po e mbajnë peng Republikën.

Paralel me këto figura të pështira, në ndërdije, në shenjë mbrojtje nga një e keqe e madhe, disi instiktivisht, para syrit të mendjes, më parakalojnë portretet e heronjëve të përjetshëm: të Gjergj Kastriotit, të Avni Rrustemit, të Fehmi Lladrocit…
Se në trupin e kujt është riinkarnuar shpirti i Esat Pashës e ai i Ali Shukriut, fare lehtë mund të supozojmë. Por a do na dëshmoj kjo pranverë se në trupin e kujt ka pas nderin natyra shqiptare ta inkarnoj shprtin e Avni Rrustemit?

Pranvera tashmë është në prag…
* * *
Në kulmin e përplasjeve pozitë-opozitë, po për këto dy tema, në një shënim timin, vitin që lam pas, kisha potencuar përveç tjerash se “djemtë që kishin krijuar UÇK-në në fillim të viteve ’90-ta, kur kishin konkluduar se LDK ishte shndërruar në instrument politik në duart e Milosheviqit dhe se me fjalë nuk çlirohet vendi, kishin marrë vendimin historik t’i kthenin pushkën Serbisë dhe atyre që rreshtohen prapa saj.”

Po konstatoja një fakt historik tashmë të njohur dhe notar.
Jam thellësisht i bindur se rikthimi i skenave plot gaz e tym në Parlament dhe sheshet e mbushur me qytetarë në Prishtinë e gjetkë, në rast të përpjekjes për të imponuar Zajednicën dhe variantin aktual të demarkacionit, për pasuesit e idealistëve të djeshëm që kishin marrë atë vendim historik, do të rikthente nevojën imediate për riorganizim të një rezistence edhe më të ashpër dhe për shumëçka vendimtare.
Prandaj këmbanat bien vetëm për ata që kanë veshë, respektivisht ndjesi dhe urtësi politike.
* * *
Përkujdesi për ta mbajtur në jetë këtë bandë pushtetarësh të veshur me akronimet PDK/LDK, u dëshmua se ushqen tutje mbajtjen në jetë të sindromit esadist në politikën kosovare. Rikthimi i bartësve të sindromit esadist në krye të Republikës, tashmë i inkarnuar në koalicionin PLDK, dominimi i tij nga pasuesit real të Esat Toptanit, gjithësesi risjell në jetë edhe pasuesit e Avni Rrustemit.

Inkarnimi si urtësi filozofike dhe oshëtimë trimërie ndër shekuj, të trajtësuara në trupin fizik të Gjergjit të madhë, Oso Kukës, Ismail Qemailit, Hasan Prishtinës, Avni Rrustemit, Qemail Stafës, Ukshin Hotit, Adem Jasharit … tashmë ka marrë trajtën politike dhe i rri mirë këtij dheu që ne i themi Shqipëri. /rajonipress/