Injorantët dhe kusarët po e rrënojnë Republikën
Analistët politikë, por edhe qytetarët, vlerësojnë se qytetarët e Kosovës dita-ditës po zhyten në depresion të thellë dhe po i humbin shpresat për një të ardhme më të mirë në shtetin e tyre, pasi që janë bindur se të gjitha partitë politike, përveçse janë në bashkëjetesë me krimin e korrupsionin, në fakt po financohen nga krimi i organizuar dhe mafio-oligarkët e nëntokës kriminale dhe se nuk ka asnjë shans për një jetë më të mirë në këtë shtet të kriminalizuar, si në nivelin qendror ashtu edhe në atë lokal!
Qarri: Fakti që i gjithë sistemi i drejtësisë është bërë pre e ndikimeve politike dëshmon se realisht e tërë Kosova ka rënë në duart e mafisë
“Askush në Kosovë nuk ka pritur që pas lufte të ushqehet me lugë të ‘artë’, por askush nuk e ka menduar që edhe 20 vjet pas luftës Kosova do të sundohej nga antivlerat, nga shqipfolësit, nga injorantët, gjysmanalfabetët dhe kusarët polikë që mendojnë vetëm për xhepat e tyre. Po ndodh pikërisht kështu për faktin se klasën politike i ndan vetëm pushteti, ndërsa i bashkon korrupsioni, hajnia, kriminaliteti, kontrabanda, nepotizmi, e çka jo tjetër në këtë gjysmështet, me gjysmëpavarësi dhe gjysmëliri”, thotë analisti Florim Zeqa për “Kosova Sot”
Analistët politikë, por edhe qytetarët, vlerësojnë se qytetarët e Kosovës dita-ditës po zhyten në depresion të thellë dhe po i humbin shpresat për një të ardhme më të mirë në shtetin e tyre, pasi që janë bindur se të gjitha partitë politike, përveçse janë në bashkëjetesë me krimin e korrupsionin, në fakt po financohen nga krimi i organizuar dhe mafio-oligarkët e nëntokës kriminale dhe se nuk ka asnjë shans për një jetë më të mirë në këtë shtet të kriminalizuar, si në nivelin qendror ashtu edhe në atë lokal!
Kjo gjendje,sipas analistëve, të bën ta krijosh bindjen e thellë se Kosova realisht e kapur thellë nga duart e mafisë së egër, dhe se e tërë klasa politike është vetëm në shërbim të mafisë kriminale, ndërkaq që qytetarët po kërkojnë shpëtim, duke gjetur rrugë për të ikur sa më larg Kosovës, e ata që ende nuk kanë gjetur rrugë po e presin me padurim liberalizimin e vizave për të ikur. Edhe analistët politikë dhe qytetarët theksojnë se ky depresion i thellë vjen pikërisht për shkak se shumica nuk po shohin ardhmëri me këtë klasë politike të tejinkriminuar dhe me mafio-oligarkinë e nëntokës kriminale që po sundojnë e kërcënojnë ashpër në Kosovë, sepse askush nuk e kishte menduar se 20 vjet pas luftës me agresorin serb Kosova do të sundohej po nga shqipfolësit mafiozë e të tejkriminalizuar.
Zeqa: Financimi kriminal i partive
Sipas analistit politik Florim Zeqa, mosbërja transparente e burimit të financimit të partive politike ka bërë që qytetarët të krijojnë bindjen e tyre se të gjitha partitë politike financohen nga burime të dyshimta dhe jo vetëm. “Fshehja e burimeve financiare nga ana e partive politike lë për të dyshuar se ato financohen nga krimi i organizuar dhe mafio-oligarkët e nëntokës kriminale. Kjo i bie që Kosova realisht dhe praktikisht është në duart e mafisë dhe nëntokës kriminale, respektivisht klasa politike është në shërbim të mafisë kriminale”, u shpreh ai.
“Duke e parë se nuk ka asnjë shans për një jetë më të mirë në këtë shtet të kriminalizuar, qytetarët e lënë pas dore, të nëpërkëmbur nga politika dhe të shfrytëzuar oligarkia kriminale, po kërkojnë shpëtim duke gjetur rrugë për të ikur nga Kosova, ndërsa ata që ende nuk kanë gjetur rrugë po e presin me padurim liberalizimin e vizave për të ikur sa më parë dhe sa më larg nga vendi i pashpresë! Kjo situatë ka bërë që qytetarët të bien në depresion, thyerje të thellë shpirtërore dhe humbje të çdo shprese për jetë në Kosovë”, vijoi më tej Zeqa.
“Askush në Kosovë nuk ka pritur që pas lufte të ushqehet me lugë të ‘artë’, por që askush nuk e ka menduar që edhe 20 vjet pas luftës Kosova do të sundohej nga antivlerat, nga shqipfolësit, nga injorantët dhe gjysmanalfabetët dhe kusarët polikë që mendojnë vetëm për xhepat e tyre. Po ndodh pikërisht kështu për faktin se klasën politike i ndan vetëm pushteti, ndërsa i bashkon korrupsioni, hajnia, kriminaliteti, kontrabanda, nepotizmi e çka jo tjetër në këtë gjysmështet, me gjysmëpavarësi dhe gjysmëliri”, tha analisti Florim Zeqa për “Kosova Sot”.
Mehmeti: Mendonim se Serbia është armiku ynë i vetëm, por edhe politikanët tanë na dolën tani “më shkije se shkijet”!
Se në një gjendje të njëjtë të lidhjeve për financim nga krimi dhe korrupsioni janë të gjitha partitë politike në vend dhe kjo i zhgënjen qytetarët, ndan mendimin edhe analisti Faton Mehmeti.“Faktikisht të gjithë partitë politikë në vend janë njësoj dhe kanë vetëm një qëllim, se si të zhvatin qytetarët e vendit.
Fatkeqësisht qytetarët nuk kanë alternativë se si të dalin nga kjo krizë që i ka kapluar, pasi të gjithë janë njësoj dhe kush të vjen në pushet ka synim vetëm se si të degradojë shtetin dhe të mbushë xhepat e tyre. Kosova nuk guxon assesi që të vazhdojë me këtë trend të keqqeverisjes, por duhet organizim i protestave që të largojnë tërë skenën politike nga pushteti dhe për t”i dhënë shansin dhe mundësinë një iniciative të re politike, apo shumë të tilla që vijnë nga brezat e të rinjve me mundësinë që të qeveriset ndryshe, më drejt dhe në shërbim të qytetarëve.
Kosova nuk ka vuajtur kurrë më shumë nga shqiptarët se tani dhe kjo është e turpshëm, pasi mendonim se Serbia është armiku ynë i vetëm, por edhe politikanët tanë na dolën tani “më shkije se shkijet”, prandaj jemi katandisur si mos më keq, në çdo sektor kemi ngecje dhe dështim”, tha Mehmeti për “Kosova Sot”.
Qarri: Njerëzit, të frikësuar nga mafia
“Vetë fakti se gjatë gjithë periudhës së paspavarësisë, shteti udhëhiqet nga mafia dhe të gjitha partitë politike financohen nga krimi i organizuar dhe mafio-oligarkët e nëntokës kriminale, nuk lë më shpresë për një jetë më të mirë në këtë shtet të kriminalizuar, si në nivelin qendror ashtu edhe në atë lokal. Problemet me drejtësinë në Kosovë bëhen edhe më të komplikuara për shkak se në shumë nga rastet e korrupsionit vërtetohet se janë përfshirë edhe persona nga radhët e forcave të rendit, siç sjell shembullin
Raporti i DASH-it për një numër policësh të arrestuar vitin e kaluar, me akuzat për korrupsion, abuzim pushteti dhe mitmarrje.Fakti që i gjithë sistemi i drejtësisë është bërë pre e ndikimeve politike dëshmon se realisht e tërë Kosova ka rënë në duart e mafisë më të egër dhe se çdo gjë në këtë vend është vënë në shërbim të mafiio-oligarkisë kriminale, ndaj dhe qytetarët e këtij vendi nuk shohin më shpëtim tjetër, përveçse duke kërkuar rrugë për të ikur sa më larg Kosovës. Kapja e shtetit nga shqipfolës të tillë kaq mafioz, klasa më e tejinkriminuar politike dhe mafio-oligarkia më e trishtë e nëntokës kriminale në rajon, kanë vënë aq në rrezik shtetin e Kosovës dhe ardhmërinë e të gjithë qytetarëve të saj saqë edhe 20 vjet pas luftës me agresorin serb dhe 11 të pas pavarësisë po i detyron njerëzit që nga frika për mbijetesë dhe pasigurisë për ardhmërinë e fëmijëve të ikin sa më larg edhe nga vendi i vet”, tha analisti Gani Qarri për “Kosova Sot”.
Badallaj: Bandat në krye të shtetit
“Qytetarët e Kosovës i kanë humbur durimin dhe shpresën për një jetë më të mirë dhe tashmë e kanë parë dhe janë bindur se Kosovën e kanë kapur dhe po e drejtojnë bandat më të rrezikshme shtetërore, mafio-oligarkët e kanaleve të nëntokës kriminale dhe që këtë zinxhir kriminal e kanë përhapur si vaji në lakra, si në nivelin qendror dhe në nivelin lokal.
Populli tashmë e ka parë edhe gabimin e tij dhe i ka rënë pishman që i ka votuar dhe u ka besuar këtyre banditëve dhe kryebanditëve që i mashtruan duke lehur për një jetë më të mirë, për të ulur papunësinë, që do ta punësojnë të paktën nga një anëtar të tyre dhe doli e kundërta, se këta banditë e kryebanditë, këta hajna dhe vagabondë, punësuan të gjallë e të vdekur të familjeve të tyre dhe të gjithë janë duke bërë konkurrencë se kush po vjedh shtetin më shumë dhe populli nuk ka para as për bukë dhe as për ilaçe.
Pra, shkurt e shqip bandat politike janë në shërbim dhe argat të tyre dhe nga kjo asgjë më nuk i ka mbetur popullit, përpos të bëjë strajcën gati dhe ka sytë, këmbët që t´ia lë shëndetin Kosovës dhe bandave kriminale të kanaleve të nëntokës, nga këta shpirtzinj, të ikin për të shpëtuar veten dhe familjen e tyre nga këta thonj zinj hajnash, që janë bërë të pangopur në hajni, sepse kryehajnat i kanë angazhuar tërë anëtarët e familjes në hajni dhe pazarin e hajnisë t´ia dorëzojnë këtyre kryehajnave dhe kryebanditëve dhe më të rrezikshmit janë bërë ata që nuk po pushojnë së lehuri për t´i hedhur pluhur syve popullit”, tha Reshat Badallaj për “Kosova Sot”.
Ndryshimi ndodh te kutitë e votimit
Analisti politik Ragip Guraziu vlerëson se krimi dhe korrupsioni që kanë përfshirë të gjitha partitë politike janë arsyeja që shumica qytetare kanë rënë në depresion të thellë, pasi që janë bindur se të gjitha partitë politike, në fakt përveçqë po e zhvatin shtetin, po financohen edhe nga krimi i organizuar dhe mafio-oligarkët e nëntokës kriminale dhe se nuk ka asnjë shans për një jetë më të mirë në këtë shtet të kriminalizuar, si në nivelin qendror ashtu edhe në atë lokal.
“Por mos ta lëmë që të bëhet akoma më vonë dhe të vazhdojë ky depresion i qytetarëve që po zgjat tash e 20 vjet, sepse duhet të kthjellemi e të kuptojmë kur dalim në votime që të përcaktohemi shumë më qartë se kujt do t’ia besojmë votën e shenjtë, duhet të dimë ku t’ia adresojmë dhe si ta adresojmë”, u shpreh ai.“Ndryshimet mund dhe duhet t’i bëjmë vetëm ne, sepse tani për tani Kosova ka rënë thellësisht në duart e mafisë së egër dhe se e tërë klasa politike është vetëm në shërbim të mafisë kriminale, ndërkaq që qytetarët po kërkojnë shpëtim, duke gjetur rrugë për të ikur sa më larg Kosovës, e ata që ende nuk kanë gjetur rrugë po e presin me padurim liberalizimin e vizave për të ikur.
Pra, nuk janë pak 20 vjet për t’i sprovuar zgjedhësit e popullit, por shtrohet pyetja se kush e kishte menduar se 20 vjet pas luftës me agresorin serb Kosova do të sundohet po nga shqipfolësit mafiozë e të tejkriminalizuar”, potencoi më tej Guraziu.“Nuk janë fajtorë shqipfolësit më shumë se votuesit e pakujdesshëm, të cilët kur po dalin para kutive të votave nuk po janë sa duhet të kujdesshëm dhe vlerësues realë se kush e meriton votën dhe kush e meriton ndëshkimin. Prandaj, kujdes…shumë kujdes në të ardhmen, t’i votojmë ma të mirët, por që akoma nuk po shohim në këto subjekte politike aktuale, prandaj na duhet edhe një strukturë e re politike për t’i nxjerrë qytetarët e Kosovës nga ky depresion”, tha Guraziu për “Kosova Sot”.
Qytetarët, mes ikjes dhe revoltës
Edhe qytetarët e anketuar nga gazeta theksojnë se shpresat e tyre për të jetuar më mirë në këtë shtet po i vret politike e korruptuar dhe e inkriminuar.
Qytetari tjetër, Ismet Arifi, thotë se krimi dhe korrupsioni në këto institucione dhe në të gjitha partitë politike po e bëjnë të pashpresë të ardhmen e qytetarit, sidomos të brezit të ri, prandaj edhe shpresa për të ardhmen po kërkohet diku tjetër. “Kjo po ndodh edhe për faktin se korrupsioni po bëhet një fenomen i hatashëm, nuk po ka shpresë që të ndalet diku, por po lulëzon, po zhvillohet e po zgjerohet çdo ditë e më shumë, kudo në institucione e nëpër parti politike”, u shpreh ai.
“Shteti ynë, Qeveria jonë, për rininë e Kosovës nuk po punon asgjë. Shumë të rinj, rini e shëndoshë dhe e kualifikuar në masën dërmuese të saj për profile të ndryshme që vetëm po sillen rrugëve poshtë e lartë, por nuk gjejnë punë, prandaj janë të detyruar që me çdo kusht, në momentin e parë që u jepet rasti, të dalin në botën e jashtme për një jetë më të mirë, për një kafshatë buke, sepse qeveria nuk po bën asgjë për gjetjen e mundësive më të lehta për punësimin e tyre, por as nuk po ndihmon asgjë që ata ta gjejnë veten në ndonjë strukturë tjetër të kontributit për zhvillimin e vendit dhe mirëqenien e tyre e të përgjithshme, prandaj që nga momenti i parë nëse bëhet liberalizimi i vizave kemi me qenë dëshmitarë që një masë e madhe e të rinjve dhe qytetarëve të tjerë do të ikin nga Kosova”, theksoi Ismet Arifi. Edhe qytetari Hysen Shylemaja tha për “Kosova Sot” se shumica qytetarëve zgjidhjen po e kërkojnë duke synuar ikjen jashtë vendit, por sipas tij kjo nuk është zgjidhje, sepse do të duhej ngritur në këmbë, do të duhej organizuar qytetarët për t’i ndjekur nga pushteti këta të korruptuar, sepse ikja nga vendi nuk jep shpresa për t’i rikthyer pastaj nuk zhvillohet dhe nuk çlirohet vendi nga të korruptuarit, duke ia kthyer shpinën e duke kërkuar rehati diku tjetër.“Çdo njeri duhet të qëndrojë dhe të japë kontributin, sepse nëse ne nuk jemi më këmbëngulës që të japim këtu kontributin për vendin, puna nuk kryhet. Nga ana tjetër dihet që këta nuk largohen dhe nuk dalin vetë, sepse nuk i lëshojnë institucionet që i kanë kapur, nuk i lëshojnë kolltukët, nuk e lëshojnë luksin dhe nuk i lënë beneficionet dhe pozitat, por ne duhet të organizohemi edhe përmes votës, edhe përmes veprimeve e metodave të tjera të ligjshme demokratike, duke mos përjashtuar as protestat si mjet demokratik.
Duhet t’i ndërrojmë ne këta që janë në pushtet e jo këta të na nënshtrojnë neve, sepse tek e fundit ata nuk janë askush në raport me ne që sa herë vijnë zgjedhjet e reja turren dhe kërkojnë votën tonë”, ka theksuar Hysen Shylemaja për “Kosova Sot”. Sipas tij fajtor për krijimin e kësaj gjendje të tanishme është pushteti aktual, por edhe të gjitha pushtetet dhe qeveritë e deritanishme të pasluftës, qeveritë e deritanishme që i kanë vënë kryekapakun me këtë pushtetin e tanishëm “që po më duket që kjo qeverisje e fundit është më e tmerrshmja, më e rrezikshmja dhe më e pafalshmja për popullin e Kosovës”.
(Kosova Sot)


