Injoranca politike e vrau shpresën e gjeneratës së pasluftës
Analistët politikë, por edhe qytetarët e moshave të ndryshme, të rinj dhe të mesëm, po e shohin me shqetësim të madh zhvillimin e trishtë në këtë shoqëri të re, se si po e shkatërron rininë kosovare klasa politike e inkriminuar në Kosovë për tash afro 20 vjet me radhë pas luftës dhe për afro 11 vjet rresht pas pavarësisë, duke e dënuar si në arsim, ashtu edhe në izolim dhe joperspektivë.
Qarri: Krimi i organizuar, padituria e injoranca politike, si dhe abuzimi dhe mossundimi i ligjit, realisht po e thellojnë edhe më tej tragjedinë e një gjenerate të humbur të Kosovës
“Kjo klasë injorantësh politikë, rinisë kosovare ia humbi mundësinë e shkollimit të mirëfilltë, e privoi nga mundësia për jetë më të mirë. Është vërtet alarmante kur Kosova do ta shënojë ditëlindjen e 11-të të Pavarësisë, ndërsa si rinia kosovare, ashtu edhe të gjitha gjeneratat e tjera, përjashto mafio-oligarkët, nëntokën kriminale dhe pushtetarët e inkriminuar në të dyja nivelet, që shëtisin me jahte milionëshe dhe aeroplanë privatë, gjithandej globit, të gjithë të tjerët vazhdojnë të vuajnë nga varfëria, korrupsioni, izolimi, mossundimi i ligjit, ambienti i ndotur etj.”, theksoi analisti Florim Zeqa për “Kosova Sot”
Analistët politikë, por edhe qytetarët e moshave të ndryshme, të rinj dhe të mesëm, po e shohin me shqetësim të madh zhvillimin e trishtë në këtë shoqëri të re, se si po e shkatërron rininë kosovare klasa politike e inkriminuar në Kosovë për tash afro 20 vjet me radhë pas luftës dhe për afro 11 vjet rresht pas pavarësisë, duke e dënuar si në arsim, ashtu edhe në izolim dhe joperspektivë.
Gjendja vlerësohet të jetë shumë alarmante nga fakti se si kjo klasë politike ia humbi mundësinë për shkollim të mirëfilltë dhe mundësinë për jetë më të mirë dhe me perspektivë rinisë kosovare dhe tani kur Kosova do ta shënojë ditëlindjen e 11-të të pavarësisë, e kur kosovarët, si rinia ashtu edhe të gjitha gjeneratat e tjera, përjashto mafio-oligarkët, nëntokën kriminale dhe pushtetarët e inkriminuar në të dyja nivelet, që shëtisin me jahte milionëshe, të gjithë të tjerët vazhdojnë të vuajnë nga varfëria, korrupsioni, izolimi, mossundimi i ligjit dhe ambienti i ndotur. Tani jo vetëm adoleshentët e para dhjetë apo pesëmbëdhjetë viteve të kaluara, por edhe popullata e moshuar, janë shndërruar në një popullatë të indinjuar, shumë prej të cilëve shohin pak shanse për të pasur mundësinë e një jete më të mirë në këtë vend dhe i kanë varrosur ëndrrat dhe ambiciet e tyre se në Kosovë mund të këtë perspektivë, prandaj kjo është edhe arsyeja se pse studimet tregojnë se mbi gjysma e popullsisë do që të largohet nga vendi, e në fakt qindra e mijëra vetëm se e kanë bërë tashmë këtë. Rinia, kush si mundet, po i mbledhin plaçkat dhe po ikin, zhduken, zvarriten përmes kufijve të huaj, duke u përpjekur të largohen sa më larg që të jetë e mundur nga vendi i ri që ka rraskapitur energjitë dhe i ka shuar ëndrrat e tyre, derisa politikanët e Kosovës vazhdojnë të shëtisin në jahte të mafio-oligarkëve, të jetojnë në lukse milionëshe të parave të zhvatura nga buxheti i po këtij populli të nëpërkëmbur.
Rinia u keqtrajtua
Prof. Muhamet Kelmendi tha për “Kosova Sot” se pas luftës, e sidomos pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, është menduar se do të ndërtohet një shtet dhe një shoqëri, e cila do të krijojë një perspektivë për të rinjtë dhe të rejat e Kosovës, por ndodhi krejtësisht e kundërta.“Në Kosovë nuk u ndërtuan mekanizmat e nevojshëm në drejtim të ndërtimit dhe brumosjes së rinisë me të arriturat e shkencës dhe teknologjisë, me nevojat që i ka vendi. Përkundrazi në arsim po bëhen intervenime kozmetike në emër të reformave, e këtu u krijuan grupe të ndryshme të interesit, të cilat bënë të mundshme ndërtimin e kuadrove të panevojshme për shoqëri, në vend të përgatitjes për treg. Përveç arsimit, u bënë dështime edhe në fushën e shëndetësisë, fushën sociale, punësim etj. Madje të vjen shumë keq kur sheh të rinjtë dhe të rejat duke punuar në sektorin privat, e të cilët trajtohen si në skllavopronari, thjesht skllevër. Ata keqtrajtohen, shfrytëzohen ashpër dhe veprohet mbi ta me masa jashtëzakonisht të egra. Pushteti ka mundësuar ndërtimin e një mafie oligarkike në fushën ekonomike. Mbi 90% e pasurisë së Kosovës ka rënë në duart e kriminelëve, në firma mafioze, të cilat kanë krijuar pasuri marramendëse, ndërsa shfrytëzojnë skllavërisht të rinjtë dhe të rejat e Kosovës. Këta punojnë për të ardhura personale 180-250 euro. Dhe, natyrisht që kjo ka krijuar gjendjen e ikjes nga vendi, sepse këtu nuk shohin perspektivë në krijimin e familjes”, theksoi Kelmendi për “Kosova Sot”.
Qarri: PISA, dëshmia më bindëse e degradimit
Sipas analistit politik Gani Qarri, klasa e kriminalizuar politike në vend, për afro 20 vjet pas luftës dhe 11 vjet rresht pas pavarësisë, e shkatërruan tërësisht rininë në Kosovë, duke e mbyllur atë si në kafaz, duke e dënuar në arsim, punësim e integrim, me izolim të plotë, e jo perspektivë totale për të ardhmen evropiane, siç është bërë e rëndomtë të thuhet me plot gojën nga pushtetarët e inkriminuar.“Pikërisht për shkak të sistemit të dështuar të arsimit në vend, çdo vit më shumë se 30 mijë të rinj kosovarë dalin gjysmanalfabetë funksionalë, formalisht të diplomuar, por të paarsimuar, të pakualifikuar sa dhe si duhet, si dhe të papërgatitur as mjaftueshëm për integrim, të cilët nga politika e mbrapshtë e udhëheqësve të kriminalizuar shtetërorë arrijnë në moshën e punës pa asnjë përvojë praktike dhe tërësisht të injoruar, përderisa politikanët e inkriminuar vendorë bashkë me mafio-oligarkët vrapojnë pas tenderëve, keqpërdorimit të qindra milionave të tatimpaguesve dhe në bashkëkoordinim me nëntokën kriminale jetojnë si “sulltanët”! Fatkeqësisht gjendjen aktuale tronditëse në arsim e dëshmoi katërçipërisht testi i PISA-s i vitit 2015, i cili na tregoi më së miri se në çfarë derexhe e kanë sjellë këta politikanë të inkriminuar arsimin, me këtë sistem të kalbur arsimor, të cilin vetë ata e kanë mbjellë në Kosovë”, theksoi Qarri. Ai thotë se gjendja e tillë jo vetëm se është plotësisht alarmante, por kjo klasë e inkriminuar politike ua humbi mundësinë për shkollim të mirëfilltë mijëra të rinjve, shkatërroi perspektivën për jetë më të mirë dhe me prosperitet tërë rinisë kosovare dhe tani kur Kosova do ta shënojë ditëlindjen e 11-të të pavarësisë, kosovarët, si rinia ashtu edhe të gjitha gjeneratat e tjera, përjashto mafio-oligarkët, nëntokën kriminale dhe pushtetarët e kriminalizuar në të dyja nivelet, që kanë grumbulluar për vete milionat në kurriz të qytetarëve.“Të gjithë të tjerët vazhdojnë të vuajnë nga varfëria, korrupsioni, izolimi total, mossundimi i ligjit, ambienti i ndotur e shumë të këqija të tjera. Krimi i organizuar, padituria e injoranca politike, si dhe abuzimi dhe mossundimi i ligjit, realisht po e thellojnë edhe më tej tragjedinë e një gjenerate të humbur të Kosovës. Kasta e kriminalizuar politike i ka shndërruar adoleshentët e para dhjetë apo pesëmbëdhjetë viteve në një popullatë të indinjuar, shumë prej të cilëve sot e njëzet vjet pas çlirimit shohin pak shanse për një jetë më të mirë dhe i kanë varrosur ëndrrat dhe ambiciet e tyre se në Kosovë mund të ketë perspektivë dhe mundësi për të krijuar familje dhe jetuar normalisht”, vlerësoi Qarri për “Kosova Sot”.
Badallaj: Bandat e injoruan brezin e ri
Një konstatim po kaq të zymtë e jep edhe analisti Reshat Badallaj.“Mjerisht që nga paslufta e deri më sot të gjitha bandat qeveritare, ndonëse dolën me pazare të nëntokës kriminale e jo me votën e popullit, askush nuk u interesua për rininë si në vendet demokratike. Ata i lanë anash duke mos investuar askund dhe kjo ka bërë që rinia me këto banda të jetë e pashpresë dhe se qëllimi i tyre i detyruar dhe i domosdoshëm u bë se si të ikin, se e panë se nuk ka gjë nga këto banda që ndërroheshin vit pas viti dhe nuk e kryenin kurrë mandatin deri në fund. Pra, faji bie pa më të voglin dyshim në këto banda. Vetëm të marrin yrnek në vendet tjera që investojnë për rininë që nga djepi deri kur të bëhen për punë dhe pastaj le të shohin se ç´ndodhi në Kosovë? Rinia mbeti askund, në fund të pusit, e pashpresë, e paperspektivë”, tha Badallaj për “Kosova Sot”.
Zeqa: Sistemi arsimor, i kalbur dhe i politizuar
Sipas analistit Florim Zeqa, se në çfarë derexhe e kanë sjellë politikanët e inkriminuar arsimin në Kosovë e tregoi testi i PISA-s, i vitit 2015, i cili dëshmoi se kemi një sistem arsimor të kalbur, të politizuar dhe nënshtruar nga mafio-politikanët e inkriminuar.“Klasa politike e inkriminuar në Kosovë për afro 20 vjet me radhë pas luftës dhe për afro 11 vjet rresht të paspavarësisë e shkatërruan rininë kosovare, duke e dënuar me arsim jocilësor, izolim dhe joperspektivë zhvillimore në vend. Si pasojë e kësaj, çdo vit më shumë se 30 mijë të rinj kosovarë, për shkak të sistemit të dështuar të arsimit, dalin të paarsimuar, të pakualifikuar dhe të izoluar e arrijnë moshën e punës, derisa politikanët e tyre të inkriminuar bashkë me mafio-oligarkët vrapojnë pas tenderëve, keqpërdorimit të qindra milionave të tatimpaguesve dhe në bashkëkoordinim me nëntokën kriminale jetojnë si ‘sulltanë’”, u shpreh ai.“Kjo klasë injorantësh politikë rinisë kosovare ia humbi mundësinë e shkollimit të mirëfilltë, e privoi nga mundësia për jetë më të mirë. Është vërtet alarmante kur Kosova do ta shënojë ditëlindjen e 11-të të pavarësisë, ndërsa si rinia kosovare, ashtu si dhe të gjitha gjeneratat tjera, përjashto mafio-oligarkët, nëntokën kriminale dhe pushtetarët e inkriminuar në të dyja nivelet e që shëtisin me jahte milionëshe dhe aeroplanë privatë gjithandej globit, të gjithë të tjerët vazhdojnë të vuajnë nga varfëria, korrupsioni, izolimi, mos sundimi i ligjit, ambienti i ndotur etj. Krimi i organizuar, padituria dhe injoranca politike, abuzimi dhe mos sundimi i ligjit e kanë thelluar tragjedinë e një gjenerate të humbur të Kosovës”, theksoi Zeqa.“Kësisoj, adoleshentëve të para dhjetë apo pesëmbëdhjetë viteve në një popullatë të indinjuar, u janë venitur ëndrrat dhe vdekur shpresat për një jetë më të mirë në Kosovë. Si të tillë, të vetmin shpëtim dhe shpresë e shohin largimin nga vendi përmes rrugëve legale dhe ilegale, shpeshherë duke e rrezikuar edhe jetën. Është tepër e dhimbshme kur të shohësh rininë duke mbledhur plaçkat duke ikur përmes kufijve të huaj, duke u përpjekur të largohen sa më larg që të jetë e mundur nga vendi i ri që ka rraskapitur energjitë dhe i ka shuar ëndrrat e tyre, derisa politikanët e Kosovës vazhdojnë të shëtisin në jahte të mafio-oligarkëve dhe jetojnë në lukse milionëshe me paratë e zhvatura nga buxheti i po këtij populli të nëpërkëmbur e shtypur mbi një dekadë”, tha analisti Zeqa për “Kosova Sot”.
Aliu: Mijëra kosovarë po ikin
Analisti politik Bislim Aliu tha për “Kosova Sot” se me të vërtetë klasa politike e inkriminuar në Kosovë e shkatërroi rininë kosovare, për afro 20 vjet pas lufte dhe 11 vjet resht pas pavarësisë, duke e dënuar ashpër, si në arsim, izolim dhe sidomos në perspektivë. “Ndaj, çdo vit, më shumë se 30 mijë të rinj kosovarë, për shkak të sistemit të dështuar të arsimit, dalin të paarsimuar, të pakualifikuar dhe të izoluar, derisa politikanët e tyre të inkriminuar, bashkë me mafio-oligarkët, vrapojnë pas tenderëve, keqpërdorimit të qindra milionëve të tatimpaguesve dhe gjithnjë në bashkëkoordinim me nëntokën kriminale, jetojnë si “sheikët” dhe “sulltanët”. Tani adoleshentët, e para dhjetë… pesëmbëdhjetë viteve, kanë kaluar në një popullatë të indinjuar sepse shumë prej tyre nuk shohin shanse për një jetë më të mirë, janë varrosur përfundimisht ëndrrat dhe ambiciet e tyre, se në Kosovë mund të ketë perspektivë? Ndaj, kjo vrazhdësi e mosperspektivës tregon se gjysma e popullsisë dëshirojnë të largohen nga vendi ku u lindën dhe e deshën më së shumti”, theksoi Aliu.
Qytetarët të zemëruar me pushtetarët shpërdorues
Edhe qytetarët e anketuar janë shprehur krejtësisht të pakënaqur me atë që ka bërë politika kosovare për të rinjtë në këto 20 vite, e sidomos në këtë periudhën e pas shpalljes së pavarësisë. I riu student, Fatrih Zhitia tha për “Kosova Sot” se kjo klasë politike jo që ka punuar për të mirë, por vetëm e ka shkatërruar dhe po e bën dita-ditës të pashpresë të ardhmen e të rinjve të Kosovës. “Perspektiva e të rinjve pothuajse është shuar për shkak të pasurimit të pushtetarëve, të disa njerëzve, të një klase politike edhe të një klase biznesmenësh, të cilët e kanë zaptuar shtetin, që e kontrollojnë komplet shtetin dhe prandaj shumica e të rinjve nuk kanë perspektivë, por edhe e ardhmja e tyre është e dobët, e pashpresë, për shkak se ata po shkollohen, por gjithnjë synimet i kanë për t’u larguar nga vendi ynë, për shkak se nuk po u sigurohet as perspektiva dhe siguria minimale, që mundë ta ofrojë shteti, për të ardhmen e tyre, që duhet t’ua ofrojë qytetarëve të vet. Shpeshherë njerëzit janë të diskriminuar në baza politike, në bazë të partizimit të tyre, të cilët politika i diskriminon dhe i rehaton vetëm familjarët dhe militantët e tyre partiakë e politikë dhe ua pamundëson të rinjve të tjerë profesionistë e të pavarur, të cilët kanë aftësi dhe shkathtësi, që të punojnë nëpër shumë pozita të rëndësishme”, vlerësoi Zhitia. Në një linjë të njëjtë apo identike qëndron edhe i riu Nezir Kadrija.“Duke u bazuar edhe në vetveten që nga viti 2014 jam i diplomuar në lëmin e informatikës dhe jam i papunë, kjo nuk do më shumë koment, por flet mjaftueshëm se këtu për rininë perspektivë nuk ka për arsye se rinia, sikur që po shitet, çdo ditë e më shumë po ikin jashtë vendit, sepse ky është problem më i madh, që është papunësia, e kur ka papunësi edhe dëshpërimi është i madh dhe njerëzit shohin se si të largohen nga vendi e të marrin rrugë të tjera që të arrijnë deri te një punë e të jetojnë nga të ardhurat e veta. Politikanët shumë pak po mendojnë për këtë rini. Unë kam pas rastisë që të flas edhe me disa politikanë dhe jua kam bërë pyetjen se a nuk po i shihni këta të rinj se si po ikin, dhe përgjigja e tyre ka qenë se nuk kemi çka t’u bëjmë. Unë u kam thënë se duhet të hapen mundësi punësimi që të rinjtë të mos ikin nga Kosova. Edhe unë si student kam qenë si vizitor jashtë vendit, në Gjermani, por e kam parë që më mirë se në vendin tënd nuk është askund, por kjo do të ishte kështu vetëm sikur të kishte pasur mundësi dhe perspektivë punësimi”, potencoi Kadrija. Këtë fakt e pohon edhe qytetari tjetër në moshë, Shpëtim Bytyqi.“Nuk e di çka me ju thënë, situata po shihet vetvetiu, kur çdo vit po na ikin të rinjtë, po dalin jashtë shtetit, sepse shpresa për ta nuk ka në Kosovë. Nuk ka shpresa për vende pune dhe kjo vlen si për rini si për pleqëri, për pak më të moshuar. Edhe prej se jemi bërë si shtet i pavarur nuk ka ndonjë ndryshim për të mirë, sepse për popull asgjë nuk janë duke punuar. Duhet të gjendesh si të mundësh, të punosh vetë diku deri në 12 orë në ditë që në fund të ditës të arrish të marrësh 10-15 euro, edhe këtu është në pikëpyetje e ke apo nuk e ke punën e sigurt”, theksoi ai për “Kosova Sot”. Sipas Bytyqit, politikanët janë rehatuar, sepse i marrin deri në 3000 euro rrogë…më së paku 1500 euro dhe punojnë vetëm nga dy tre orë, por më pastaj marrin edhe mëditje të tjera kur dalin diku jashtë shtetit dhe nuk po mendojnë fare për rininë, për qytetarin.
(Kosova Sot)


