Inflacioni i ndikimit politik prodhon shqiptarë lojalë
Nga Emin Azemi – Në pazarin e demoduar të ofertave të lira e të degraduara elektorale gjen gjithçka, por nuk mund ta gjesh përgjigjen se pse Shkupi ngadalë, por sigurt, po shndërrohet në një enklavë të madhe shqiptarësh, pa një organizim të mirëfilltë civil e politik dhe kryeqendra e dikurshme e Dardanisë po bëhet kryeqendra e vlerave të dyshimta kombëtare e fetare.
Beteja zgjedhore për pushtet lokal, në Maqedoni, e ka bërë politikën të zbresë në skutat më margjinale të relievit social, ekonomik e politik të njerëzve, por pa sensin elementar për të nxjerrë kandidat të përbashkët në disa komuna ku uniteti maqedonas rrezikon zgjedhjen e kryebashkiakut shqiptar, siç janë rastet e Strugës e Kërçovë.
Në një qoshe të një komune rurale po zhvillohet “betejë” e vërtetë se kush do ta asfaltojë rrugën që lidh dy lagje po të njëjtës komunë. Njërën anë të “litarit” e mban kryetari aktual i komunës, duke këmbëngulur se vetëm ai, dhe askush tjetër, ka të drejtë të asfaltojë rrugë e rrugica tani gjatë fushatës zgjedhore. Anën tjetër e tërheq kandidati tjetër për kryetar komune.
Edhe njëri, edhe tjetri duan t’i mbushin gropat me asfalt dhe t’ua bëjnë më të rehatshme ecjen njerëzve të kësaj zone. Mirëpo ende nuk po dihet se cili do t’ia dalë të tregohet më pehlivan në hedhjen e asfaltit parazgjedhor dhe ka të ngjarë që kandidati humbës, paratë e dedikuara për asfaltin (sepse deri në momentin e fundit tamponi e kryen punën e asfaltit) t’i riorientojë në ndonjë destinim ekstra privat. Mos u habitni nëse surratet e njëjtë i shihni edhe në cirkuset e ardhshme zgjedhore, sepse jetëgjatësia e moralit të hajnit politik është sa bryma e mëngjesit.
Çka po ndodh me Shkupin dhe Kërçovën?
Në pazarin e demoduar të ofertave të lira e të degraduara elektorale gjen gjithçka, por nuk mund ta gjesh përgjigjen se pse Shkupi ngadalë, por sigurt, po shndërrohet në një enklavë të madhe shqiptarësh, pa një organizim të mirëfilltë civil e politik dhe kryeqendra e dikurshme e Dardanisë po bëhet kryeqendra e vlerave të dyshimta kombëtare e fetare. Rasti më i fundit me protestat ‘stihike’ e ‘spontane’ dëshmon për amoralitetin e politikës shqiptare, e cila me të dy duart e dorëzon Shkupin në prehrin e dallkaukëve pa vertikale shpirtërore-kombëtare, duke i mundësuar politikës maqedonase (si asaj në pushtet, si asaj në opozitë) të propagandojë në botë se shqiptarët e Shkupit në vend të politikës së mençur operojnë me standarde të dyshimta të importuara nga Lindja dhe në vend të organizimeve të mirëfillta civile, lëshohen në aventura fëmijësh, pa sensin elementar të protestës qytetare. Ideja e dikurshme e Gligorovit për të reduktuar hapësirën territoriale kombëtare të shqiptarëve prej Pollogut deri te Korabi, po zbatohet tani në praktikë, duke ia hequr Shkupit atributet e dikurshme të kryeqendrës shqiptare.
Një përgjigje tjetër që ende po mungon lidhet me Kërçovën. Ne vitin 2004, BDI e LSDM, kishin miratuar ligjin për ndarje territoriale, kur edhe kishin skicuar gjeografinë e re administrative të Maqedonisë. Vetëm Kërçova ishte lënë të ripërkufizohet në vitin 2009.
Por, në marrëveshjen për koalicion VMRO-BDI, në vitin 2008, u shty sërish bashkimi i Kërçovës për vitin 2013 dhe kjo nuk u bë pa qëllim të caktuar. Në kohën kur u bë shtyrja e qëllimshme e bashkimit të Kërçovës në një njësi të vetme administrative (ku do t’i bashkoheshin Zajazi, Osllomeja, Drugova dhe disa vendbanime me dominim shqiptar), politika maqedonase punoi me të madhe në shtimin artificial të banorëve/votuesve maqedonas (kryesisht duke i pajisur me shtetësi maqedonasit nga Shqipëria). Për sa kohë që nuk ka ndodhur bashkimi i Kërçovës, ka ndodhur edhe shtimi artificial i votuesve maqedonas ( 6000-8000 veta). Kjo epërsi votash artificiale të maqedonasve rrezikon mundësinë që BDI të ketë kryetar të vetin në Kërçovë.
Gropat e rrugëve, “referenca” për një histori inferioriteti
Gruevski, ky buldozeri mospërfillës i partneriteteve brenda-qeveritare, edhe në këtë fushatë zgjedhore po i harxhon milionat e përbashkëta për projekte të veçanta një-etnike e njëfetare. Të gjithë ata që kanë qenë punëmarrës politikë të tij nuk kanë mundur të skicojnë as edhe një projekt të vetëm pa u kalkuluar pastaj ky projekt në shifra denigrues të një lojaliteti të skajshëm politik e etnik. Të marrim shembull vetëm shumë të trumbetuarin projekt për ngritjen e përmendores së Skënderbeut në pjesën informale të Shkupit. Gruevski lejoi të ngrihet kjo përmendore, për të kompensuar instalimin e një galerie të tërë figurash historike maqedonase, në pjesën urbane të Shkupit, atje ku shqiptarëve u tregohet se deri ku nuk mund të shkojnë, sepse aty afër i pret huligani maqedonas me bejsboll në dorë.
Ky inxhinjering arkitektoniko-urbanistik nuk do të mund të ndodhte po të mos ishte lojaliteti i skajshëm politik i shqiptarëve dhe paratë e tyre në buxhetin e përbashkët të shtetit.
Maqedonia vazhdon të funksionojë si shtet vetëm në saje të një pazari të padefinuar në mes të faktorëve politikë shqiptarë dhe atyre maqedonas. Në këtë pazar të padefinuar mund të jenë të definuara vetëm kontot private të ndonjë individi. Është fascinuese ndarja “manifakturale” e sferave politike në Maqedoni. Në njërën anë, individët shqiptarë mbushin gropa me asfalt parazgjedhor, në skajet e harruara të komunave rurale, kurse në anën tjetër shteti një-nacional i maqedonasve derdh para marramendëse për të siguruar ardhmërinë ekonomike, sociale, kulturore e zhvillimore të maqedonasve etnikë.
Në zonat e banuara me shqiptarë, gara brendashqiptare asnjëherë nuk do të përfundojë dhe gropat e rrugëve tona do të ngelin gjithmonë “referenca” për një histori inferioriteti e degradimi kombëtar. Sa më shumë “referenca” të tilla në milieun tonë politik, aq më të lavdishme do ta kemi krenarinë kombëtare të kryeministrave maqedonas. Ndryshe, kësaj i bie që partitë politike shqiptare në mikroplan punojnë për të mbushur gropa me asfalt parazgjedhor, kurse në makroplan kujdesen të mos u bie rejtingu i kryeministrave maqedonas. Punët e pakryera të liderëve shqiptarë, me automatizëm faturohen si sukses që rrit konton e rejtingut publik të liderëve maqedonas, prandaj inflacioni i ndikimit të partive politike shqiptare tek elektorati po e prodhon karakterin e ri të shqiptarit lojal.
Autori është publicist nga Shkupi. Kjo kolumne është shkruar enkas për Gazetën “Express”


