ZN

Incident në Merdare, policë të lënduar

/ 3 minuta lexim
ZN

Prishtinë – Më shumë së gjashtë policë janë lënduar sot në një incident që ka ndodhur në Merdare pasi që një grup serbësh të hyrë me dy autobusë nga Mitrovica e veriore janë depërtuar në Merdare, e të njëjtit mandej kanë sulmuar policinë e Kosovës.

Në mesin e policëve të lenduar është edhe komandanti i Policisë së Kosovës për rajonin e Podujevës, Isa Ejupi, thonë burime të Express Online.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani e ka konfirmuar këtë për Express se grupi i deportuar nga Mitovica e Veriut ka shkaktuar incidentin.

“Ky grup, që kaloj nga Mitrovica e Veriut në jug dhe pastaj në Vushtrri është depërtuar nga Policia në Merdare. Ata kanë bartuar fanella me mbishkrime provokuese. Por, pasi janë depërtuar ata kanë filluar një sulm kundër zyrtarëve policorë, me ç’rast kemi policë të lënduar. Deri me tani nuk konfirmohet se sa policë kanë marrë lëndime serioze por këtë do ta konfirmojnë zyrtarët e spitalit më vonë”, ka thënë Kelani për Express Online.

Sipas tij, Policia ka arritur t’i ndaloj këtë grup dhe deri me tani situata është e qetë dhe nën kontroll.

Ndërkohë, burime të tjera të Express thonë se incidenti është shkaktuar nga një pjesë e tifozëve Grobari të cilët mbrëmë kishin arritur në Mitrovicë.

ZN

Po ashtu, burime të tjera të Express nga Qendra Klinike Universitare thonë se nga ky incident janë lënduar më shumë së gjashtë policë të Kosovës.

Një njoftim për këtë incident e ka dhënë edhe Policia e Kosovës për rajonin e Mitrovicës, e cila kishte thënë se se dhjetëra serbë kanë prishur rendin e qetësinë në orët e hershme të mëngjesit të sotëm.

“Rreth orës 05:00 një grup prej afër 70 vetash, i paparalajmëruar i qytetarëve të nacionalitetit serb, pjesëmarrës të marshit të Vidovdanit janë mbledhur ne afërsi të urës kryesore. Tre prej tyre kanë kaluar pengesat me gurë në urën kryesore dhe kanë filluar të ofendojnë policët në detyrë”, thuhet në njoftimin e policisë.

Këtë vit, komuniteti serb shënon 623 vjetorin e Betejës mesjetare të Kosovës, e cila ndryshe njihet në radhët e këtij komuniteti si “Vidovdan”.

“Policia me qëllim të qetësimit të situatës ka përdorur sprejin dhe ka larguar këta qytetarë në pjesën veriore të urës dhe nën përcjellje të policisë me dy autobusë, të njëjtit janë përcjellë në pikën kufitare ne Merdare, përmes së cilës pikë janë larguar nga territori i Kosovës”, njofton policia.

Me urdhër të prokurorit është hapur rasti “Prishje e rendit dhe qetësisë publike”, thuhet në njoftim.