Inaugurohet zyrtarisht Gjykata Themelore në Artanë

/ 5 minuta lexim
Uji Dea

Artanë- Në ceremoninë zyrtare të hapjes së degës së Gjykatës Themelore për Artanën merrnin pjesë Enver Peci, Fejzullah Hasani, Zyhdi Haziri , Bajrush Ymeri dhe prokuror e gjykatës. Bajrush Ymeri e quajti moment historik për Artanën hapjen e kësaj gjykate derisa Fejzullah Hasani dhe Enver Peci u zotuan se do ta ndihmojnë me të gjitha mjetet këtë Gjykatë duke e profesionalizuar punën e saj dhe duke u qëndruar sa më afër qytetarëve të këtij rajoni , transmeton rajonipress.

Të hënën edhe zyrtarisht është inauguruar hapja e degës së Gjykatës Themelore në Artanë. Në këtë ceremoni zyrtare merrnin pjesë Fejzullah Hasani nga Gjykata Supreme e Kosovës, Enver Peci nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Bajrush Ymeri kryetar i Artanës, Zyhdi Haziri kryetar i Gjykatës Themelore në Gjilan si dhe përfaqësues të EULEX-it, KFOR-it, OSBE-së.

Në ceremoninë e inaugurimit Enver Peci nga Këshilli Gjyqësor tha se ky moment është i veçantë sepse kjo tregon përkushtimin tonë se po kujdesemi për qytetarët tanë të cilët më herët është dashur të kalojnë kilometra rrugë për të kryer shërbimet gjyqësore . Peci tha se do të mundohet që të krijojë kushte edhe për objektin dhe kuadrin në mënyrë që kjo degë të jetë funksionale dhe profesionale.

Peci ka kërkuar edhe nga qytetarët serb që të angazhohen në këtë gjykatë sepse kjo është në dobi të të gjitha nacionaliteteve pa dalim.
Kurse Fejzullah Hasani kryetar i Gjykatës Supreme të Kosovës tha se po arrijmë ta funksionalizojmë një degë të Gjykatës Themelore duke e përmbushur edhe një kriter dhe standard evropian që lidhet me ofrimin e shërbimeve për qytetarët e kësaj treve.”Jam i sigurt se kjo gjykatë do të arrij të përmbushë kërkesat e palëve dhe shpresoj që gjykata me fanatizëm do të arrijë ta zbatojë ligjin. Ne do të ofrojmë ndihmën e nevojshme për këtë gjykatë të re, por shumë të dobishme për Artanën” tha Hasani.
Ndërsa Zyhdi Haziri kryetar i Gjykatës Themelore në Gjilan tha se ky moment vërtet shënon një ditë të veçantë sepse po e hapim për herë të parë në historinë e Artanës degën e Gjykatës e cila do tu krijojë dhe ofrojë kushte e mundësi të gjitha palëve që të kryejnë lëndët civile dhe ato të kundërvajtjes. “Ne do të kujdesemi që edhe objektin ta rregullojmë sa më parë që është e mundur” tha Haziri.

Hidromorava

Kurse kryetari i Artanës Bajrush Ymeri e ka quajtur moment historik për Artanën inaugurimin e Gjykatës, por edhe si proces të dobishëm edhe për vet sistemin gjyqësor në Kosovë. “Që nga viti 2010 kur me procesin e decentralizimit komuna e Novobërdës u zgjerua me territor lindi nevoja që edhe në këtë komunë si në komunat tjera të ketë një gjykatë komunale. Ne zhvilluam biseda me Ministrinë e Drejtësisë dhe Këshillin Gjyqësor të Kosovës. Atëherë na është thënë që në fillim të vitit 2013 do të hyjë në fuqi ligji i ri për gjykata dhe në kuadër të shtatë gjykatave themelore që do të ketë në Kosovë edhe gjykata themelore në Gjilan e cila në kuadër të saj do të ketë edhe degët e saj e një prej këtyre degëve do ta ketë edhe Komuna Novobërdës”tha Ymeri.

Ymeri tha se është bërë një punë e mirë sepse të gjithë qytetarët tanë kanë pasur vështirësi sa i përket këtyre shërbimeve të cilat deri tash i kanë marr në Gjykatën Komunale në Prishtinë e disa prej tyre në gjykatën komunale në Gjilan. Këto vështirësi kanë qenë kryesisht në shqyrtimin e lëndëve sepse sa u përket punëve tjera unë mund të them lirisht që shërbimet kanë qenë në nivel.

Sipas Ymerit hapja e kësaj dege të Gjykatës Themelore në Novobërdë do të thotë shumë sepse tash e tutje qytetarët tanë shërbimet e tyre do t`i kryejnë në një vend dhe me kohë. “Situata e sigurisë në përgjithësi është e mirë dhe numri i krimeve mund të them që është shumë i vogël apo ndoshta edhe fare duke përjashtuar këtu ndonjë prerje ilegale të pyjeve apo ndonjë vjedhje që ndodh. Por tash e tutje edhe për këto vepra lëndët do të shqyrtohen shpejt dhe do t’ju bëhet me dije të gjithëve që për çdo vepër të bërë reagimi do të jetë i shpejt”.

Pra hapja e kësaj dege të gjykatës themelore sa është e rëndësishme është edhe moment historik për komunën sepse asnjëherë deri më tash nuk ka pasur Gjykatë Komunale tha Ymeri./rajonipress/