RCCOLA

Inaugurohet projekti i fasadimit të objekteve në qytetin e Vitisë

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan -Në Komunën e Vitisë është bërë të premten inaugurimi i projektit të fasadimit të objekteve,projekt ky i financuar nga Qeveria Zvicerane konkretisht Projekti Zvicër Kosovë për Qeverisje Lokale dhe Decentralizim Logos.

Vlera e këtij projekti është më shumë se 63.000€ ku 50.000€ janë donacion nga Qeveria Zvicerane ndërsa pjesa tjetër nga Buxheti Komunal i Vitisë . Kreu i Vitisë Nexhmedin Arifi ka thënë se me këtë projekt janë fasaduar objekte të ndryshme si Administrata Komunale, Objekti i Stacionit Policor, Gjykata Komunale etj.

Nexhmedin Arifi së bashku me stafin e tij para inaugurimit të këtij projekti ka pritur përfaqësuesin e Qeverisë Zvicerane Norbert Piljs ku i ka falënderuar Qeverinë dhe Popullin Zviceran për të gjitha investimet e bëra në Komunën e Vitisë. Ndërsa më pas punëkryesi i këtij projekti në mënyrë vizuale ka paraqitur gjendjen e objekteve para fasadimit dhe pas saj.

Kryetari Arifi duke folur rreth investimeve që kanë ardhur nga Qeveria Zvicerane tha se Komuna e Vitisë është mirënjohëse ndaj kësaj qeverie e cila në këtë komunë ka bërë investime të ndryshme e sidomos në projektin e fasadimit të objekteve . “Falënderoi shumë qeverinë Zvicerane për të gjitha investimet në segmentet e ndryshme që janë bërë në komunën tonë, por ky investim me të vërtetë çmohet lartë nga qytetarët tanë pasi ka ndryshuar pamjen e qytetit dhe Komunës sonë për të mirë” u shpreh Arifi.

RCCOLA

Ai ka shtuar se Komuna e Vitisë është e gatshme të vazhdoj bashkëpunimin e mirë me Qeverinë Zvicerane edhe në të ardhmen. Ndërsa Nobert Piljs tha se ky projekt i cili është vetëm njëri nga projektet që kemi implementuar në këtë komunë.

Ndërsa lidhur me projektet që financohen në Viti ai tha se LOGOS-i bënë mbështetjen buxhetore duke ju lënë pjesën më të madhe të punës Komunave pasi kjo sipas tij ka për synim ngritjen e kapaciteteve nëpër Komuna.

Piljs paralajmëroj se Komuna e Vitisë mund të jetë partnere me projektin Logos edhe për vitin 2013 ndërsa tha se kjo komunë është përzgjedhur për një pilot projekt ku do të synohet një decentralizim më i madh fiskal i saj sa i përket të hyrave vetanake.

Institucionet Komunale të Vitisë kanë ndarë mirënjohje për përfaqësuesit e projektit Logos, ndërsa më pas kanë bërë inaugurimin e këtij projekti ku së bashku kanë shikuar për së afërmi punën e bërë në fasadimin e objekteve. /rajonipress/