Mobi Casa

“Imazhi i fundit” i Kosovës ringjallet me stripin e Jakupit

/ 3 minuta lexim

Prishtinë – Strip-artisti i njohur kosovar, që jeton mes Francës e Spanjës, Gani Jakupi, ishte bërë personazh i shpeshtë në media para luftës së fundit në Kosovë.

Kishte botuar artikuj, e kishte nisur të japë shumë intervista për Kosovën për mediat në këto dy shtete. Një herë do të ftohej edhe në një “talk show” shumë të popullarizuar në Spanjë, që në kushte normale nuk do të merrte pjesë, pasi nuk besonte në nivelin artistik të një emisioni që ndiqej në masë.

Fiks në orën 20:00 do të mbërrinte në televizionin ku do të xhirohej emisioni, mbrëmjen e 24 marsit. Në atë orë do të jepej edhe urdhri për bombardimin nga forcat ajrore të NATO-s ndaj ish-Jugosllavisë.

Pas kësaj, rendi i gazetarëve para dyerve të Jakupit do të bëhej i gjatë. Do t’i jepej akreditimi i KFOR-it, për të hyrë në Kosovë menjëherë pas luftës, për të bërë një reportazh bashkë me një fotoreporter argjentinas. Emrin e tij nuk e tregon, pasi që nuk ishte ndarë mirë me të.

Eco Higjiena

“Ai kërkonte sensacionin. Mua më janë vrarë shumë anëtarë të familjes, e ai kërkonte për shembull të dilja në fotografi para një varreze masive. Nuk pranoja, sepse përveçqë ishte falsifikim i informacionit, nuk bëhet shaka me ato punë”, ka rrëfyer Gani Jakupi, në një bisedë për “Kohën Ditore”. “Kjo tregon për manipulimin e informatës”.

Përjetimet e tij në Kosovë si gazetar janë linja e rrëfimit të stripit të Jakupit “La derrière image” (Imazhi i fundit) që ka dalë nga shtypi në Francë, në muajin qershor. Ky libër ka kthyer Kosovën në vëmendjen e mediave në këtë pjesë të Evropës. Kësaj radhe nëpërmjet një vepre arti.

“Kosova ishte e harruar. Titulli me të cilin është mbuluar ngjarja për botimin e këtij stripi në mediat e atjeshme ishte: ‘E harruara e Ballkanit’, për shkak se në këto vjet është folur për Bosnjën, për Kroacinë, madje edhe për bombardimet ndaj Serbisë, po s’është folur asgjë për Kosovën”, ka thënë Jakupi.

Në rrëfimin e Jakupit të shkrirë në strip nuk ka gjak, kufoma, masakra e gjenocid. Ato nënkuptohen. Imazhet janë gati reale. Jakupi thotë se publiku nuk ka dëshirë të shokohet derisa lexon, por kjo po i bën të mendojnë.(koha)