Imami Naser Halimi sulmohet nga qentë endacakë rrugës për në xhami: “Me prioritet jetën e njeriut!”
Gjilan – Imami Naser Halimi ka bërë të ditur se është sulmuar nga qentë endacakë në orët e hershme të mëngjesit, derisa po shkonte në xhami për ta falur namazin e sabahut. Si pasojë e sulmit, ai ka pësuar lëndime trupore dhe përjetuar trauma, ndërsa ka kërkuar nga organet kompetente që të ndërmarrin masa konkrete për trajtimin e problemit të qenve endacakë, të cilët, sipas tij, po paraqesin rrezik për jetën dhe sigurinë e qytetarëve.
Në reagimin e tij publik, Halimi ka përshkruar momentet e vështira të përballjes me qentë, duke theksuar se situata ishte tejet e rrezikshme.
“Sot në mëngjes, ka po shkoja për në xhami për ta falur namazin e sabahut, u sulmova nga qentë endacakë. Si pasojë e sulmit të qenve, unë mora lëndime trupore, përgjakje, shtypje…!
Përveç lëndimeve në trup, kam fituar edhe trauma, ngase me të vërtetë ka qenë thuajse një luftë fyt më fyt me qentë endacakë”, ka shkruar Halimi.
Ai ka bërë të ditur se në orët e hershme të mëngjesit ka marrë trajtim mjekësor nga stafi i Emergjencës, të cilin e ka falënderuar për reagimin dhe korrektësinë gjatë ofrimit të ndihmës.
Halimi ka shprehur mirënjohje edhe për qytetarët që, sipas tij, ndërhynë për ta parandaluar përkeqësimin e situatës dhe për të shmangur pasoja të mundshme më të rënda.
Në reagimin e tij, imami ka adresuar një thirrje të drejtpërdrejtë ndaj institucioneve përgjegjëse, duke kërkuar që çështja e qenve endacakë të trajtohet me seriozitet dhe me masa konkrete, në mënyrë që të mos rrezikohet jeta e qytetarëve.
“U bëj thirrje organeve kompetente që të merren seriozisht për trajtimin e qenve endacakë, të cilët janë bërë rrezik potencial për jetën e qytetarëve!”, ka theksuar ai.
Rasti i përshkruar nga Halimi rikthen në vëmendje shqetësimet për sigurinë e qytetarëve nga sulmet e qenve endacakë dhe nevojën për zgjidhje institucionale që garantojnë mbrojtjen e njerëzve në hapësirat publike.
Mesazhi i tij është i qartë: mbrojtja e jetës dhe sigurisë së qytetarëve duhet të jetë prioritet, ndërsa institucionet përgjegjëse duhet të veprojnë për të parandaluar raste të ngjashme./rajonipress/


